Fajon: Ditë e madhe për Shqipërinë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, telefonoi dje eurodeputeten sllovene Tania Fajon për t’i shprehur mirënjohjen për mbështetjen e saj ndaj shqiptarëve për lëvizjen e lirë. Nëpërmjet një bisede telefonike, Kryetarja e Kuvendit i përcolli eurodeputetes Fajon falënderimet e saj edhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të Parlamentit Europian për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Kryeparlamentarja Topalli dhe eurodeputetja Fajon vlerësuan përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë, Parlamentit, si dhe deputetëve në përmbushjen me sukses të të gjitha kushteve të kërkuara nga Komisioni Europian. “Ditë e madhe për Shqipërinë. Shqiptarët e meritonin lirinë e lëvizjes”, u shprehën gjatë bisedës Kryetarja e Kuvendit dhe eurodeputetja Tania Fajon.