Vizat, KE: Udhërrëfyesi i plotësuar pjesërisht
Raporti citon se Shqipëria ka vonesa në plotësimin e blloqeve, si dhe nevojitet zbatimi me efikasitet i ligjeve
"Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete"
BRUKSEL-Raporti vlerësues i Komisionit Evropian mbi procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, konstaton se vendi ynë është vonuar në plotësimin e blloqeve të Udhërrëfyesit. Raporti i publikuar zyrtarisht dje vëren se një pjesë e mirë e kuadrit ligjor është miratuar vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti, megjithëse kriteret përcaktoheshin qartë që në 4 qershor 2008, kur u dorëzua Udhërrëfyesi për heqjen e regjimit të vizave me vendet e hapësirës "Shengen". Sipas raportit prej 44 faqesh, vihet në dukje se Shqipëria ka përmbushur një nga katër blloqet e Udhërrëfyesit, ndërsa 3 të tjerët janë plotësuar pjesërisht. Për këtë arsye, sipas këtij raporti kërkohet zbatimi me efikasitet i një sërë ligjesh dhe strategjive. Një pjesë e mirë e ligjeve sipas raportit të KE-së, janë miratuar gjatë 3 mujorit të këtij viti si dhe një sërë të tjerash, janë miratuar gjatë muajve të fundit të vitit 2009 dhe kanë hyrë në fuqi gjatë këtij viti. Kështu, në raport evidentohet miratimi i ligjeve si ai i diskriminimit, i cili u miratua në shkurt të vitit 2010, ligji për planin e aksionit ndaj korrupsionit u miratua po ashtu në muajin e kaluar. Gjithashtu, edhe ligji anti-mafia i trumbetuar nga qeveria si një ligj i domosdoshëm, u miratua në dhjetor të vitit 2009, ndërsa hyri në fuqi vetëm në janar të këtij. Po kështu, edhe ligji mbi planin e aksionit kundër drogës u miratua në mars 2010 si dhe ligji i ri për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale u miratua në dhjetor 2009 dhe hyri në fuqi në shkurt të 2010-ës. Periudha kohore kur janë miratuar dhe kanë hyrë në fuqi këto ligje përkon me bojkotin gjashtë mujor të opozitës, që do të thotë se mosprania e saj në Parlament për të qenë pjesë e miratimit të këtyre ligjeve nuk ka qenë aspak problem për mazhorancën, e cila i ka miratuar vetëm me votat e saj. Në këtë mënyrë, miratimi i këtyre ligjeve nuk e ka pasur të domosdoshme praninë e opozitës në Parlament. Por, aspekti më i çuditshëm në këtë rast, është miratimi me vonesë i këtyre ligjeve, ndërkohë që kriteret e procesit të liberalizimit të vizave i jepnin mundësi Parlamentit shqiptar, që t'i miratonte ato që pas dorëzimit të Udhërrëfyesit, për të bërë të mundur edhe hyrjen në fuqi për një kohë sa më shpejtë të tyre. Pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjeve, që janë përcaktuese për heqjen e regjimit të vizave, sipas raportit vlerësues të Komisionit Evropian kërkohet zbatimi i ligjeve dhe strategjive të Shqipërisë për përmbushjen dhe finalizimin e këtij procesi. Raporti saktëson se pajisja me teknologji të reja në fushën e rendit dhe menaxhimit të kufijve, si dhe ngritja e strukturave të reja ka nxjerrë në pah edhe mospërgatitjen e duhur të personelit në polici dhe prokurori. Për të bërë të mundur heqjen e vizave, sipas raportit të KE-së, kërkohen rezultate konkrete edhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ndërsa specifikon se nevojitet të zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikimi. "Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor. Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar. Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor. Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për Strategjinë Kombëtare",- thuhet në raport. Në dokumentin vlerësues thuhet më tej se policët kufitarë duhet të trajnohen për çështje specifike, ndërsa kërkon që të reduktohen ndërrimet e shpeshta të personelit të trajnuar në Policinë e Shtetit. Raporti i Komisionit Evropian specifikon gjithashtu se niveli i besimit për çështjet e korrupsionit vazhdon të mbetet i ulët, ndërsa thekson se në shumë pak raste është lënë imuniteti i zyrtarëve të gjykuar për t'u hetuar ndaj akuzave për korrupsion. Megjithatë, duhet thënë se në krahasim me të gjitha raportet e tjera paraardhëse, në vlerësimi i këtij muaji ka në përgjithësi një formulim pozitiv për Shqipërinë nga ana e Komisionit Evropian.
Tabela
Pikat kryesore të raportit vlerësues të Komisionit Evropian për heqjen e vizave:
Shqipërisë i duhet ende të dëshmojë zbatimin efikas të një pjese të mirë të ligjeve.
Nevojitet zbatim i strategjisë dhe planit të aksionit kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar.
Për luftën ndaj krimit të organizuar e terrorizmit, kërkohen më shumë përpjekje për rezultate konkrete dhe zbatim efikas të kuadrit ligjor.
Për emigracionin, duhet monitorim dhe koordinim i mëtejshëm për Strategjinë Kombëtare.
Duhet të garantohet dhe zbatohet e drejta e refugjatëve për të pasur dokumente identifikues.
Sistemi MEMEX është operacional, por duhet të eksplorohet potenciali i plotë i tij.
Për trafikun e qenieve njerëzore, vlerësohet se shumë pak çështje i kaluan gjykatës gjatë vitit 2009. Kërkohet zbatim i mëtejshëm i Konventës së Këshillit të Europës ndaj këtij fenomeni, veçanërisht për të integruar dhe shkolluar fëmijët e trafikuar.
Duhet parë zbatimi i ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit.
Pajisja me teknologji të reja në fushën e rendit dhe menaxhimit të kufijve, por dhe miratimi i disa ligjeve dhe ngritja e strukturave të reja nxjerr në pah mospërgatitjen e duhur të personelit në polici, prokurori dhe agjenci të ndryshme. Për këtë arsye në raport "Nevoja për trajnim" është togfjalëshi mbizotërues.
Policët kufitar duhet të trajnohen për çështje specifike për të rritur aftësitë e tyre.
Kërkohet forcim i kapacitetit investigues për policët dhe prokurorët që mbulojnë çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Operacionet e njësisë së krijuar në Policinë e Shtetit, falë ligjit anti-mafia, duhet të koordinohen me ato të hetuesisë, dhe stafi duhet trajnuar siç duhet.
Nevojiten më shumë trajnime të specializuara në Policinë e Shtetit dhe ndërrimet e shpeshta të personelit të trajnuar duhet të reduktohen.
Duhet trajnuar policia dhe prokuroria në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor, për të rritur vetëdijen e sistemit të përbashkët operues për çështje të trafikut ilegal.
Kërkohet forcim i kapaciteteve të agjencive që merren me trafikun e qenieve njerëzore.
Në pasqyrën e prillit të Komisionit Europian renditen sigurisht edhe kriteret që mbeten ende për t'u plotësuar.
Për trafikun e drogës, vlerësohet se duhet të krijohen programe për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike, dhe duhen zhvilluar më tej metodat investiguese që çojnë në hetime me komplekse.
Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste kërkohet që të përmirësohet në disa fusha, sidomos përsa i përket zbatimit në praktike të akteve nënligjore.
Duhet miratuar një strategji me masa konkrete për të lehtësuar kthimin dhe integrimin e personave të riatdhesuar.
Në menaxhimin e kufijve, aksesi në të dhënat e Interpol-it, është i mundur, por nuk është i automatizuar.
Nuk është miratuar ende ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Konfiskuara.
Numri për raportimin e transaksioneve të dyshimta është rritur lehte, por në tërësi vlerësohet i ulët. Kërkohet që të rritet raportimi elektronik dhe vërehet nevoja për staf analizues.
Për të garantuar zbatimin e duhur të ligjit mbi Bashkëpunimin Gjyqësor me Autoritetet e Huaja për Çështje Kriminale, nevojiten dispozita për burime të mjaftueshme njerëzore për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke përfshirë këtu dhe përkthyes, si dhe dispozita për trajnimin e përshtatshëm të tyre