Parkimi,ndëshkime të reja nga bashkiakët
Policia Bashkiake e Tiranës do të ndëshkojë deri me sekuestrim të automjetit, drejtuesit që parkojnë jashtë rregullave. Këto do të jenë masat e reja, që do të ndërmerren prej saj. Gjithçka e bëjnë me dije burime nga Bashkia. Sipas tyre, situata më problematike paraqitet në Bulevardin “Zogu i Parë” dhe në segmentet e Unazës apo tek “Rruga e Kavajës”. “Arsyeja e këtyre masave është në funksion të pastrimit të qytetit, që kryhet gjatë natës, por që nuk mund të realizohet sidomos në këto akse, për shkak të ngarkesës së madhe të parkimit të makinave”, thanë burime pranë Bashkisë. Sipas tyre, masat ndëshkuese do të variojnë nga gjoba monetare, deri në sekuestrim të makinës nga Policia Bashkiake. Por për kryeqytetasit, këto rregulla po shkaktojnë më shumë kaos në rrugë, pasi të gjesh sot një vendparkimi në Tiranë jo pak herë kthehet në stres më vete.