Magjistricat i hapin udhë autobiografisë së Salman Rushdie
Botimet Dudaj sjellin një tjetër roman të autorit.
Njëherësh me botimin anglez, vjen në shqip rrëfimi i shkrimtarit. Dudaj: Në plane Vargjet satanike
Çdo 14 shkurt nga Irani i vijnë kartolina dashurie, për ti rikujtuar se iranianët nuk kanë hequr dorë nga premtimi për ti marrë jetën. Po Salman Rushdie nuk do të hiqte dorë nga të shkruarit as nga fatwa (dënim me vdekje), kërcënimet apo atentatet e dështuara. Pas Vargjeve satanike, shkrimtari britanik me origjinë indiane vijoi me temat e tij të preferuara. Duke joshur me stilin e tij të veçantë, që i afrohet më së shumti përrallës, ai trajton tema të mëdha, siç janë ato të përplasjes së qytetërimeve, peshës së pushtetit, fatit të gruas… Pas botimit të romaneve Psherëtima e fundit e Arapit, Furia dhe Haruni dhe një det me histori, shtëpia botuese Dudaj ka sjellë për lexuesin shqiptar një tjetër roman të Rushdie. Bëhet fjalë për Magjistricat e Firences, i shqipëruar nga Ilir I. Baçi. Një libër i kuruar maksimalisht edhe nga ana vizive, një vlerë që i shtohet kënaqësisë që të ofron leximi i një vepre të Rushdie. Ky roman i shtohet kolanës së veprave të këtij autori në shqip, por në të njëjtën kohë ai paraprin një tjetër libër të këtij autori, dalja e të cilit po pritet me padurim në gjithë botën. Bëhet fjalë për librin autobiografik të autorit aq të përfolur. Një ngjarje e shënuar letrare për këtë vit do të jetë botimi në gjuhën shqipe i autobiografisë së Salman Rushdies, i titulluar Jozeph Anton. Joseph Anton është bashkimi i emrave të shkrimtarit polak Joseph Conrad dhe dramaturgut rus, Anton Chehov. Ky ishte emri që mbante Rushdie, kur lëvizte i fshehur, duke iu druajtur fatwas së tmerrshme që do ta zhdukte nga faqja e dheut, thotë Arlinda Dudaj.
Ky libër vjen në shqip njëkohësisht me botimin e tij në gjuhën angleze dhe në shumë gjuhë të tjera të botës, thotë botuesja Arlinda Dudaj, e entuziazmuar që kësaj here Shqipëria ecën në të njëjtin hap me vendet e tjera në fushën e editorisë. Për Jozeph Anton-in nuk dihet më shumë nga çvetë Rushdie ka bërë të njohur: thjesht dhe vetëm një kopertinë.
Magjistricat e Firences
Duke u endur në një botë magjike, mes formulash sekrete e gjuetarë vampirësh, mes oborresh perandorake e princeshash të zhdukura në mënyrë misterioze, Magjistrica e Firences është historia e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete, që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri-tjetrit. Këto janë kryeqyteti mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështje të fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja, po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj, ku shoku i fëmijërisë i Argalias, Makia (Niccolò Machiavelli), po e provon mbi kurrizin e tij se çfarë është mizoria e pushtetit. Këto dy botë kaq të largëta dalin se, çuditërisht, janë shumë të ngjashme e të ngërthyera në magjepsjen e grave.
Libri
Salman Rushdie
Magjistricat e Firences
Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Përktheu: Ilir Baçi
Nr. i faqeve: 376
Çmimi: 1400 lekë
Vargjet Satanike edhe në shqip
Shtëpia botuese Dudaj tashmë është botuesi zyrtar i veprave të Salman Rushdie në Shqipëri. Ka botuar katër romane, pret të botojë brenda këtij viti autobiografinë e Rushdie, në një kohë që në planet e saj është edhe vepra më e shigjetuar e tij. Bëhet fjalë për Vargjet satanike. Sipas botueses Arlinda Dudaj, botimi i këtij libri është në planet e saj. Por nuk bëhet fjalë për dëshira, por për plane konkrete e nënshkrime kontratash. Kjo do të thotë në shqip do të vijë një libër i ndaluar në shumë vende të botës, por nuk bëhet fjalë për botime pirate, por me të drejta autori të plota. Publikimi i Vargjeve satanike në shtator të vitit 1988 shkaktoi polemika të menjëhershme në botën islame për shkak të asaj që është perceptuar si një përshkrim satirik i profetit Muhamed. Libri është ndaluar në shumë vende me komunitete të mëdha myslimane (12 në total: India, Bangladeshi, Sudani, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Kenia, Tajlanda, Tanzania, Indonezi, Singapor, Venezuela dhe Pakistan).
Krijimtaria e Rushdie
Salman Rushdie është autor i dhjetë romaneve të tjera, një përmbledhjeje me tregime, katër veprave eseistike dhe publicistike, si dhe bashkautor recensues i veprës The Vintage Book of Indian Writing. Në vitin 1993, romani Fëmijët e mesnatës u vlerësua me çmimin Booker of Bookers, si romani më i mirë që kishte fituar çmimin Booker gjatë 25 viteve të para të shpërndarjes së këtij çmimi. Romani Psherëtima e fundit e Arapit u vlerësua me çmimin Whitbread në vitin 1995 dhe me çmimin Aristeion të Bashkimit Europian në vitin 1996. Rushdie është Fellow of the Royal Society of Literature dhe Commandeur des Arts et des Lettres. Ai është ngritur në rangun e kalorësit në qershor të vitit 2007.
ALMA MILE