E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajin e ka UNMIK Thaci interpelance per veriun

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ia ka hedhur fajin UNMIK-ut për gjendjen në Veri të vendit, ku kontrollin e kanë strukturat paralele serbe, të mbështetura nga Beogradi zyrtar. Gjatë interpelancës për situatën në veri, Thaçi u shpreh se misioni i OKB-së që u instalua në Kosovë pas luftës, ka ndikuar në ndarjen e Veriut nga pjesa tjetër dhe në mënyrë direkte ose indirekte ka ndihmuar strategjinë e Serbisë për vendosjen e strukturave paralele atje.

“Kosova që nga çlirimi i saj dhe në kohën e administrimit ndërkombëtar kurrë nuk ka pasur nën kontroll pjesën veriore të Kosovës. Kontrollin në atë pjesë e kanë bërë strukturat kriminale të ndihmuara dhe të përkrahura shpesh nga shteti serb. Si rezultat në 12 vitet e fundit në atë pjesë ka lulëzuar kontrabanda dhe krimi i organizuar duke i shkaktuar shtetit tonë dëme në shumë aspekte. Shteti ynë si rezultat i kontrabandës për një vit ka humbur të ardhura deri në 150 milionë euro”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Por Lëvizja “Vetëvendosje” lëshoi akuza të forta në drejtim të kryeministrit Thaçi. Deputeti Glauk Konjufca tha se të gjitha dështimet në Veri, që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 e deri më sot lidhen me emrin dhe figurën e Hashim Thaçit. Duke nënkuptuar ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë, Konjufca tha se në vitin 1999 është bërë tërheqja e parë fatale e forcave të UÇK-së nga veriu me urdhër politik, më pas u çarmatos e u shkatërrua UÇK-ja, ndërsa më 16 korrik të këtij viti sërish u tërhoqën forcat e Policisë së Kosovës nga Veriu. Në të tria këto ngjarje, sipas Konjufcës, kryeministër ka qenë Hashim Thaçi.

“Veriu është lënë i tëri në mëshirën e Beogradit dhe strukturave kriminale të Serbisë.... Tash gjendja është kjo: Prishtina nuk është atje ndërsa strukturat kriminale kanë marrë kompetencat e KFOR-it në duar dhe po vendosin se kush mund ta ushtrojë të drejtën e lëvizjes e kush jo, përbrenda territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Glauk Konjufca, Deputet i Vetëvendosjes, N/kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Por gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë së Prishtinës u shpreh para deputetëve se fundi i strukturave paralele në Veri të vendit nuk do të jetë i largët. “Ata nuk mund të fshihen përgjithmonë as prapa fëmijëve, as prapa grave të pafajshme që janë nxjerrë me dhunë dhe forcë në krye të barrikadave. Ne do t’i dallojmë qytetarët e zakonshëm nga kriminelët.... Do të mbahen zgjedhjet atje dhe do të vendoset rendi dhe ligjit...”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Në fund të seancës, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka paraqitur edhe një mocion katër pikësh, ku kërkohej që institucionet e rendit të Kosovës të angazhohen vetë në heqjen e barrikadave në Veri dhe që të ndërpriten menjëherë bisedimet me Serbinë. Por ky mocion është hedhur poshtë dhe nuk është mbështetur nga asnjë grup tjetër parlamentar.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›