E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: Protestat e opozitës mbyllin derën e liberalizimit

Fajon, thirrje BE-së: Jo vonesa në heqjen e vizave

Eurodeputetja Tanja Fajon apelon se situata politike në vend dhe protestat e opozitës mund të sjellin penalizimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe konkretisht, në planin për liberalizimin e vizave. Në fjalën e mbajtur në Institutin Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studime Ballkanike (IFIMES) në Lubjanë, Fajon vuri në dukje se zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protestat e opozitës mund të mbyllin dyert e integrimit në lidhje me çlirimin e shqiptarëve nga zona e ndaluar Shengen. Duke bërë një krahasim të arritjeve të bëra nga institucionet për plotësimin e kushteve për vizat dhe situatës politike, Fajon theksoi se sjellja e opozitës do të tregojë nëse Shqipëria është me të vërtetë e pjekur, apo do të mbyllë derën e saj drejt Evropës në javët e ardhshme për shkak të situatës politike të tensionuar dhe thirrjeve të opozitës për protesta antiqeveritare në fund të këtij muaj. Eurodeputetja theksoi më tej se Bashkimi Evropian nuk duhet të vonojë heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Vlerësimi i ekspertëve do të jetë i njohur në fund të prillit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, propozimi legjislativ për liberalizimin e vizave për Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë, do të vihet në tryezë në fund të majit, - deklaroi znj. Fajon. Në këtë mënyrë raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave u heq mundësinë shqiptarëve dhe boshnjakëve të lëvizin pa viza përpara verës. Vendimi i mundshëm mund të merret vetëm në muajt e fundit të këtij viti. Ky është konstatimi që u bë dje nga raporterja e Parlamentit Evropian për vizat, Tanja Fajon. Është e mundur që ekspertë të tjerë do duhet të vizitojnë Shqipërinë, çka do të thotë padyshim më shumë kohë, ndaj ne nuk do të mund të përfundojmë këtë procedurë përpara pushimeve të verës, - u shpreh Fajon për Balkan Insight. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që autoritetet të vazhdojnë të punojnë fort, sepse kemi përpara muaj vendimtarë dhe duhet ruajtur përgjegjshmëria. Megjithatë, Fajon shpreson se Brukseli do të çojë përpara propozimin legjislativ për liberalizimin e regjimit të vizave dhe do të kërkojë përmbushjen e kushteve shtesë përpara se të jetë përmbyllur procesi i plotë i liberalizimit. Unë pres që komisioni të bëjë rekomandimin për liberalizimin e vizave për dy vendet, por kjo varet nga çështjet e mbetura pezull dhe se u takon autoriteteve vendase që të finalizojnë punën që kanë për të bërë, - këmbënguli Fajon. Në këtë linjë u deklarua edhe europarlamentari Jelko Kacin, në një prononcim për European Voice. Sipas tij, heqja e regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës ka gjasa të shtyhet deri në fund të vitit. Kacin tha se propozimi i Komisionit Evropian për heqjen e vizave ka gjasa që përfundojë në Parlamentin Evropian në shtator dhe mund të hyjë në fuqi në muajin dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›