E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon: Shqipëria më zhgënjeu, pesimiste për statusin

TIRANE- Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, deputetja e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, shpreh mendimet e saj lidhur me përpjekjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.
Si filloi gjithcka për ju znj.Fajon? Rasti juaj tingëllon shumë interesant: nga një gazetare në një ndër figurat më të spikatura të Bashkimit Europian…
Si një gazetare dhe korrespondente e një radiojeje dhe televizioni publik kombëtar në Bruksel, arrita të ndjek politikën për shumë vite me radhë. Mendoj se nëpërmjet kësaj mënyre, arrita të takoj shumë politikanë. Fitova mjaft ekspertizë në çështjet e politikës europiane. Ndoqa me kujdes Zgjerimin para dhe pas anëtarësimit të Sllovenisë në BE. Ishte një periudhë shumë sfiduese dhe ekzaltuese për një gazetare. Në një moment të caktuar, në vitin 2009, u ftova të kandidoja për zgjedhjet Europiane. Besoj se ky ishte një hap pozitiv për mua. Si një gazetare, kam mësuar mjaft dhe me eksperiencën time, sot mund t’i “jap formë” politikës së Bashkimit Europian e cila ndikon drejtëpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve Europianë.
Shumë gra shqiptare ëndërrojnë të ndjekin rrugën tuaj. Çfarë nevojitet?
Do t’i inkurajoja të gjitha gratë të ishin të guximshme dhe të luftonin për qëllimet ose ëndërrat e tyre. Ne nuk kemi shumë gra në politikë apo në poste të larta; as në biznes. Ne nuk jemi të përfaqësuara njësoj si burrat. Është sfiduese për një grua të vendosë të drejtojë poste ambicioze. Gratë janë nëna gjithashtu dhe ato kanë nevojë të gjejnë një ekuilibër midis punës dhe mëmësisë. Nga ana tjetër, të jesh e re, kërkon më shumë energji për të arritur partnerët meshkuj. Por në fund, janë rezultatet ato që kanë rëndësi dhe të bëjnë të lumtur, si një burrë ashtu edhe një grua. Në këtë pikë, ne jemi njësoj.
Cili është mësimi që ju keni nxjerrë nga karriera juaj të cilin mund ta ndani me gratë shqiptare?
Gratë duhet të luftojnë. Në punë, ne shpesh dallojmë nga meshkujt. Ne ndjekim mënyra të ndryshme në lidhje si të zgjidhim apo të adresojmë çështje të caktuara. Kështu mësimi im është i thjesht: nuk jam pishman për asnjë moment për vendimin që mora – atë të hyrjes në politikë. Jam e bindur se ky vendim më ka hapur shumë perspektiva të reja. Dhe mësimi më i rëndësishëm është se duhet të punojmë me pasion dhe besim. Përsa kohë ju pëlqeni të besoni në atë që bëni, ju e bëni atë me zemër.
Ju mbeteni një figurë e dashur për të gjithë Shqipëtarët. Emri juaj lidhet ngushtë me liberalizimin e vizave në Shqipëri. Si e përjetuat këtë eksperiencë?
Ishte një luftë për të gjithë Shqipëtarët. Ishte një përpjekje e përbashkët. Shqipëtarët meritojnë të udhëtojnë jashtë shtetit. Kjo është veçanarisht e rëndësishme për brezin e ri. Edhe sot e kësaj dite jam shumë krenare për vendin tim, vendin tuaj dhe për gjithsecilin në rajon për arritjen e të drejtës së lëvizjes së lirë. Ne duhet të luftojmë që edhe Kosova të ketë këtë të drejtë. Për mua, si një Europiane, liria e lëvizjes është shumë e rëndësishme për të ndërtuar marëdhëniet ekonomike dhe politike dhe sidomos kontaktet midis njerëzve. Lëvizja e lirë është një hap përpara kur bëhet fjalë për të ardhmen Europiane.
Cilat janë disa nga çështjet më të ndjeshme që ju mendoni se Shqipëria duhet të trajtojë në këtë moment?
Fatkeqësisht Shqipëria po humbet vazhdimisht kohë të çmuar në rrugën e saj drejt integrimit Europian. Shpesh zhgënjehem duke parë ‘bllokimet”politike midis qeverisë dhe opozitës. Është e rëndësishme të kesh dialog; të bisedosh me njëri tjetrin për të mirën e vendit. Qytetarët e meritojnë këtë. Kjo kohë e humbur duhet të kompesohet në një farë mënyre. Shqipëria duhet të vazhdojë ecjen përpara. Reformat duhet të plotësohen. E vetmja perspektivë e Shqipërisë është Bashkimi Europian. Kështu që për hatër të brezit të ri, dëshiroj ta shikoj vendin tuaj të ecë përpara me një hap më të shpejtë dhe kjo është përgjegjësi e politikanëve të këtij vendi. Është një vit elektoral dhe si i tillë do të jetë një provë tjetër që do të testojë maturimin e Shqipërisë.
Së fundmi, qeveria shqiptare i prezantoi përfaqësuesve të Bashkimit Europian Planin e Veprimit për 12 rekomandimet. Si do ta komentonit këtë moment?
Gjithshka që mund të them është se koha do të tregojë se sa serioz do të jetë ky angazhim. Në të shkuarën ne shpesh jemi zhgënjyer. Premtimet janë bërë por ka dështuar përmbushja e tyre. Ky vit mund të jetë kyç për marrjen e statusit të vendit kandidat por jam pesimiste. Do ti bëja thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të mos humbnin kohë dhe të bashkonin të gjitha përpjekjet e tyre për një të ardhme më të mirë, të sigurtë dhe të begatë.
Cili ka qënë kontakti juaj i parë me Shqipërinë? Si ishin përshtypjet tuaja të para për këtë vend dhe si e shikoni progresin e tij sot?
Sinqerisht u surprizova në një mënyrë të këndshme. Për herë të parë vizitova Tiranën kur isha raportuese për liberalizimin e vizave në Parlamentin Europian. Takova shumë njerëz miqësorë dhe me mendje të hapur si dhe të rinj intelektualë dhe ambicionzë. Ajo që pashë ishte komplet ndryshe nga konotacioni negativ që ekzistonte për Shqipërinë në Europë i cili ka qënë vendi më i izoluar me një imazh të keq në sajë të krimit dhe korrupsionit. Përshtypjet e mia për Shqipërinë dhe Shqipëtarët janë pozitive pavarësisht të gjitha vështirësive. Nëse politikanët përgjegjës do të bashkoheshin dhe do të vendosnin një perspektivë dhe qëllim të qartë, jam e bindur se Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së një ditë.
Sipas jush, cili do të ishte një projekt i rëndësishëm për median në mbështetje të gazetarëve shqipëtarë?
Shqipëria është një vend si të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor kur flasim për median, pluralizmin apo lirinë e medias. Shpesh dëgjojmë për presionin politik, varësinë ekonomike nga pronësia jo-transparente. Nga ana tjetër, nevojitet që gazetarët të jenë të besueshëm. Ato nevojiten të japin raporte të balancuara që nuk i shohim shpesh; si dhe të kontrollojnë burimet e lajmeve dhe të japin informacion të besueshëm për publikun. Në këtë mënyrë, roli i medias është shumë i rëndësishëm në Shqipëri. Për këtë arsye, mendoj se vendi duhet të bëjë shumë sidomos në drejtim të legjislacionit të medias.
A mendoni se media shqiptare ka sfida të mëdha për të trajtuar?
Absolutisht dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend. Do të thoja se i gjithë rajoni ballafaqohet me një sfidë të madhë. Sinqerisht shpresoj se qeveria shqipëtare do ta adresojë çështjen e medias në mënyrën e duhur sepse liria e medias dhe liria e fjalës janë vlerat bazë Europiane dhe respektim i të drejtave kyçe. Medias duhet ti vihet në dispozicion informacion i qartë dhe transparent.
Tani nëse mund të ndalemi pak në diçka më private. A mund të na thoni diçka për familjen tuaj?
Unë vij nga një familje relativisht e vogël nga Sllovenia. Babai im ishte një gazetar dhe redaktor lajmesh; ndërsa nëna një redaktore filmi; vëllai është një muzikant. Kam luajtur në piano dhe në violinë. Jetoj prej shumë vitesh me partnerin tim duke ndarë kohën tonë sa në Slloveni, Gjermani dhe Belgjikë. Jetët tona janë shumë dinamike. Ne të dy punojmë dhe udhëtojmë mjaft por ne mundohemi të gjejmë një kompromis të mirë në jetë dhe të ndajmë mjaft kohë të bukur dhe zbavitëse.
Kush ju ka frymëzuar më shumë në jetë?
Njerëz të ndryshëm të frymëzojnë në periudha të ndryshme kohore. Kështu është e vështirë ti vë gishtin vetëm njërit. Në politikë, ka disa përfaqësues që më pëlqen ti ndjek dhe ti dëgjoj më shumë. Ideologjia dhe besimet e mia janë shumë progresiste. Por kryesisht unë frymëzohem nga njerëzit që janë të ndershëm ndaj asaj që ato bëjnë; janë luftëtarë ndaj asaj që besojnë dhe të ndershëm deri në atë pikë që ju mund ti besoni ata.
Si e kaloni kohën e lirë kur ju mbetet ndopak? Kush është hobi juaj?
Çështja e kohës simë të lirë po ndërlikohet gjithnjë e më shumë. Po përpiqem të organizoj jetën time në një farë mënyre. Më pëlqejnë sportet së tepërmi. Më pëlqen adrenalina dhe jam një person mjaft aktiv. Kur mundem, bëj vrap disa herë në muaj; më pëlqen të bëj ski si dhe zhytje. Pavarësisht nga stinët, gjithnjë gjej kënaqësi duke bërë diçka të këndshme.
Në mbyllje, një mesazh për shqiptarët që ato ta kenë pranë zemrës?
I uroj të gjithë Shqipëtarët të ndjekin rrugën e Integrimit Europian. Progresi dhe reformat janë të nevojshme për bashkëpunimin politik dhe ekonomik në rajon dhe në Bashkimin Europian. Shqipëria ka qënë gjithmonë dhe është pjesë e Europës. Nevojitet që ne të punojmë së bashku e të forcojmë sidomos kontaktet midis njerëzve. Ka shumë gjëra për tu bërë por me një vendosmëri dhe besim të fortë, shumë gjëra janë të mundura. Varet nga populli shqiptar për të ndërtuar besim dhe për të treguar maturim. Dëshiroj që brezi i ri të ketë një perspektivë Europiane të qartë dhe një të ardhme të sigurtë dhe të begatë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›