Vizat, politika shqiptare në entuziazëm

Përfaqësuesit e politikës shqiptare u shfaqën dje të entuziazmuar në lidhje me hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. Ashtu siç ndodh në rastin e ngjarjeve të mëdha në vend, të gjithë politikanët iu drejtuan popullit, duke i uruar ata në lidhje me këtë ngjarje të madhe për jetën e tyre. Urimin e parë publik për këtë ngjarje arriti ta bënte Kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu entuziazmin e tij për heqjen e vizave gjatë përcjelljes në Aeroportin e Rinasit, që i bëri grupit të parë të qytetarëve, të cilët u nisën në drejtimin e ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha.
“Ky është fluturimi i parë i kësaj natyre që hap siparin e një Europe pa mure. U rrëzua edhe muri i fundit, që ishte muri i Shengenit. Kjo është një arritje jete për çdo qytetar shqiptar”, theksoi Berisha, duke shtuar se ai i ishte mirënjohës administratës shqiptare për këtë arritje, por në mënyrë të veçantë qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së. Liberalizimin e vizave Kryeministri Berisha e përshëndeti edhe gjatë mbledhjes së qeverisë në mesditë, duke i uruar të gjithë qytetarët për këtë arritje të madhe. Nga ana tjetër, Presidenti Bamir Topi liberalizimin e vizave e përshëndeti gjatë një ceremonie të diplomimit të pjesëmarrësve në shkollën politike shqiptare. Në fjalën e tij, Topi theksoi se heqja e vizave nuk shihet vetëm një veprim fizik, por rëndësi të veçantë ai ka për ndenjën e lirisë që kultivon te çdo qytetar shqiptar. “Sot është dita kur shqiptarët kanë hequr më së fundmi atë pengesë fizike, por më shumë psikologjike, për të prekur të lirë Europën dhe kjo simbiozë që e lidh me ceremoninë e sotme është shumë kuptimplotë. Kjo është një ditë, e cila patjetër do të memorizohet dhe do të shkruhet me germa të arta në historinë e një populli, i cili e ka kërkuar më shumë se gjithë të tjerët lirinë, që u ka munguar për shumë vite”, deklaroi Topi, duke shtuar se të rinjtë e sotëm që jetojnë në vend ndihen fatlumë. Gjithashtu, entuziast për hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë u shfaq edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, i cili është edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tij, liberalizimi i vizave është përmbushje e një prej premtimeve të koalicionit qeverisës. “U realizua një nga qëllimet e studentëve të dhjetorit të viteve 1990. LSI-ja dha një kontribut real, pasi ne mbajtëm premtimin kryesor, për të cilën bëmë edhe aleancën me PD-në”, theksoi Meta, duke shtuar se ky është një proces i merituar, ndërsa tani vendi angazhohet për të arritur statusin kandidat për anëtar të Bashkimit Europian.
Por edhe Partia Socialiste e përshëndeti këtë vendim, duke e vënë theksin te ndihma e madhe që i ka dhënë Komuniteti Europian Shqipërisë për këtë arritje të madhe. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, theksoi se mirënjohja më e madhe dhe e sinqertë duhet të jetë për partnerët europianë, të cilëve u dedikohet në radhë të parë kjo fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre u bë i mundur përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës të kufirit dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative. Sot është momenti për të shprehur mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjithë ata ekspertë shqiptarë e të huaj që kanë kontribuar ndër vite në jetësimin e kësaj ëndrre”, deklaroi Bushati në fjalën e tij. Sipas deputetit socialist, sot është gjithashtu momenti për të kujtuar ata mijëra shqiptarë që ndër vite humbën jetën në tentativën për t'u arratisur nga Shqipëria komuniste dhe për të kërkuar një të ardhme më të mirë në Europën demokratike.