Tre hapat e tangos
Ngjarjet kryesore politike këtë vit për Shqipërinë kanë qenë sigurisht hyrja e vendit në NATO, si dhe dorëzimi i kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE në muajin prill.
E mbi të gjitha qëndron optimizmi aktual mes aktorëve vendas për procesin e liberalizimit të vizave.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit ishin gjithashtu pa dyshim një moment kryesor i vitit.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it theksonte se këto zgjedhje “përmbushën shumicën e angazhimeve të OSBE-së”.
Megjithatë, për të adresuar mangësitë e vërejtura, është e rëndësishme që rekomandimet e bëra në këtë raport të zbatohen sa më shpejt që të jetë e mundur në Kuvendin e Shqipërisë, duke lehtësuar kështu përgatitjen e efektshme për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, planifikuar për vitin 2011.
Sa i përket shtetit të së drejtës, është vërejtur progres në përpjekjet për krijimin e sistemit të gjykatave administrative, ndërsa edhe Kuvendi ka miratuar disa ndryshime në Ligjin "Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë".
Në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria ka miratuar një masë të konsiderueshme të legjislacionit të nevojshëm dhe ka vendosur sisteme elektronike për regjistrimin e bizneseve dhe prokurimet.
Sa i përket policisë, tashmë me ligjin e vitit 2007 për Policinë e Shtetit, Polica ka më shumë autonomi nga klasa politike në çështje që kanë të bëjnë me marrjet në punë, ngritjet në detyrë dhe ato disiplinore.
Megjithatë, thënë të gjitha këto, mbetet ende shumë për të bërë.
• Duhet të shohim një zbatim të plotë dhe më të efektshëm të legjislacionit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
• Duhet të shohim një zhvillim të mëtejshëm të pushtetit gjyqësor si një institucion plotësisht i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike, si dhe forcimin e mëtejshëm të ndarjes kushtetuese të pushteteve.
• Së fundi, duhet të shohim një fushatë më të përqendruar dhe të fokusuar në luftën kundër korrupsionit duke respektuar shtetin e së drejtës, pasi nivelet aktuale mbeten të larta.
Unë e di se komuniteti ndërkombëtar, përmes selive përkatëse, është i gjithi i angazhuar t'i ndihmojë autoritetet vendore për kapërcimin e këtyre sfidave dhe të tjerave që ekzistojnë.
2010-ta ka për të qenë me siguri një tjetër vit i rëndësishëm për aspiratat e vazhdueshme të Shqipërisë për integrim.
Një parakusht kyç për sukses në vazhdim do të jetë rikthimi i një konsensusi me bazë të gjerë për çështje me interes kombëtar, i cili më parë ka ekzistuar.
Aktorët politikë duhet të shfaqin një vullnet dhe pjekuri më të madhe politike për të garantuar ekzistencën e kushteve për vazhdimin e procesit të reformave me ritmin që i shkon për shtat një vendi me aspirata të mirënjohura integruese.
Një vullnet i tillë dhe një pjekuri e tillë është demonstruar tashmë se mund të arrihen.
I takon tashmë qeverisë në radhë të parë të bëjë përpara e të sjellë gjithë aktorët së bashku.
Përveç kësaj, kjo do te thote edhe se opozita duhet te luaje nje rol konstruktiv
Së fundi, besoj se ishte i mirënjohuri i xhazit Luis Armstrong ai që, dikur, në një nga këngët e tij hit, tha: ”Duhen dy vetë për të vallëzuar tango” ('It takes tëo to tango').
Nga një burim i besueshëm kam mësuar se për të formuar një partneritet të qëndrueshëm vallëzimi, duhen 'tri hapa' bazë.
• Hapi i parë – Duhet të komunikosh sistematikisht me partnerin apo partneren, përndryshe rrezikon t'i shkelësh këmbën – prandaj, është koha për më shumë dialog!
• Hapi i dytë – Duhet t'ia vësh veshin me dashamirësi e ta ndihmosh tjetrin në pikat e tij apo të saj të dobëta – prandaj, është koha për kompromis!
• Hapi i tretë – Dy vetë nuk zgjasin shumë si çift vallëzimi, nëse nuk flasin me mirësjellje me njëri-tjetrin – prandaj është koha për një gjuhë më të butë!