E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi për statusin e kandidatit në BE, pas zgjedhjeve

Nga Armand Maho

Shqipëria mund të aplikojë për të fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, vetëm pasi të ketë mbajtur më parë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mesazhi vjen nga Brukseli, ku ndodhet për vizitë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ky i fundit ka takuar Komisionerin për Zgjerimin, Oli Rehn, i cili, siç thotë zëdhënësja e tij, ka folur në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për të fituar statusin e kandidatit.

“Qeveria shqiptare ka bërë një zgjedhje të zgjuar që nuk nxitoi me kërkesën për aplikim për anëtarësim për në Bashkimin Evropian. Ne ftojmë qeverinë që të koordinojë këtë veprim me Presidencën, shtetet anëtare dhe me Komisionin. Nga ana tjetër, garantimi i përgatitjes dhe zhvillimit të duhur të zgjedhjeve parlamentare të 2009, sipas standardeve ndërkombëtare, përbën një kusht kyç për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, - ka deklaruar zëdhënësja e Komisionerit evropian për Zgjerimin, Kristina Nagi.

Qeveria shqiptare ishte treguar entuziaste në këtë drejtim, se do të plotësonte shumë shpejt formularin për aplikimin. Megjithatë, mes zyrtarëve ka patur shpesh deklarata kontradiktore në lidhje me datën se kur duhet të bëhet ky aplikim.

Në një analizë të institutit IFIMES, Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe për Lindjen e Mesme (IFIMES), me qendër në Ljubljanë, Slloveni, botuar në gazetën “TemA” dy javë më parë theksohet se vendi duhet të punojë për zgjedhje të lira dhe më vonë të kërkojë statusin e kandidatit. “Instituti Ndërkombëtar IFIMES përllogarit se do të ishte më realiste, nëse Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës suedeze. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë programuar të mbahen më 28 qershor 2009 dhe shumica e vendeve anëtare të BE duan të binden se ato do të zhvillohen në përputhje më të gjitha standardet përkatëse. Nëse zgjedhjet do të plotësojnë standardet e OSBE/ODIHR, kjo do e bënte më të lehtë për Shqipërinë që të realizonte një proces anëtarësimi. Megjithatë, nëse zgjedhjet do të jenë të pandershme dhe të manipuluara, kjo do komplikojë më tej problemet e brendshme në Shqipëri dhe do të pengojë rrugën e saj drejt integrimit në BE”, - thuhet në analizën e këtij instituti.

IFIMES ngre shqetësimin e manipulimeve zgjedhore.

“Analistët kanë theksuar mundësinë që Partia Demokratike të përgatisë një manipulim zgjedhor në procesin e pritshëm në Shqipëri. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2005, manipulimi zgjedhor ishte përgatitur nga Partia Socialiste, por u arrit të parandalohej”, - thekson IFIMES.

Gjatë takimit me Bashën, Oli Rehn ka përshëndetur gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e lustracionit, i cili ishte kundërshtuar me forcë nga Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›