E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha dhe Topalli kundër Dick Marty

Kryeministri dhe kryeparlamentarja: Raporti i deputetit zviceran, i pabazuar në fakte

Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, janë pozicionuar dje në mbrojtje të Kryeministrit në detyrë të Kosovës, i cili është akuzuar nga një deputet zviceran, anëtar i PACE-s, Dick Marty. Drejtori i përgjithshëm për demokracinë dhe çështjet politike në Këshillin e Europës, Zhan Luis Laurens, është takuar dje me shefen e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe Kryeministrin Sali Berisha, ku është njohur edhe me këtë shqetësim. Sipas Kryetares së Kuvendit, raporti i deputetit zviceran është një raport i pabazuar në asnjë fakt, dëshmon shpërdorim të paprecedentë të detyrës nga ish-prokurori Dick Marty. “Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Europës të kërkojë një ekspertizë mjekoligjore, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që e kanë shtyrë atë të prodhojë një raport të tillë”, tha Topalli. Kryeministri Berisha, nga ana tjetër, i shprehu drejtorit Laurens që raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty, është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës. “Jam i kënaqur që vizita ime në Shqipëri koincidon me një ditë të madhe për shqiptarët. Kjo është një ndër ditët më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Vlerësoj punën e bërë e të gjitha autoriteteve për të arritur këtë ditë. Falë kësaj pune kufijtë u hapën për shqiptarët”, tha drejtori i përgjithshëm për demokracinë dhe çështjet politike në Këshillin e Europës, Zhan Luis Laurens. Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit theksoi se ky është moment i veçantë për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët nga një vend që vuajti prej 50 vitesh, izolimin më të thellë të diktaturës, sot lëvizin të lirë në dimensionet e pakufishme të lirisë. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit theksoi se ky moment historik përkon edhe me 20-vjetorin e pluralizmit në vend. Ndërsa drejtori i përgjithshëm për demokracinë dhe çështjet politike në KE u shpreh: “Ne e dimë se çdo të thotë për shqiptarët lëvizja e lirë. Për këtë popull që ka vuajtur për vite me radhë izolimin e regjimit komunist hapen kufijtë e lirisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›