E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ndjek fitoren e pestë

Dy rivalët e vjetër, Prishtina dhe Gjilani do të ballafaqohen të shtunën në kryeqytet, në kuadër të xhiros së gjashtë të Superligës. Bardhekaltrit nuk besojnë se do të hasin në telashe të mëdha për ta shënuar fitoren e pestë rresht. Kurse, gjilanasit synojnë t’ia ndalin hovin rivalit të moçëm të tyre. Edhe pse dobët e kanë nis sezonin e ri, ekipit vjollcë nuk i mungon motivimi për ta sfiduar liderin aktual. Nga Valon Konushevci më 23 shtator 2011 në ora 23:37

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e gjashtë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do zhvillohen disa ndeshje mjaft interesante. Ndeshje e tillë do të luhet të shtunën në kryeqytet, ku do të ballafaqohen dy rivalët e vjetër – Prishtina dhe Gjilani.

Në fakt, bardhekaltrit janë favoritë në letër, pasi ata janë kandidatët më seriozë për titullin e kampionit, derisa mbijetesa është objektivi kryesor i gjilanasve. Prishtinasit e kanë nisur perfekt këtë sezon, pasi prej pesë ndeshjeve të zhvilluara i kanë shënuar katër fitore të njëpasnjëshme, derisa një herë kanë luajtur baras.

Kryeqytetasit do të mundohen ta shfrytëzojnë të shtunën përparësinë e terrenit për ta shënuar fitoren e pestë rresht. Kështu thotë portieri i ekipit kryeqytetas, Flamur Neziri.

“Sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe ndaj Gjilanit do të mundohemi të aplikojmë një lojë të bukur dhe kolektive, dhe si rezultat i lojës së mirë, normalisht që vjen edhe fitorja. Jemi të përgatitur, derisa unë si portier shpresoj që të shtunën mos të pësoj gol, pavarësisht respektit për Gjilanin”, tha Neziri i cili është njëri prej më meritorëve që skuadra e tij nuk ka pësuar më shumë sesa katër gola deri më tani.

Megjithatë, Prishtina nuk do ta ketë aq lehtë ta arrijë objektivin, edhe pse përballë do ta ketë Gjilanin, i cili nuk po e gjen vetën në këtë fillim të kampionatit. Ekipi vjollcë deri më tani i ka pësuar katër humbje, derisa vetëm një herë ka fituar dhe gjendet në vendin e parafundit në tabelë me vetëm tri pikë, dhjetë më pak sesa lideri Prishtina. Megjithatë, gjilanasit paralajmërojnë rezistencë të fortë ndaj kryeqytetasve.

“Jemi munduar ta kthejmë motivin para kësaj ndeshjeje, pas atyre lojërave të dobëta që i treguam. Prishtina është favorite dhe ka ekip shumë kualitativ. Por, nganjëherë kundërshtari i fortë të motivon. Edhe ne ndihemi më të motivuar për këtë takim, për dallim prej ndeshjeve të kaluara. Andaj pres një angazhim të madh të lojtarëve të mi, me shpresë që ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv që mundemi”, tha trajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiti.

Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Skenderaj, ku Drenica do ta sfidojë Trepçën. Kurse në Prizren, Liria ballafaqohet me rivalin Besën, ekipe këto që sivjet nuk e kanë fuqinë që kishin në të kaluarën.

Të dielën zhvillohen tri takime tjera, derisa derbi i javës zhvillohet në Gjakovë mes kandidatëve për titull, Vëllaznimit dhe Hysit.

Superliga – Xhiroja e 6-të
E shtunë
Prishtina – Gjilani
Liria – Besa
Drenica – Trepça
E diel
Drita – Lepenci
Trepça 89 – KEK-u
Vëllaznimi – Hysi
Të gjitha takimit nisin në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›