E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Presidenti i ri do të zgjidhet nga kandidatët e mazhorancës

26-12-2011 / Gazeta 55

Në një intervistë të posaçme për RTV “Ora News”, kryeministri Berisha bëri bilancin e zhvillimeve të fundit në politikë dhe ekonomi, marrëdhëniet me institucionet si dhe perspektivën e afërt të marrjes së statusit të kandidatit për në BE


Deklaratat e forta të intervistës së mbrëmshme


-- “Bamir Topi e shndërroi Presidencën në një institucion të partiçkës”


-- “E paprecedentë sulmi i presidentit kundër censusit dhe minoriteteve”


--  “Listat zgjedhore do jenë të mbyllura, dyshime edhe për mundësinë e votimit elektronik”


-- “Ekonomia e Shqipërisë, e shëndetshme, të ardhurat për frymë janë 9 000 dollarë”


Në një rrëfim ekskluziv për gazetarin Patrik Sadikaj, në RTV “Ora News”, kryeministri Sali Berisha analizoi zhvillimet kryesore të vitit që po lëmë pas, duke e konsideruar vitin 2011, si vitin e rivendosjes së plotë të dinjitetit të shqiptarëve, i cili u kurorëzua me lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”, vendimi më i rëndësishëm i kancelarive perëndimore, për popullin shqiptar. “Dinjiteti njerëzor është thelbi, esenca dhe kuintesenca e lirive të njeriut, në këtë kontekst një nga liritë bazë, më themelore të njeriut është liria e lëvizjes. Shqiptarët lëvizën të lirë në të gjithë zonën e ‘Schengen’ dhe mendoj se ky vit ka qenë viti kur shqiptarët janë ndjerë më të lirë në historinë e tyre”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke u ndalur posaçërisht në një retrospektivë politike gjatë një viti, lideri i mazhorancës komentoi bojkotin 2 vjeçar të opozitës, polemikat me titullarin e Presidencës, Bamir Topi, protestat dhe grevat e urisë së opozitës së Edi Ramës, reformat dhe integrimin e vendit në BE. Kryeministri Berisha komentoi deklaratën e Bamir Topit, dhënë dy ditë më parë në pritjen e fund vitit për gazetarët se s’do rikandidojë për një mandat të dytë. Sipas Berishës, Topi shpalli distancimin e tij kur mësoi se mazhoranca ka vendosur të mos e kandidojë. Kryeministri tha se gjatë mandatit të tij në krye të Presidencës, Bamir Topi e përdori këtë institucion të funksion të partiçkës, ndërsa ka ndërmarrë një seri aktesh, kryekëput kundër Partisë Demokratike dhe mazhorancës që qeveris vendin me votat e shqiptarëve. “Kjo deklaratë vjen pas dy javësh, kur unë i bëra të qartë shqiptarëve se ai s’do jetë më kandidat i kësaj shumice. Do ishte më e ndershme që kjo deklaratë të vinte 3 javë më parë. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Nuk bëhet fjalë që ai mund të ishte kandidat i mazhorancës. Bamir Topi, gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një seri aktesh, do të thosha, të papajtueshme, kryekëput me programin e PD. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj dhe faktikisht po dekonstitucionalizon institucionin e Presidencës duke e shndërruar atë në institucionin e një partiçke, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit. Refuzimi që i bëri ligjit të lustracionit, ky i djathtë që kullonte majtas, qëndrimi i tij, implikimi i tij në ngjarjet e 21 janarit dhe një seri qëndrimesh të tjera, në mënyrë absolute pa asnjë bazë, sepse kjo parti dhe kjo shumicë, ka dëshmuar ndaj vetëm besim dhe mbi-besim. Ka një moment në qëndrimin e njeriut. Ajo që quhet ‘njerëzi’, ka një thelb dhe thelbi është mirënjohja. Unë nuk ndërtoj asgjë mbi bazë raportesh personale, por ndaj atyre të cilët të morën dhe të vendosën me besim të plotë në karrigen më të lartë të shtetit, tregove se kishe zero njerëzi. Në këtë kontekst mendoj që, le ta lëmë dhe këta muaj që i kanë mbetur, pavarësisht se e ka shndërruar në selinë e një partize, ka përcaktuar dhe nënkryetarët dhe shfrytëzon duke dëmtuar thellë funksionet e kryetarit të shtetit që në Shqipëri janë ceremoniale, por ceremonialet janë të nderit të kombit. Ka funksionin për të nderuar në emër të kombit, një funksion shumë i rëndësishëm. Por nuk janë vetëm ceremoniale, de facto dhe de jure, KLD është qeveria e drejtësisë, është ekzekutivi që kontrollon, transferon, emëron, shkarkon të gjitha këto. Një pushtet që duhet të jetë tërësisht i pavarur dhe që përjeton sot ditët më të vështira të ekzistencës sepse sundohet nga një pari e vogël që s’është as 1 për qind, që e provoi veten në regjistrim (kundërshtimi i Censusit nga Topi dhe Spahiu). Këtu ka një problem. Pse këta zotërinj nuk japin dorëheqjen, por bëjnë atë që bëjnë në institucionin e Presidencës dhe KLD-së. Ky është problemi. Pasi njeriu i qytetëruar që ka në thelb përgjegjësitë ndaj ligjit, që nga kreu i KLD-së, i pushtetit më të rëndësishëm të vendit sepse është pushteti me të cilën lidhen më shumë se më çdo gjë tjetër, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, kthehet në partiçkë të vogël të sharlatanëve, të cilët morën përgjigjen më shembullore në Censusin e këtij vendit. Por kjo është një periudhë e shkurtër, pasi institucionet do vendosen plotësisht në kushtet e kushtetutshmërisë së plotë. Po gjithë propaganda kundër Censusit? Nënkryetari i presidentit i ra Shqipërisë kryq e tërthorë me slogane primitive, mjerisht të drejtuar kundër pakicave. Presidenti heshti si fija e barit, ai s’e ka shqiptuar deri më sot fjalën Census, pasi zëdhënësi i tij e quante Censusin si një akt të serbëve dhe grekëve. Ky ishte Censusi më i lirë në historinë e vendit, u realizua me teknologjinë më moderne dhe shpreh një realitet të ri për shqiptarët. Sipas këtij Censusi, janë 330 mijë familje shqiptare që kanë më shumë se 1 banesë. Pra, sipas këtij Censusi në Shqipëri është krijuar klasa e mesme, e cila në vitin 2001 ishte fillestare dhe është shumëfishuar gjatë 10 viteve, mbi 6 herë. A është kjo një arritje? Po, është një arritje e jashtëzakonshme. Ky sistem që ne ndërtojmë, që bazohet tërësisht në klasën e mesme, ky sistem lufton varfërinë. Këta njerëz po ndërtojnë të ardhmen. Ky është një Census një herë në 10 vjet, por se si mund të ngrihesh kundër, këtë e di Bamir Topi dhe zëdhënësit e tij”, deklaroi Berisha. Kryeministri theksoi se titullarët e drejtësisë, Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, e kanë çuar këtë sistem në degradim të plotë. Sipas kreut të qeverisë, Kryetari i KLD-së dhe nënkryetari i këtij institucioni, kanë përgjegjësi të plota për situatën aktuale që po kalon Drejtësia. Ai solli në vëmendje raportet e ndërkombëtarëve që flasin për një sistem të kapur nga korrupsioni dhe emërimet jo transparente të gjyqtarëve. “Përgjegjësitë për situatën aktuale të drejtësisë në këtë sistem, janë të qeverisë së drejtësisë, të KLD-së dhe mendoj se ky institucion, sipas dokumenteve të pakontestueshme ndërkombëtare, ka përgjegjësi të madhe për situatën aktuale të drejtësisë. Por sërish nuk ka vend për dëshpërim. Kushtetua është një ligj i shkëlqyer i vendit. Individë të caktuar abuzuan me të. Në muajt e fundit të mandatit le të vazhdojnë, ndonëse dua të them këtu se rasti është i paprecedentë. Çdo qëllim armiqësor ndaj mazhorancës, të nxjerr jashtë Kushtetutës, pasi mazhoranca është formacioni që ka marrë besimin për të qeverisur vendit. Përpjekjet për t’i futur thika dhe pyka, janë antiligjore dhe antikushtetuese”, tha ai. Për sa i takon pretendimeve të ngritura nga Bamir Topi, i cili e cilësoi konsensusin mazhorancë - opozitë me ndryshimet Kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008, si atentat ndaj Kushtetutës, kryeministri Berisha tha se dy partitë e mëdha vendosën për interesin e vendit, duke zgjidhur një ngërç që çonte në destabilitet politik dhe nxiste konfliktin politik për zgjedhje të parakohshme. “Ndryshimet kushtetuese janë ndryshime që kërkojnë 2/3 e parlamentit dhe këto u bënë me një konsensus të plotë të dy partive të mëdha. Nëse  Bamir Topi nuk e gjente veten në këtë konsensus, ai kishte një të drejtë të bënte përpjekje për një referendum, për ta bllokuar këtë proces, por në rrafshin personal, në rast se flasim, nëse flet mashoranca kushtuese, as kryeministri, as presidenti, as kryetari i parlamenti dhe askush tjetër nuk mund të ketë zë të veçantë, i mbetet të mbështesë vullnetin e mazhorancës kushtetuese, të 2/3, e cila ka sovranitetin e zgjedhjeve parlamentare. Nuk është kushtetua as kujtime as shkrime gazetash, kushtetua është themeli i vendit. Partitë e mëdha vendosën një ndryshim, për interesin më të madh të vendit”, tha më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›