Fabrika e përbaltjes publike me pronar Edi Ramën
Në gushtin e nxehtë dhe me re të Shqipërisë, ashtu siç kishim parashikuar, kemi një fabrikë që nuk shkon me pushime, por që prodhon “produktin” me ritme frenetike: është “fabrika e baltës” me pronar sheikun Edi Rama, që nëpërmjet përdorimit të medieve partnere dhe me abuzim të institucionit të saj, prodhon tym dhe fakte helmuese për kundërshtarët. Ka disa ditë që uzina socialiste sulmon pa fre deputeten demokrate, Albana Vokshi. Plot 7 deputetë, i fundit Shalësi, janë angazhuar për të kryer një “vrasje” verbale e njëkohësisht mediatike kundra maxhorancës dhe shënjestra e tyre është morali i deputetes znj.Vokshi dhe jo nëse ajo e ka shkelur apo jo ligjin. Ligja nuk është shkelur nga deputetja Vokshi, dhe nëse PS ka fakte të patjetërsueshme, t’i çojë në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, që drejtohet nga Znj. Ina Rama.
Edi Shalësi del në konferencë për shtyp për të thënë se ka fakte të reja por, fakte të reja nuk ka. Janë të zhubrosura si zhelet e atij që i ka fabrikuar në uzinën socialiste. Ai thotë se koncesionet janë falur, kur veç të merret parasysh vendimi i Këshillit të Ministrave për të kuptuar se deputeti Shalësi është jashtë kontrollit mendor dhe horizontit legjislativ. “Miku i atij”, “shoku i atij”, “jo se ky ka qenë atje”, e vetiu mijëra llafe bosh për të përcjellë moral për hir të ditës. Akuza nuk sjell avantazhe.
Ka vetëm konstatime banale jo të denja për një parti politike të madhe opozitare si Partia Socialiste. Ai thotë ky është miku i djalit të Kryeministrit, dhe për rrjedhojë është miku i vetë Kryeministrit, duke i bërë biografinë biznesmenit R. Selmanllarit, i cili paska “mëkatin” më të pakorrigjueshëm të ketë takuar ndonjëherë një bir politikani. Mjafton demonizimi. Teoria naziste e Gebëlsit me trinitetin verbal: “akuzo, mistifiko, manipulose diçka do të mbetet në vesh” është përfaqësuar denjësisht nga stilemat socialiste. Bombardimi i akuzave ndaj deputetes Vokshi ka qenë i përditshëm, përjashto ditën kur ndodhi ngjarja e Himarës, dhe hienat politiko-mediatiko u spostuan në bregdet.
Edhe klonimi jo gjenetik në të gjitha aspektet i Edi Ramës, Edi Shalësi akuzon pa prova sepse provat e tij janë një “vrimë” në ujë bregdetar, por kjo nuk do të thotë se mund t’u jepen medies për të mbushur kronikat dhe faqet e gazetave. Dhe shpesh media kthehet në një spondë atraktive për të shënjestruar akuza dhe sajesat e tyre.
Sot po të lexoni shtypin do të konstatoni, se pjesa më e madhe e gazetave të “pavarura” do ta kenë lajmin aq të vogël sepse është i parëndësishëm, por jo edhe ZP dhe gazetat e botuesit pranë çifligut të Ramës, që janë angazhuar për një killerazh të përditshëm me akuza false. Partia Socialiste kërkon të rikthejë moralin e “gjyqit popullor” duke shastisur opinionin publik me deputetë e deputete të angazhuar që të përcjellin produktin e ish-uzinës Enver. PS-ja akuzon duke harruar kështu se po bën një “mini luftë-klasash” kundra pasanikëve, që në këtë rast janë investitorët Kanadezë, me përfaqësues shqiptarë, duke e dëmtuar trendin rritës të investimeve të kompanisë si dhe do të ndikonte edhe tek investitorët që kanë ardhur në Shqipëri për të investuar. Partia Socialiste nuk po mbron interesat publike por, duke akuzuar injekton frikë në investimet e kapitalit të huaj në vendin tonë. Kompania “Stream” nuk është në Shqipëri për politikë por, për të përmbushur angazhimet e saj në industrinë energjetike. Kanadezja “Stream Oil” në dy vite në Shqipëri ka shpenzuar për operacione të ndryshme një shumë prej rreth 20 milionë dollarësh dhe planifikon që të arrijë në rreth 30 milionë dollarë deri në fund të këtij viti. Deklaratat publike të kohëve të fundit rreth “Stream” kanë qenë denigruese, të pabaza. Procedurat për dhënien e koncesionit, janë bazuar në legjislacionin Shqiptar dhe kanë qenë të njëjta me ato që ishin dhënë më parë në këtë sektor, edhe nga qeveritë e ndryshme socialiste. Ndërkaq, bazuar në marrëveshjen, kompania kanadeze “Stream” mbulon të gjitha kostot e operacioneve, trajnimit te personelit, siguron paga më të larta për punonjësit si dhe mbulon kostot për mbrojtjen e ambientit. Ashiqare “Stream” ka paguar të gjitha obligimet, taksa dhe detyrimet tek Autoritetet Shqiptare dhe ky informacion është shprehur në deklaratat financiare të auditit që janë publike ashtu sikurse kërkohet për çdo kompani publike ndërkombëtare.
Sidoqoftë nëse PS-ja disponon fakte të qenësishme se gjithçka është bërë kundër legjislacionit shqiptar, t’u drejtohet dyerve të gjykatës, sepse ajo nuk ka monopolin e të vërtetës. është e kuptueshme që Partia Socialiste nuk ka asnjë kontakt me realitetin, dhe kjo nuk është një risi, por është njëri nga përfundimet e një politikëbërjeje me pranga në duar. Një opozitë impotente që flet shumë dhe s’bën asgjë për të ofruar alternativën e saj. Përveç angazhimit profesional si një prokurori politike që akuzon me kinse demaskime, veçse e rrit më shumë nivelin e neverisë ndër qytetarë, dhe jo domosdoshmërisht për maxhorancë.
Partia Socialiste në çdo rast dhe për çdo shtetas le të dorëzojë materialin “inkriminues” dhe jo dallavere hipotetike siç kemi dëgjuar deri më tani, për personat të cilët ajo i akuzon publikisht. Le t’ia lerë në dorë prokurorisë dhe gjykatës zgjidhjen e çështjes. Këto të fundit janë (ose duhet të jenë) plotësisht të pavarura nga segmente të opozitës ose qeverisë.