E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keçi:Çështjen e buxhetit po e politizon Bashkia

 

Pas deklaratës së nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, se çështja e buxhetit është mbyllur reagon sërish prefekti i Tiranës Rruzhdi Keçi. Sipas tij, fondi për Tiranën në kushtet aktuale nuk mund të çelet dhe gjithçka po politizohet nga vetë Bashkia. “Në kundërshtim me atë që thotë, që shkresa ime dërguar Këshillit është e paprecedentë unë them që kjo letër që nënkryetari i Këshillit i bën prefektit, kjo është e paprecedentë”, tha Keçi. Ai sqaroi se ligji “Për prefektin”, në nenin 14 thotë se: “Kur prefekti konstaton shkelje të aktit me ligjet që i referohet, atëherë është e drejta e tij ta kthejë për rishqyrtim dhe organi që e ka marrë aktin, konkretisht këshilli bashkiak, duhet ta rishqyrtojë”. “Nëse prefekti konstaton se nuk janë marrë fare parasysh vërejtjet e tij, atëherë nuk ka të drejtë ta kthejë më, por i drejtohet gjykatës”, tha Keçi. Ai  theksoi gjithashtu, se anëtarë të caktuar në Këshillin Bashkiak po e politizojnë çështjen ndërkohë që ai vetë ka zbatuar çdo afat dhe të drejtë që i jep ligji. “Unë do të ndjek ligjin, por nuk e di çfarë do të bëjnë ata në mënyrë të kundërligjshme. Me sa shoh në prononcimet e mia edhe në media nuk besoj se ka sadopak nota politike. Unë shoh që zoti Simo apo të tjerë prodhojnë politikë. Ajo është detyra e tyre. Lista e këshilltarëve është me persona politikë”, tha Keçi. Prefekti shtoi se sipas procedurës, Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet edhe njëherë për ta rishqyrtuar sërish projektbuxhetin e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›