Mitëmarrja e avokatit, prokuroria mbyll hetimet
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për avokatin Hysni Beti, duke e akuzuar për mitëmarrje. Dosja është dërguar në gjykatë. Ndërkohë, vetë avokati, gjatë deklarimeve të lira, ka thënë se paratë që do të merrte nga familjarët e të arrestuarit ishin për hakun e punës. “Në asnjë mënyrë nuk kam kërkuar para në emër të prokurorit apo gjyqtarit”, mësohet se ka deklaruar avokati, pretendime të cilat janë hedhur poshtë nga organi i prokurorisë. Burime nga njësia Task-Forcë thanë se korrupsioni i avokatit ka të bëjë me një çështje me të arrestuarin E. Zeneli për akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit. Dyshohet se avokati i ka kërkuar një shumë familjarëve të këtij të arrestuari, të cilat do të ishin për prokurorin dhe gjykatën. Prokuroria thotë se dyshimet janë të faktuara nga përgjimet dhe vëzhgimet.