E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergj Antoniu, “Një jetë me violonçel”

22/12/2010  Në promovimet e librave shtëpitë botuese, kur duan të realizojnë diçka speciale i referohen shpesh instrumentistëve, duke i bërë promovimet interesante nën tingujt e muzikës klasike. Tingujt e violonçelit dhe pianos erdhën magjishëm në sallën e pedagogëve të Akademisë së Arteve të tejmbushur nga artistë, muzikantë, personalitete të shkollës, artit e kulturës, studentë, në praninë e medies, kamerave e duartrokitjeve plot dashuri, për të nderuar një legjendë apo një princ siç u tha shprehimisht, një artist special e elitar, një personalitet, pa mundur të përmendim thëniet e të gjithëve. Interpretoi profesor Gjergj Antoniu, protagonist i kësaj pasditeje, violonçelist me 35 vjet karrierë koncertale, që solli në skenën shqiptare 125 vepra, prej të cilave një numër jo i vogël premierë, me një kontribut shumë të madh në interpretimin e gjithë veprave muzikore shqiptare duke bashkëpunuar me kompozitorët tanë. Është ky personazhi i librit, më saktë studimit monografik “Një jetë me violonçel” të prof. ass. dr. Iliriana Dema. Gjithë ky aktivitet ish ngarkuar me emocion, profesionalizëm e respekt, që filloi me analizën e imtë të librit në fjalën e prof. Zana Shuteriqi Prela, tek vetë autorja Iliriana Dema, të ftuarit, e deri në mrekullinë, që dukej se bënte mbylljen tek tingujt si gjithmonë të ngrohtë të violonçelit, interpretimit mbresëlënës të duos Gjergj Antoniu- Nora Çashku. Tingujt e violonçelit, tingujt e duos erdhën speciale në një pjesë të parë të kompozitorit Popper “Në kujtim të prindërve të mi”, si një dedikim i gjallë, i ndjerë, për artistët Kristaq Antoniu e Androniqi Zengo, pionierë të artit shqiptar, ata që i dhanë kulturën, përkrahjen, kultivuan pasionin e tij për violonçelin. Dhe të pranishmit kuptuan mes tingujve se kish shumë mjeshtëri në gjithë kuptimet në atë interpretim. Ishte i njëjti pasion, talent që Kristaq Antoniu, tenori e aktori shpaloste, atë pasion që Androniqi Zengo piktorja e parë shqiptare kultivonte në kohë të shkuara e të largëta, aq sa kur kisha përmendur shumë vite më parë interpretimin e tij të Dubël koncertit të Brahmsit me violinistin Pandush Gjezi, ajo që kisha dëgjuar në shtëpi ish se profesori trashëgonte nga prindërit talentin e tij. Koncerti në këtë promovim ish si një recital, paralel me librin, për të treguar vërtetësinë e këtij promovimi, duke shpalosur katër pjesë të ndryshme nga e para ku ndjenja dhe tingulli i ngrohtë u tha të pranishëmve se ky është Gjergj Antoniu, muzikanti elitar, mjeshtri i tingullit, timbrit dhe ndjenjës, për të treguar më pas një tjetër pjesë, Siciliane nga Marie fon Paradis, për të shkuar tek një serenatë spanjolle e Krejslerit, transkriptim nga violina, për të mbyllur me një tjetër vepër nga Shcedrin “Në Stilin e Albenisit”, interpretuar me pasion, potencë e madhështi nga dy instrumentistët . Është i njëjti violonçelist me të njëjtin intensitet, ngjyrues i melodive, me të njëjtin pasion e përkushtim, mjeshtëri e teknikë, brilancë e muzikalitet që solli në këtë interpretim të njëjtën lojë të dhjetëra koncerteve, premiera të kompozitorëve shqiptarë e të huaj. Ky interpretim ish përmbledhja e dhjetëra koncerteve ndër vite, për të sjellë dal vivo atë çka libri si një dokumentar me realizëm e pasqyron me detaje, kronologjikisht, duke e vendosur personazhin midis artistëve në bashkëpunime, duke realizuar nëpërmjet dokumentimit tablonë e një jete ku violonçeli këndon intensivisht, pa u ndalur, duke zbuluar literaturën e re, të panjohur dhe duke i dhënë jetë tingujve shqiptarë, duke transkriptuar pjesë për violonçelin. Tingujt të bindin me ngrohtësinë e tyre për një libër shumë të mirë dhe anasjelltas libri është shkruar për një mjeshtër shqiptar të violonçelit, i cili ka lënë gjurmë në historinë tonë të interpretimit dhe pedagogjisë. E të tillë personalitete si Antoniu meritojnë të nderohen, vrojtohen e studiohen gjatë. Libri “Një jetë me violonçelin” ka një titull sinjifikativ, e veç tij anasjelltas, autorja ka një jetë me muzikën e instrumentistët, i është dashur të hulumtojë gjatë, për të bërë për analogji atë që violonçelisti bën në muzikë, atë që Antoniu bën në violonçel, një analizë profesionale, ndërthurjen e lojës plot pasion me racionalen, që e gjitha e dallon instrumentistin si një profesionist ku talenti, ndjenja dhe racionalja shkrihen në stilin, veprat e kompozitorëve. Imtësia, të depërtosh imtësisht, të ngjyrosësh tingujt me një gamë të gjallë ngjyrash, aty ku trashëgimia e pikturës nga e ëma dhe temperamenti nga të kënduarit e aktrimi i të atit u shkrinë me profesionalizëm në interpretimin muzikor, me një përkushtim, pasion, këmbëngulje e devotshmëri në një jetë përkrah me violonçelin. Jeta e Antoniut është pasqyruar imtësisht, deri në detaje, në një punë të lodhshme nga autorja, një punë të cilën e imponon legjenda e jetës muzikore shqiptare, një punë e vështirë në morinë e veprave, interpretimeve, të cilat janë përmbledhur dhe pasqyruar dhe nëpërmjet shumë personazheve artistike, duke e vendosur personazhin në tablonë e kohës, mes veprave e miqve, midis kujtimeve, po dhe në shtypin e kohës duke hulumtuar në artikuj të shumtë, data, gazeta, revista çka e bën jetësore, të vërtetë të gjithën. Nëpërmjet personazhit vjen tabloja muzikore e kohës me kufizimet e saj, që është pjesë e artit shqiptar. Antoniu vjen mes jetës dhe violonçelit si një instrumentist i shkëlqyer, talent i spikatur dhe një njeri i brumosur me parime e vërtetësi. Është e vështirë të shkruash për lojën e tij në një dimension të gjerë, pasi në një koncert të vetëm ajo të lë shumë për të shkruar, një jetë e tërë është akoma më e ngjeshur. Është vështirë të flasësh dhe për librin, pasi ai është si një dokumentar, ku janë shkrirë dhjetëra kuadro, xhirime në një montazh të lodhshëm për të dhënë më të mirën, më të saktën, ta shfletosh disa herë, ta lexosh me vëmendje për të parë një personazh të plotë, i cili i jep jetë veprave nëpërmjet tingujve, pasionit të pashtershëm. Shpesh themi se një solist i imponohet orkestrës. Në rastin konkret instrumentisti dhe libri ngjajnë për përkushtimin, mënyrën e detajuar të kurimit të tingullit e përkujdesjes për fjalën, të hulumtimit të veprave të reja nga instrumentisti dhe gjetjes së mendimeve, ideve të vjetra, të zhveshura nga pluhuri i kohës të sjella në libër me shumë kujdes, duke e bërë të gjithën të plotësuar, të ngjeshur, intensive si loja e instrumentistit dhe intensiteti e shumëllojshmëria e koncerteve të interpretuara prej tij. Aty ndahen koncertet, ndahen pianistët me të cilët ka bashkëpunuar duke dhënë në mënyrë të detajuar karakteristikat për duot, sigurisht pas një hulumtimi të gjatë në kohë, padyshim me shumë dashuri e përkushtim. Kjo është ngjashmëria midis lojës së instrumentistit dhe paraqitjes së tij në libër, çka e bën figurën komplekse dhe arrin deri atje sa bashkë me librin të bashkëngjiten dy cd të violonçelistit Antoniu, ku e gjitha bëhet më e prekshme, më e vërtetë, më reale dhe tingujt plotësohen nga fjalët, shkrihen me jetën, njerëzit, mbresat, duke dhënë shumë informacion, duke lënë gjithsecilin për koment, pasi e ka lexuar librin e dëgjuar tingujt. Kjo monografi kështu vjen akoma më e plotë, në një dimension të ri, si një dokumentar i vërtetë me personazh violonçelistin, solistin e pedagogun po dhe dhjetëra xhirime të kohës, personazhe të artit shqiptar që me dëshmitë e tyre e bëjnë të gjithën origjinale. Secili nga muzikantët shqiptarë ka diçka për të thënë për pedagogun e koncertistin, violonçelistët po ashtu kanë qenë më pranë, pianistët, dirigjentët, studentët, një pjesë e madhe e artistëve kanë diçka personale që i lidh me violonçelistin Antoniu, i cili kalon kufijtë e një violonçelisti në një muzikant kurdoherë të gatshëm për të shprehur me vërtetësi, për të ndihmuar me komentet e tij, sugjerimet, artistët e muzikantët e rinj, duke qenë në radhët e spektatorit për të dëgjuar një vepër premierë për të inkurajuar e ndihmuar, sugjeruar e diskutuar. Nga monografia dua të veçoj dy fraza të autores Iliriana Dema sipas të cilës “Gjithë vepra artistike e Gjergj Antoniut e realizuar në këto 35 vite, është dëshmia më e mirë, përmes së cilës gjen shpjegimin më të plotë thelbi i tij si njeri, artist dhe intelekt. Vështirë se gjendet një interpretues i dytë në Shqipëri, që në zigzaget e veta të ketë ruajtur një të tillë qëndrim konstant e në vazhdimësi ndaj instrumentit...

Udhërrëfyesja më e mirë e jetës, e krijimtarisë së Antoniut është ky libër që fton muzikantët, miqtë, të njohurit dhe të panjohurit, të gjithë ata që janë pranë e larg botës së artit për të mësuar, njohur tingujt dhe fjalët për instrumentistin solist e violonçelistin e përkushtuar, pedagogun me një përvojë 36-vjeçare në Akademinë e Arteve.

Debutimi i mjeshtrave mban gjallë pasionin për instrumentin, kënaqësi që e kuptojnë tërësisht vetëm artistët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›