Fabrizio Corona vjen si imazh në Shqipëri
Fabrizio Corona, i cilësuar si mbreti i paparacëve në historinë e gazetarisë italiane, pritet të mbërrijë në Tiranë më 27 mars, ndërsa do të jetë imazhi i dyqanit “Nuova vita”, që ndodhet në ambientet e qendrës tregtare “City Park”. Një nga personazhet më interesantë dhe më të përfolur së fundi, jo vetëm në mediat italiane, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë do të japë dhe konferencë për shtyp, dhe më pas do të jetë i ftuar në një rrëfim ekskluziv në kolltukun e programit “E diell”, në një intervistë për Adi Krastën. 34-vjeçari Corona, aktualisht administrator i një agjencie fotografike në Milano, ka marrë dënime të shpeshta nga drejtësia italiane për shkak të akuzave për marrje parash personazheve VIP, në shkëmbim të fotove skandalistike, që ai dispononte. Vendimi i fundit që u mor ndaj fotografit të VIP-ave ishte tre vjet e katër muaj burg, pasi u shpall fajtor pas një akuze për zhvatje parash të ngritur nga David Trezeguet. Ndërkohë fotografi simpatik është kthyer tashmë vetë një personazh që ndiqet nga paparacët, sidomos në lidhjet e tij me femrat. Kështu vetëm para pak ditësh ai është fotografuar në Miami, ndërsa shijonte pushime të nxehta me Belen Rodriguez, showgirl-in nga Argjentina, shumë e famshme në Itali. Ajo ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të xhiruar një spot, dhe duke përfituar nga disa orë pushimi ka kaluar disa çaste vërtet të nxehta, pikërisht me të dashurin e saj Fabrizio Corona.