E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajdet, PD: Ska interes për paratë

Komisioni i Ekonomisë

Debati te Komisioni i Ekonomisë për shkrirjen e Këshillit Mbikëqyrës të piramidave. Ja afatet e reja.

Reagon PS, Malaj: Nuk mund tu heqim të drejtën e përfitimit.

Qytetarët që kanë investuar para te skemat piramidale duket se pas kaq vitesh e kanë humbur interesin për ta tërhequr këtë përfitim. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Linda Rusmali, tha në Komisionin e Ekonomisë se kjo mund të ketë një sërë arsyesh se pse ka rënë interesi, duke filluar që nga shumat minimale të investuara e deri te komplikimet e tjera të situatave të mëvonshme. Por, për ti dhënë fund njëherë e mirë procesit, Financat kanë propozuar një afat përfundimtar në projektligjin Për afatet dhe procedurat e mbylljes së procesit të kontrollit financiar të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku u gjerë. Është konstatuar edhe mungesë e interesit të personave që janë në lista për të kërkuar marrjen e shumave takuese për shkak se personi i parë që ka qenë përfitues mund të mos jetojë më, shumat janë të vogla, trashëgimtarët nuk janë të interesuar më për ti tërhequr dhe prandaj dhe ne kemi propozuar afatet që do të jenë përmbyllëse, pra ato shuma nuk mund të qëndrojnë pafundësisht nëpër banka, tha dje në Komision Rusmali.
Projektligji
Projektligji, i cili u miratua dje në Komisionin e Ekonomisë, sjell një sërë ndryshimesh. Fillimisht shkrin Grupin Mbikëqyrës, i cili brenda 15 ditëve duhet të dorëzojë gjithë dokumentacionin pranë Ministrisë së Financave. Për të menaxhuar punën nga kreu i Financave do të emërtohet një administrator, i cili në krye të 6 muajve do të detajojë gjendjen reale të aseteve të këtyre personave juridikë jobankarë, të përgatisë dokumentacionin për falimentin dhe dokumentacionin për shitjen e aseteve të paluajtshme. Paratë që do të sigurohen do të depozitohen në llogari bankare në bankat e nivelit të dytë, ku janë aktualisht një pjesë e tyre. Pas 5 vitesh, të gjitha mjetet monetare të patërhequra depozitohen në një llogari të veçantë nga Ministria e Financave dhe personat përfitues mund të kërkojnë në çdo moment kalimin e shumave të tyre takuese. Kjo e drejtë përfundon me kalimin e 10 viteve. Në fund të kësaj, ato që nuk janë tërhequr, kalojnë në buxhet të shtetit, sqaroi Rusmali. Por, lidhur me heqjen e së drejtës për përfitim pas 10 vitesh nuk ka qenë dakord deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, i cili u shpreh se për këtë pikë duhet të japë mendim Komisioni i Ligjeve. Këtë nen duhet ta shohë Komisioni i Ligjeve. Duhet të japë mendim për afatin 10-vjeçar që është vendosur se kur e humb një të drejtë përfituesi në rast se nuk e ka konsumuar në kohë, tha Malaj.

Rishpërndarja e parave
Ministri i Financave, sipas projektligjit të miratuar ditën e djeshme, ka si detyrim edhe përcaktimin, përmes një urdhri, të mënyrës se si do të rishpërndahen fondet. Do të jetë fillimisht administratori i procesit ai që në përfundim të shitjes së aseteve do ti propozojë ministrit të Financave koeficientin e ri të rishpërndarjes së detyrimeve për kreditorët.

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Arben Malaj:
Deri tani struktura ka vepruar pranë qeverisë me miratim të Parlamentit, kështu që arshiva duhet të dorëzohet pranë Këshillit të Ministrave. Në nenin 6, ku thuhet se koeficienti i shpërndarjes dhe radha bëhet me urdhër të ministrit të Financave. Duhet të jetë në nivel qeverie, nuk mund ta lëmë këtë në dorë të një njeriu.
Sherefedin Shehu: Dua të nënvizoj faktin se përmes këtij ligji mbyllet një histori e errët për shqiptarët dhe njëkohësisht dua të them që është një veprim i arsyeshëm si nga pikëpamja e eficiencës, por edhe i argumentuar për faktin se vjen tashmë kur procesi është drejt mbylljes. Kështu që kalimi drejt Ministrisë së Financave mendoj që do të ndijojë në uljen e kostos dhe të procesit.
Linda Rusmali: Është konstatuar edhe mungesë e interesit të personave që janë në lista për të kërkuar marrjen e shumave takuese për shkak se personi i parë që ka qenë përfitues mund të mos jetojë më, shumat janë të vogla, trashëgimtarët nuk janë të interesuar më për ti tërhequr dhe prandaj dhe ne kemi propozuar afatet që do të jenë përmbyllëse, pra ato shuma nuk mund të qëndrojnë pafundësisht nëpër banka. Kjo e drejtë përfundon me kalimin e 10 viteve. Në fund të kësaj, ato që nuk janë tërhequr, kalojnë në buxhet të shtetit.
Arben Malaj: Neni 7. Këtë nen duhet ta shohë Komisioni i Ligjeve. Duhet të japë mendim për afatin 10-vjeçar që është vendosur se kur e humb një të drejtë përfituesi në rast se nuk e ka konsumuar në kohë.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›