E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fahri Balliu: Librat e diktaturës, “beteja” për të vërtetën

27-12-2011 / Gazeta 55

Në një intervistë të posaçme për të përditshmen “Mapo”, shkrimtari Fahri Balliu, flet për nevojën e një radiografie të plotë të diktaturës, për ta çliruar lexuesin nga dara e mashtrimeve të pandërprera që shpërndahen me botimet e porositura të Nexhmije Hoxhës dhe kasnecëve të historiografisë komuniste. Zoti Balliu thotë se po punon për një libër shterrues, i cili do të nxjerrë në pah të vërtetën e Nexhmije Hoxhës, e cila “fle në Beograd”

E kaluara komuniste e shqiptarëve rikthehet herë pas herë në të tashmen edhe përmes librave. Por “beteja” për të vërtetat e asaj periudhë ka dy kahe luftë: ata që kanë qenë protagonistë të asaj periudhe dhe të tjerëve që misionin e jetës së tyre kanë zbardhjen e një prej periudhave më të errëta të shqiptarëve. “Arma” e të parëve janë kujtimet që rrëfehen në vetë të parë; e të dytëve mbeten dokumentet dhe dëshmitë. Në libraritë e shqiptarëve tashmë librat që bëjnë një radiografi të diktaturës, siç janë “Panteoni i Zi” dhe “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” të autorit Fahri Balliu, qëndrojnë si dëshmi të dokumentuara të asaj periudhe, ndërsa kujtimet e Nexhmije Hoxhës në librat si “Miqësi e Tradhtuar” apo libri më i fundit “Lufta jonë Çlirimtare” nuk janë gjë tjetër veçse rrëfime në vetë të parë të një personazhi që me rolin e saj ka qenë determinant në jetën fatkeqe të shqiptarëve. Por si e sheh shkrimtari Fahri Balliu “betejën” që bëhet përmes “armës”-libër për të zbardhur krimet e komunizmit? Në intervistën e tij për “Mapo”-n, Fahri Balliu flet jo vetëm për këtë, por dhe për shumëçka që ka të bëjë me formimin e tij si intelektual, shkrimtar, por dhe si një analist politik që misionin e tij ka zbardhjen e krimeve të komunizmit. Misioni i tij nuk pa përfunduar me ‘Panteonin e Zi’ dhe ‘Zonjën e zezë’. Prej kohësh ai ka nisur kërkimet nëpër arkivat e vendeve fqinje, por edhe të huaja, për librin e radhës që zbardh disa pjesë të historisë 50-vjeçare të shqiptarëve nën diktaturë.

Keni filluar radiografinë tuaj për periudhën e diktaturës me librin “Panteoni i Zi”. Jeni nisur nga ngjarje reale për të shkruar këtë libër?
“Panteoni i zi” është historia e një vajze të thjeshtë nga populli që martohet në Bllok. Ajo ishte shumë e lidhur me një djalë që jetonte jashtë Bllokut dhe kur hyn në bllok detyrohet të ndahet prej tij, pasi hyn në rrjetin e intrigave të Bllokut. Ndërsa djali përfundon në burg. Veçanërisht për femrat, ky libër është një libër tronditës. Ky është subjekti në vija të përgjithshme. Po në fakt kam, pasur një model kur e kam shkruar. Madje, kur doli libri në vitin 1993, Mihallaq Luarasi në një shkrim të tij në gazetën “Koha Jonë” shprehej se ky libër i kujtonte historinë e Liljana Hoxhës. Ndërkohë vetë Liljana shkroi një letër publike ku më kërkonte mua të prononcohesha nëse ishte ajo personazhi i librit tim. Unë u prononcova, sepse nuk ishte ajo personazhi im, pasi në të vërtetë personazhi im jeton në Korenë e Veriut. Libri është një tipizim. Por të gjitha vajzat që u martuan në Bllok përfunduan në drama të çuditshme, sepse oborret kanë pushtete okulte ku ato përfundojnë në një cikël përdhunimesh, lidhjesh nga më të zezat, nga më shekspirianet. Të gjitha konfliktet politike brenda Bllokut, të gjitha intrigat e pushtetit të paligjshëm të diktaturës dhe të dhunës interpretohen në një bjerrje shpirtërore, në një mungesë të moralit, të ndjenjave. Vetë historia e ‘Panteonit të Zi’ është ekstremisht dramatike dhe e kam menduar të tillë me synimin që një ditë mund të jetë edhe film. E kam menduar gjithmonë si film, sepse aty është vërtet dhimbja më e madhe që pëson njeriu në jetë.

Për këtë arsye e listoni ndër librat më të mirë që ju keni shkruar për atë periudhë?
“Panteoni i Zi” është një libër që unë kam dashur ta shkruaja që në atë kohë dhe nuk e shkruaja dot. Është një libër që e kam pasur në shënimet e mia në një bllok, por ta shkruaje të atë kohë ishte një çmenduri. Dhe me të ardhur demokracia unë kam qenë i pari që kam botuar një libër mbi diktaturën që më ’93.

Kur e keni menduar apo projektuar më mendjen tuaj për herë të parë këtë libër?
E kam menduar për herë të parë nga viti 1986 dhe është libri i parë dhe i vetmi që bën autopsinë shpirtërore, degradimin, mungesën e vlerave njerëzore, dhunën, anti-humanizmin e një regjimi. Historia e asaj vajze është një tragjedi. Ajo pëson transformim duke hyrë në ingranazhin e sistemit të egër diktatorial, shndërrohet në mall dhe humbet gjithçka që ka pasur, humbet bukurinë, humbet shpirtin, humbet dashurinë, aftësinë për të dashuruar, aftësinë për të ndjerë dhimbje. Pra, shndërrohet në një parafinë, plastelinë. Dhe, nëpërmjet fatit të kësaj vajze, kupton se cili ishte fati i këtij populli. Vetë diagrama e jetës së saj, nga një vajzë e thjeshtë e lirë brenda lirisë së asaj kohe, ajo mendonte se po hyn në një Panteon, por në të vërtetë ishte një panteon i zi, prandaj dhe titulli është Panteoni i Zi, por mund ta kishte edhe Panteoni i vdekjes. Po ju rrëfej një kuriozitet. Kopertinën e parë të këtij libri në vitin 1993 e ka bërë Safo Marko, që e urrente diktaturën, që kishte vuajtur prej saj përmes fatit të burrit. Ajo që mezi e kishte pritur këtë liri, kishte ende frikë të shkruante emrin e saj në kopertinë edhe pse ishte viti 1993.

A mund të themi se ky libër i ka paraprirë librit të dytë, që e merr tematikën nga ajo kohë, titulluar “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”?
Padyshim që po. Nuk mund të them se ishte e paramenduar, por erdhi vetvetiu. Aktiviteti im si gazetar dhe analist i politikës së shkuar dhe të sotme vetvetiu më çonte te radiografia e asaj kohe, një radiografi politike. Jeta ime si gazetar më bëri që ta njoh mekanizmin e atij sistemi dhe të kaloj nga naiviteti i moshës së re në njohjen e atij sistemi.

“Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” është një libër ku ju keni sjellë në optikën e lexuesit rolin e Nexhmijes , siç thoni ju, në jetën fatkeqe të shqiptarëve qysh nga dita që ajo iu fut politikës e deri më tani. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë Nexhmije Hoxha rrëfehet në vetë të parë për rolin e saj dhe të Enver Hoxhës në të ashtuquajturën “Lufta jonë çlirimtare”. Me pak fjalë, kemi një “Zonjë të zezë”, sipas jush; përballë “Zonjës së bardhë”, siç rrëfehet ajo për veten...
Ditën që Nexhmije Hoxha do të thotë qoftë edhe një gjë të vërtetë, përmbyset bota.

Ju e keni lexuar librin e saj?
E kam lexuar me fragmente, por ajo ka dhe libra të tjerë, ka shkrime, rrëfime, intervista etj., kështu që ajo nuk bën gjë tjetër veçse përsërit në mënyrë torturuese të njëjtat gënjeshtra. Ajo nuk ka asnjë mundësi të thotë të vërtetën, sepse, nëse e bën, ajo duhet të mohojë gjithë jetën e saj, duhet të hedhë dritë mbi një piramidë vrasjesh, krimesh dhe intrigash. Ajo flet sikur komunizmi vazhdon të jetë dhe bën sikur nuk sheh se komunizmi i saj dhe i burrit të saj ishte po ai komunizëm që ishte në Rusi, në Poloni, në Rumani. Ishte po ai komunizëm nga pikëpamja e formatit të sistemit, e teknikës dhe e përpunimit dhe mënyrës së jetesës së ekzistencës së njeriut dhe jetës në vend. Komunizmi i Enverit dhe Nexhmijes krahasimisht me këta është shumë herë më i egër dhe është paralel me Pol Pot-in për frymë popullsie të vrasjeve dhe për gjenocid ndaj njerëzve të njohur dhe të afërt. Ajo kujton se e beson njeri se Vladimir Shehu (djali i Mehmet Shehut) ka vrarë veten, se Petri Hazbiu (djali i Kadri Hazbiut) vrau veten. Janë sot dokumente pa data procesverbali të pushkatimit të Petrit Dumes etj. Po në kohën që familjarët e tyre internoheshin dhe zhyteshin në mjerim, ku ishte Nexhmija Hoxha? Këtu nuk është problemi i Nexhmijes, ajo ashtu do të vazhdojë të shkruajë. Këtu problemi është te shoqëria shqiptare, së cilës i mungon dhe i mungoi mekanizmi ligjor i hetimit, dëshmisë dhe i gjykimit të krimeve të komunizmit. Megjithatë, në një mënyrë ose në një tjetër, radiografia qoftë e Nexhmije Hoxhës, qoftë e atij sistemi do të bëhet. Dhe Nexhmija një gjë nuk di, që ky proces nuk mund të ndalet, nuk mund të mohohet, por do të thellohet.

Nuk e shihni si kundërvënie librin e saj karshi librit tuaj?
Po, sigurisht që po. Ajo është shprehur drejtpërsëdrejti për librin. Por unë nuk e shoh Nexhmije Hoxhën në libër si grua, nënë, gjyshe etj. Unë atë e shoh si Nexhmija e politikës, analizoj rolin që ajo ka luajtur për fatin e shumë njerëzve.

Mund të japim disa shembuj ku ju pretendoni se ajo gënjen?
Pushkatimi i Ramize Gjerbresë. Roli i saj në pushkatimin e Ramizesë ishte determinant. Faktorët janë se vetëm ajo mund të kishte marrëdhënie të tilla me Dushan Mugoshën që mund të luante rol në këtë çështje. Histori të tjera ka shumë. Letra që i bëri Liri Belishova ish-shoqes së saj Nexhmije Hoxha kur po i vdiste vajza. A ka shembull më kriminal në botë, kur Nexhmija nuk i dha leje të shohë vajzën për herë të fundit. Por nga një anë bën shumë mirë që ka guxim t’i shkruajë këto trillime, se tregon thellësinë e tmerrit që ka nga zbulimi i të vërtetës së saj dhe të Enver Hoxhës. Nga ky terror ata ndaluan të botoheshin edhe librat me kujtime të Myslym Pezës dhe Haxhi Lleshit. Përpjekja e saj për të fshehur krimet përmes këtyre botimeve është donkishoteske. Ajo është vetë një nga falsifikueset më të tmerrshme të dokumentit arkivor dhe ka dhënë prova për këtë. Është kujdesur në një mënyrë shumë të përqendruar ta sundojë arkivin, por nuk ka mundur te të gjitha.

Por ndërkohë, ajo shkruan për luftën e saj çlirimtare...
Kanë marrë Luftën Nacionalçlirimtare dhe fshihen pas saj. Me Luftën Nacionalçlirimtare, të ashtuquajtur antifashiste, ata duan të fshihen, sepse kjo luftë është një pikëpyetje shumë e madhe edhe për vetë komunistët. Ata kanë vrarë të gjithë ata që ishin komandantë dhe komisarë të kësaj lufte. Cili ishte fati i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Mehmet Shehut, të gjithë kuadro të rëndësishme të Luftës. Janë vrarë të gjithë nga brenda. Ajo fryn Luftën Nacionalçlirimtare si luftë që e ka bërë ajo me burrin e saj, tani që asnjë prej atyre që kanë qenë në luftë nuk jetojnë më. Dhe meqë kjo luftë ka qenë antifashiste dhe kishte aleancën Amerikë-Angli, duan ta nxjerrin veten në anën e aleatëve. Por ajo s’ka turp kur flet për koalicionin antifashist, kur njerëzit më të afërt kishin Dushan Mugoshën, Miladin Popoviçin, dy qenie të rëndomta që përcaktuan fatin e zi të shqiptarëve. Apo i harron Nexhmija letrat e dashurisë që ajo i shkruante Dushanit, të bëra publike nga biografi i Titos. Të bëj një pyetje unë. Cilën ka gjallë Nexhmije Hoxha nga shoqet e Luftës. Ajo nuk duronte flokët e Shenjaze Jukës, që ka qenë një yll; ashtu siç ishte Ramize Gjerbrea, ashtu siç ishte Margarita Tutulani, sepse edhe kjo është spiunuar nga shoku i saj Ramiz Alia. Për herë të parë me librin “Zonja e zezë” u vunë në pikëpyetje gjëra që ishin marrë në konsideratë në variantin që kishte folur Nexhmija. Aty njerëzit fillojnë të shohin të vërtetën si është dhe ta kërkojnë edhe te vetja e tyre. Një pjese të madhe prej të pushkatuarve nuk ua thoshin arsyen e vërtetë të pushkatimit. Cila ishte arsyeja e vërtetë e vrasjes së zonjës Sabiha Kasimati?

Cila ishte?
Ajo kishte pasur shok klase Enverin dhe e tallte. Ajo ishte yll e bukur, inteligjente dhe Enveri ndihej inferior ndaj saj. Dhe në momentin që mori pushtetin u hakmor. Sa ka ekzistuar ajo luftë nuk ka lidhje me filmat që prodhonte Kinostudio ‘Shqipëria e re’. Në realitet ajo luftë nuk ekziston. Po aq gënjeshtër e madhe është dhe rrëfimi që bën ajo për zgjedhjen e Enver Hoxhës në krye të Partisë Komuniste. Unë në një kohë shumë të shpejtë do të botoj gjëra shumë interesante, shumë të veçanta dhe të dokumentuara për zgjedhjen e Enver Hoxhës në krye të Partisë Komuniste dhe për shumë të vërteta të asaj lufte. Për lidhjen e tij me Nexhmije Hoxhën, si e mori pushtetin e shumë ngjarje të tjera.

Po mendoni të bëni një biografi për Enver Hoxhën?
Jo një biografi. Mendoj se më tepër është një zhvillim i librave të mi rreth diktaturës. Do të jetë një vazhdimësi për të nxjerrë në dritë të vërtetat e asaj periudhe. Unë jam duke e studiuar këtë temë, jam duke punuar me seriozitet, në rrugë institucionale dhe në zotërim të dokumenteve arkivore të vendeve fqinje. E vërteta e Nexhmijes është në Beograd. Aktualisht jam në fazë kërkimesh dhe mendoj se do të jetë një punë shumë e gjatë, që kërkon kohë. Ky do të jetë dhe libri më i rëndësishëm, që është në vazhdim të punës sime në këto 20 vjet, ndaj zbardhjes së të vërtetës të asaj kohe.

Dhe ku janë përqendruar kërkimet tuaja?
Në arkivat e vendeve fqinje dhe ato të huaja. Unë mendoj se sa më shumë të demaskohet diktatura, aq më e pakët është mundësia e përsëritjes. Nëse një popull harron, e ka të përsëritur tragjedinë sa herë harron.

Shkrimtari

I pari ishte tregimtari - Nëse e para ishte fjala, te shkrimtari Fahri Balliu i pari ishte tregimi. Në historinë e letërsisë shqipe nuk ekziston një shembull që një maturant të botojë një libër në prozë. Pjesa më e madhe e atyre që më vonë do të bëheshin shkrimtarë, qofshin të mëdhenj, qofshin të vegjël, e kanë nisur me poezi. Fahri Balliu, kur është ulur të shkruajë dhe të botohet për herë të parë kur ishte ende maturant, guxoi në prozë, me vëllimin me tregime “Rrugë të çelura”. “Librin, po ta lexosh edhe sot, të duket sikur e ke shkruar mbrëmë” - thotë shkrimtari Fahri Balliu. Por nganjëherë fati është më i madh se talenti. Djaloshi që jetonte në Elbasan nuk kishte asnjë njohje me elitën e kryeqytetit. Rastësia e solli që Dhimitër Xhuvani kishte një të afërme komshie me maturantin Fahri Balliu dhe një ditë ai guxoi t’i jepte tregimin e tij “Ora e florinjtë” për ta lexuar. Ishte Dhimitër Xhuvani që në fillim çoi për botim pikërisht këtë tregim që do t’i hapte rrugën botimit të librit të parë me tregime, titulluar “Rrugë të çelura”. “Kur doli libri, unë kisha talent për prozën, por unë nuk kuptoja nga sociabiliteti që shkaktonte libri, nuk arrija ta kuptoja se çfarë ndodhte rreth librit deri në momentin që Dhimitër Shuteriqi shkroi një artikull titulluar: “Një tregimtar i ri po na vjen”, ku ai vendoste në një radhë Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin dhe jepte idenë se pas tyre po vinte një tregimtar i ri që, duke qenë nga Mokra, kishte një substrakt shpirtëror, sintaksë gjuhësore, figuracion të pasur. Pas kësaj shkrova librin tjetër me novela, të titulluar “Dita e nesërme”, që u prit dhe ky shumë mirë.
E dyta ishte drama - Pak kush mund ta ketë veçuar në këto 20 vjet Fahri Balliun si dramaturg. E në fakt ai është dhe dramaturg dhe një dramaturg i suksesshëm në syrin e publikut. Dramën e parë e shkroi kur studionte në Universitetin e Tiranës. Ajo titullohej “Në prag të jetës” dhe jepte atmosferën e jetës studentore. Drama pati një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm mes studentëve, por edhe në skenat e teatrove të ndryshme të vendit. Por dramaturgu Fahri Balliu dëshiron të ndalet pikërisht te drama e tij për Kosovën. Temën ia sugjeroi një profesor mjekësie, që më pas do të bëhej miku i tij, që mbetet i tillë edhe sot. Ai ishte Sali Berisha, i pari njeri nga i cili ai dëgjoi për Dostojevskin dhe Kamynë. Pas takimit me profesorin e mjekësisë, ai shkroi dramën për Kosovën. “Ajo dramë ka një episod shumë të bukur. Drama pati një sukses të madh, si në Toropojë, ku dera prej xhami e Pallatit të Kulturës u hodh poshtë nga turma e publikut; në Shkodër, Vlorë, Elbasan e qytete të tjera. U vu edhe në Tiranë nga regjisori Gëzim Kame dhe ishte e pamundur që të gjeje një njeri në sallë që mos qante. Ajo dramë ka fjali, metafora dhe figura letrare të pashoqe. “Po më kalbet qerpiku nga loti i kripur, pushka e komitit nxënë dhe qiell. Ç’është ky mort me duar kaq të gjata.”- thuhet në një episod të saj. Por ndodhi që kjo dramë të vihet edhe në Kerçovë të Maqedonisë nga një trupë amatore. Salla ishte mbushur plot. Në një moment në dramë ka një episod ku një komik vret një serb dhe salla shpërthen në duartrokitje në mënyrë të jashtëzakonshme. Aktorët ndalojnë lojën në respekt të duartrokitjeve, por publiku nuk pushoi për gati 15 minuta. Kadri Roshi, që ishte dhe aktor, i drejtohet publikut: “Do uleni që ta mbyllim shfaqjen apo jo”. Nga salla ngrihet një burrë i vjetër, me një plis të bardhë dhe i drejtohet Kadriut: “Zotëria juj, ne dum që ta vrisni edhe një herë at serbin”. Dhe shfaqja kthehet dhe një herë. Kjo dramë është një nga veprat që të merr malli ta shohësh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›