Forumi Civil, zbardhet lista e themeluesve
Forumi Civil, i kryesuar nga dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, shpallin zyrtarisht listën me 21 emrat e themeluesve të kësaj lëvizjeje. Afrim Krasniqi, Aleksandër Biberaj, Aleksandër Xhuvani, Antuena Skënderi, Aurela Anastasi, Dashamir Shehi, Eduard Zaloshnja, Ilir Dhima, Juliana Latifi, Kujtim Çashku, Luan Omari, Muhamed Kapllani, Niazi Jaho, Pëllumb Xhufi, Përparim Kabo, Rexhep Uka, Sotiraq Hroni, Vjollca Meçaj dhe Zamira Çavo janë pjesa përbërëse e kësaj nisme, që për dy vitet në vazhdim do të kërkojë krijimin e Parlamentit me dy dhoma dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Kjo nismë mori nxitje nga shqetësimi qytetar dhe i përgjegjshëm i shoqërisë civile dhe i faktorëve të tjerë jo partiakë për gjendjen e krijuar në vend, ku ngërçi politik, mosfunksionimi i duhur i institucioneve, mungesat e ndjeshme, e bëjnë demokracinë jo funksionuese dhe është në përputhje me frymën e vërejtjeve të paraqitura nga faktori ndërkombëtar mbi ecurinë e Shqipërisë drejt rrugës së integrimit në Bashkimin Europian. Në mbledhjen themeluese morën pjesë ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, zoti Eugen Wollfarth, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, zonja Fiona Mcllwham, ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, zoti Karsten Ankjær Jensen, ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, zonja Carola Muller Holtkemper. Forumi Civil 2010 synon të kontribuojë në ndryshimin e kësaj gjendjeje përmes mendimit të kualifikuar dhe të lirë, sugjerimeve konkrete dhe propozimit të zgjidhjeve alternative drejtuar institucioneve dhe opinionit publik brenda e jashtë vendit. ‘Ekspertët’ e Forumit Civil, ose të njohur ndryshe në opinionin publik si personazhe në ish-hierarkinë e lartë drejtuese, si ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, njohës të mirë të ligjit si Niazi Jaho apo figura të shquara nga fusha e diplomacisë dhe shoqërisë civile, do të japin kontributin e tyre për 11 çështje gjatë vitit 2011-2012. Këta ekspertë do të japin rekomandimet për shtyllat kryesore ku do të mbështetet reforma zgjedhore për një qeverisje legjitime. Rreth 18 muaj përpara zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, janë hedhur idetë e para për mënyrën sesi duhet të zgjidhet kryetari i shtetit. “Shqipëria ka nevojë për një kryetar shteti kushtetues, që zgjidhet nga qytetarët dhe respektohet si simbol i unitetit të popullit. Presidenti duhet të mbrohet nga presionet e palëve politike”, tha ish-presidenti Moisiu, ku sipas fjalës së tij, Kushtetuta aktuale nuk i ofron këto garanci. “Ligjvënësi ka përgjegjësinë të rishohë Kushtetutën dhe bazën ligjore për t’i mundësuar dhe jo penguar Presidentit ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese në lidhje me dekretet, ligjet, sistemin gjyqësor, KLD-në, KQZ-në dhe drejtime të tjera kushtetuese e administrative”, tha Moisiu.