E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret raportuesit e KiE, vlerësohet dialogu PD-PS

TIRANË-  Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët ndodhen në vendin tonë, në kuadër të një misioni faktmbledhës.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në këtë takim, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e misionit faktmbledhës dyditor të raportuesve dhe vlerësoi “bashkëpunimin shumëvjeçar e mjaft të frytshëm të vendit tonë me Këshillin e Evropës, në drejtim të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor, në mbrojtje të të drejtave të njeriut e tanimë, në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi”.

Kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës, të konkretizuar me ‘Planin e Rishikuar të Veprimit’ në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se “në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës”.

Bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës e siguruan Presidentin Topi për gatishmërinë e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të asistuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike, duke theksuar gjithashtu se “dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane”.

Mbyllet sot misioni i raporterëve të KiE, ja takimet
Dy raporterët e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco kanë nisur ditën e dytë të vizitës në Shqipëri me një takim me kreun e LSI, Ilir Meta. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias.

Me pas ata janë takuar dhe me ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi, gjithashtu edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Në këto momente raporterët e KiE-së kanë nisur një takim dhe me presidentin e vendit Bamir Topi.

Të gjitha takimet janë zhvilluar pa praninë e medias. Pasdite dy raporterët do takohen me kryeministrin Berisha, ndërsa më pas do zhvillojnë edhe një konferencë shtypi.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›