Partia e re, Topi: Do vazhdoj punën deri në fund të mandatit

Topi dje në Ersekë
Nderi i Kombit për Petro Nini Luarasin dhe Jani Vreton.
Pas përplasjeve midis PD-së dhe PS-së në Konferencën e Kryetarëve për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, Presidenti Bamir Topi apeloi nga Erseka për vazhdimin e bashkëpunimit parlamentar. Për Presidentin, partitë duhet të vazhdojnë në frymën e bashkëpunimit për të plotësuar rekomandimet e KE-së. Aty ku zhvillohen ligje, aty ku zhvillohen debate dhe aty ku plotësohen mjaft nga rekomandimet e Komisionit Europian, e bëjnë të detyrueshme që partitë politike të bashkëpunojnë intensivisht. Unë jam i bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë. Uroj që ky të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë lloj krisjeje, deklaroi Topi.
I pyetur për komentet e fundit të Kryeministrit Berisha për angazhimin politik të Presidentit, kreu i shtetit kërkoi që të mos përfshihet në debate politike përgjatë gjithë mandatit të mbetur si President. Ai garantoi se do të vazhdojë detyrën e tij, paçka akuzave apo sulmeve që do të vijnë nga maxhoranca. Besoj që do të jap një përgjigje shteruese: Deri në momentin që do të jem President i Republikës, unë do të vazhdoj me shumë seriozitet, me shumë konsekuencë të zbatoj të gjitha detyrimet kushtetuese të Presidentit të Republikës. Çdo lloj aludimi besoj që është i kotë. Çdokush, më pas, është i lirë në një vend demokratik që të ushtrojë veprimtarinë e vet ligjore, kushtetuese, në funksion të dëshirave që ai ka vetë. Unë do të jem jashtëzakonisht i kujdesshëm që të mos bëj konfuzion, sikurse aludojnë të tjerët, në pozitën time si President me të gjitha detyrimet e mia. Pastaj, pas përfundimit, më takon mua ta them se çfarë do të bëj dhe ku do të jem. Ka ikur koha e monizmit, u shpreh Topi. Në Ersekë, Presidenti pas takimeve me pushtetarë lokalë, dekoroi në një ceremoni të veçantë Petro Nini Luarasin dhe Jani Vreton me urdhrin Nderi i Kombit pas vdekjes, kurse instrumentistin Xhemal Dalipi, me urdhrin Naim Frashëri i Artë.
Është viti i 100-vjetorit të shtetit shqiptar dhe e fillova pikërisht me Kolonjën, një vend që ka nxjerrë shumë atdhetarë, mendimtarë, ideologë, mësues të talentuar që janë në memorien e kombit. Kjo zonë ka dhe figura të tjera që do të vazhdojnë të nderohen në vijim të kësaj veprimtarie, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, përfundoi Topi.