A e di Presidenti Bamir Topi pse iu refuzua kryebashkiakut të Kavajës mbajtja e armës?
Dje, presidenti akoma në detyrë, ka shkuar në zyrën e kryebashkiakut të Kavajës dhe ka rinovuar aleancën e vet politike, por ai duhet të përgjigjet pse e mori rrugën për Kavajë, kur e dinte, për shkak të funksionit që mban, se Elvis Roshit i është mohuar mbajtja e armës, si kryetar bashkie, për shkak se është certifikuar si i pabesueshëm, për shkak të së kaluarës së tij të dyshimtë
Elvis Roshi është ndoshta kryetari i një njësie vendore “më i nderuari” se gjithë të tjerët. Të gëzuarit e këtij “statusi” vjen, jo aq nga “gjurmët” e mundshme që ai (nuk)ka lënë si kryebashkiak i Kavajës, se sa nga fakti, se në mandatin e tij të parë, ai vizitohet nga dy politikanë sekondarë të politikës shqiptare, kryesocialisti Edi Rama dhe Presidenti Bamir Topi.
Sigurisht edhe Dhimo Kote, kryetari i komunës së Xarrës në Sarandë, shtë vizituar nga Edi Rama e Bamir Topi, por atij ju desh shumë e shumë punë, si edhe disa mandate, që të “meritonte” vëmendjen “në mënyrë të pavarur”, të dyshes Rama-Topi...
Ndërsa Elvis Roshi nuk ka bërë asgjë që të ngrihet në nivelin e Dhimo Kotes dhe vetëm në gjashtë muajt e parë arriti të çojë në Kavajë dy politikanë, që ndoshta nuk kishin për të shkelur ndonjë herë në këtë qytet.
Sigurisht, arsyet janë të mëdha, arsye për të cilat ai mundi të “mikpriste”, Edi Ramën dhe Bamir Topin.
Për sa i përket udhëtimit të Edi Ramës në Kavajë, të gjithë e mbajnë mend, se ai ishte “i furishëm” dhe se pati si “arsye madhore”, mosngelja shtatzëne e Griseildës, ish-bashkëshortes së Elvis Roshit, por që nami për shtatzëne i shkoi deri në Bruksel, falë Erion Veliajt, i cili nëpërmjet “via e-mail” terrorizoi eurodeputetët me thagmën e tij, për Griselidën, sipas të cilit u rrëmbye, ju hoq foshnja nga barku dhe u flak në një pellg gjaku..., kur ajo vetë (Griseilda) besonte deri në atë moment se “fëmijët i sjell lejleku në jetë”, apo “dalin nga sqetulla”..., ndërsa Erioni i nxori namin si shtatzëne...
Edhe kur pa...
Me shumë gjasa, kur ajo mund edhe të ishte e virgjër...
Dhe sikurse i thonë asaj fjale sipas së cilës “kush shkon pas brumbullit, përfundon në bajga”, edhe Edi Rama këtë bëri, kur rendi pas Erion Veliajt dhe e mbajti frymën në Kavajë, te shtëpia e Elvis Roshit, duke i qarë hallin atij për “mbetjen në tentativë”, të shtatzënisë së ish-bashkëshortes së tij.
E gjithë kjo tragji-komedi, nuk e pengoi Presidentin Bamir Topin, që edhe ky dje të udhëtonte drejt Kavajës, dhe të njihej me të rejat e mundshme më të fundit, të (mos)shtatzënisë së ish-bashkëshortes së Elvis Roshit. Në kushtet kur burri i Shegushe Ligorit, me cilësinë dhe “barrën” e rëndë të prokurorit që duhet të zbardhet mosshtatzaninë e virgjëreshës së mosrrëmbyer, ka humbur në errësirën që krijoi Erion Veliaj, Bamir Topi, tentoi dje dhe ia arriti, “ta prekte” nga afër atë ngjarje karagjozësh... Kjo sigurisht që është një arsye madhore, por ajo më kryesorja, për të cilën Bamir Topi udhëtoi drejt Kavajës, ishte thjesht dhe vetëm KOT..., ose..., ose..., si puna e atij “që kur s’ka punë tund derën”. Kjo, në vazhdën edhe “hoby”-t që Presidenti Bamir Topi ka zbuluar së fundi te vetja, për të vizituar drejtues socialistë të njësive vendore..., për sa kohë, kur drejtuesit demokratë nuk e presin.
Por..., në tentativën e tij më të fundit të tipit “për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhiun”, Bamir Topi ka bërë dje demonstrimin e gafës së radhës, kur ka vizituar dhe është takuar me kryabashkiakun e Kavajës..., që edhe pa rastin e pazbardhur nga burri i Shegushes, së arsyes së inskenimit të rrëmbimit të virgjëreshës joshtazane, ka qenë dhe është problematik për strukturat e shtetit.
Kjo problemaitkë shkon deri atje, sa Elvis Roshi nuk pajiset as me armë zjarri, pistoletë, sikurse, homologët e tij.
Është fakt, se menjëherë sapo iu certifikua mandati, kryebashkiaku i Kavajës, socialisti Elvis Roshi bëri kërkesë për pajisjen me armë zjarri (pistoletë) ashtu si rëndom bëjnë edhe disa kryebashkiakë të tjerë që e kanë pasion mbajtjen e tyre. Por kërkesa s’ishte e rëndomtë, pasi edhe subjekti s’ishte i rëndomtë.
Nga ana e strukturave përkatëse kjo kërkesë u refuzua, sepse kartela e Elvis Roshit s’është e pastër dhe si e tillë, Policia e Shtetit s’ka mundur t’ia përmbushë. Ngjarja e Griseildës, në vigjilje të marrjes së mandatit të kryebashkiakut të Kavajës prej tij, “i vuri kapakun”
Me sa duket Bamir Topi, i cili si kryetar shteti, pikërisht duhet të bëjë dallimin dhe të ndajë këto vija delikate mes njerëzve të cerfitikuar si të besueshëm e të sigurt dhe atyre që janë aty ku janë për shkak të mbështetjes së pandershme. Por, si gjithmonë, Bamir Topi s’është asnjëherë në lartësinë e detyrës, ose ne të shpresojmë të ushtrojë detyrën kushtetuese, kur ai s’ka dashur të ushtrojë asnjëherë detyrimin kushtetues...
Shënim/ Bamir Topi jashtë rregullave të Kushtetutës/E deklaron veten si lojtar mesfushe, kur nuk resht së dëshiruari sulmin. Kjo sjellje e Presidentit të Republikës i shkon për shtat fabulës së famshme “Dhelpra dhe rrushtë”. Kjo sepse Topi nuk ka asnjë hapësirë në fushë për të luajtur sulmuesin, ndërsa nuk ia ka dalë të luajë as rolin e arbitrit mes palëve, atë që Kushtetuta ia kërkon. Veçanërisht këtë fund vit, Topi është shfaqur konfuz në deklaratat e tij. Në pritjen e fund vitit deklaroi se nuk do të jetë President vitin e ardhshëm, sepse mbështet rotacionet e natyrshme. Por nga ana tjetër, në rrethanat kur asnjë nga forcat politike nuk ka shans ta kandidojnë, Topi ka filluar të sfidojë jashtë fushës dhe rregullave kushtetuese të lojës, kur flet për zgjedhjen e Presidentit nga populli. “Presidenca nuk është një apendiks politik. Pavarësisht nga sa thuhet unë jam e do të jem në detyrën time kushtetuese deri në minutën e fundit. Presidenti ushtron detyrën e tij dhe nuk jam aspak pjesë e ndonjë partie. Ju mos merrni e perifrazoni vullnetet e të tjerëve, ata që kanë frikë për të ardhmen është e tyre, nuk kam faj unë nëse kthehem në obsesion të të tjerëve. S’ka nevojë ta thotë askush pasi vetë e kam thënë që nuk do të kandidojë më. Nëse në rast se zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese do të bënin këto ndryshime, që zor se do të ndodhin, pasi politikanët i druhen verdiktit popullor, unë do jem në garë”, tha ai.
Kjo do të thotë që Topi e mbështet atë që e quan rotacion të natyrshëm të mandateve presidenciale kur kuadri ligjor nuk i lë asnjë mundësi tjetër. Përkundrazi nëse gara për kreun e shtetit do të bëhej në popull, Topi do ta dëshironte edhe një mandat të dytë dhe prirja për rotacionin nuk qëndron.
Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës kanë folur për garën e ardhshme presidenciale, dhe zoti Topi nuk është pjesë e parashikimeve te tyre. Rama ka kërkuar nisjen e një procesi dialogu për President konsesual, ndërsa kryeministri Berisha ka deklaruar se kreu i ardhshëm i shtetit do të jetë një nga drejtuesit e selisë blu.