E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit Sheri Mita

Presidenti Topi, dje gjatë homazheve për aktorin Sheri Mita

Kolegë e miq i dhanë lamtumirën e parakohshme aktorit, regjisorit e dramaturgut Sheri Mita. Dje në mesditë, në hollin e Teatrit Kombëtar, rrethuar nga panteoni i aktrimit shqiptar, u kryen homazhet për nder të artistit, i cili ditën e hënë u nda nga jeta  pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 69-vjeçare. Kishin ardhur ta përcillnin në banesën e fundit kolegë e miq artistë, me të cilët ai ndau 40 vjet karrierë në teatrot e rretheve, në cirkun apo Estradën e Tiranës. Por nuk munguan edhe politikanë. Në ceremoninë mortore, veç ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kam ardhur të zhvilloj homazhe për një figurë shumë të nderuar, për një qytetar dhe për një artist, si i ndjeri Sheri Mita, i cili do të mbesë në kujtesën e qytetarëve shqiptarë, por dhe në kujtesën e kombit, së pari si një qytetar i mirë, si një intelektual, por edhe si një aktor, si një regjisor, i cili solli një fizionomi të re në art, u shpreh Presidenti Topi, duke i shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të aktorit, por edhe gjithë artistëve, të cilët humbën një tjetër koleg të vyer. Pavarësisht njohjes, të gjithëve do ti mungojë zëri i tij kumbues, natyra e qetë dhe dashamirëse. Humbja e Sheri Mitës për mua shënon një ngjarje të rëndë, qoftë në planin artistik, por mbi të gjitha në atë njerëzor. E kam pasur koleg, mik. Kemi mbaruar për katër vjet bashkë Institutin e Lartë të Arteve dhe që aty u shqua si një aktor i madh, u shqua për talentin e tij dhe për një diksion të mrekullueshëm, mendim të thellë. Këto cilësi e bënë atë aktor të madh të teatrit dhe kinematografisë, thotë Sulejman Dibra. Një nga koleget, që për vite me radhë ka punuar me të në estradën e Tiranës, aktorja Mariana Kondi, ndalet më së shumti në natyrën e tij. Mund të them se ai ka qenë një filozof i skenës shqiptare. Një njeri i mrekullueshëm, një njeri me karakter, një familjar i shkëlqyer me kulturë dhe kapacitet të madh, u shpreh ajo.  Aktori Sheri Mita u nda nga jeta ende herët, ndërsa shpresonte që të shihte edhe një herë në skenë një nga pjesët e tij më suksesshme. Bëhet fjalë për komedinë Këshilli i ndrikullave, të cilën regjisorja Rozina Kostani synonte ta ngjiste në skenë në formën e një muzikali. Një projekt, që u paraqit pranë Teatrit të Metropolit, por që nuk arriti të realizohej në këtë sezon për mungesë fondesh. Sheri Mita numëron një numër të madh rolesh në teatër e kinematografi, por më së shumti në këtë të fundit. Disa nga filmat ku ka interpretuar janë: Ngadhënjim mbi vdekjen, Yjet e netëve të gjata, Vitet e pritjes, Të mos heshtësh, Ballë për ballë, Operacioni zjarri, Gjeneral Gramafoni, Skëterrë 43, Vetmi, Përdhunuesit, Nata e parë e lirisë, Familja ime, Në fillim të verës etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›