E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berishës: Hap kutitë, ose do largohesh

Në prag të protestës së ditës së premte në kryeqytet, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paralajmëroi Kryeministrin Sali Berisha se do të rrëzohet nga pushteti nëse nuk lejon hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet krimi elektoral. Gjatë protestës së radhës në Fier, që mbylli edhe ciklin e mitingjeve në rrethe, kreu socialist theksoi se nëse nuk hapen kutitë e votimit, atëherë Berisha do largohet me zgjedhje të parakohshme. "Një njeri që vazhdon të fshehë votën është gjithmonë e më pranë largimit të tij. I themi Berishës, mos rri mbi kutitë e mbyllura të zullumit të 28 qershorit, sepse do të rrëzohesh vetë, njësoj si atëherë kur u zgjodhe president dhe e more gjithë Shqipërinë me vete. Nëse nuk hap kutitë do të largohesh me zgjedhje shumë më të parakohshme", deklaroi Rama. Edhe një herë, kryetari i PS-së i ka bërë thirrje elektoratit që të bashkohet më 20 nëntor në Tiranë për t‘i treguar Berishës se e majta dhe shqiptarët nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre legjitime. "Jam i bindur se të gjithë ju qytetarë liridashës të Fierit do të vini kështu siç jeni në Tiranë, më 20 nëntor, për t‘i treguar Shqipërisë se kjo betejë për të nxjerrë në ditën e diellit votën e kyçur nga Sali Berisha është një betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga rrethi i vendeve me zgjedhje të deformuara. Do të vini kështu siç jeni në Tiranë për t‘i treguar Berishës se ka marrë fund koha e zullumeve nga një familje e vetme në pushtet", deklaroi Rama. Në fillim të fjalës së tij, Rama u ndal te vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi gjashtë muaj më parë. "Gjashtë muaj kanë kaluar dhe përveç nxjerrjes në tregun e gazetave të gjithfarë versionesh, nga më skandalozet, nga vetë njerëzit e shtetit, ne sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Dua që në këtë moment Berisha dhe të gjithë ata që ndjekin këtë protestë, të dëgjojnë për një minutë zërin e fortë të heshtjes tuaj, në nderim të Fatmirit dhe në shprehje të së vërtetës së madhe se ne jo vetëm nuk harrojmë, por nëse drejtësia nuk bën drejtësi, ne nuk falim", ka shtuar Rama.

Në protestën e djeshme ishte i pranishëm është kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, i cili iu bashkua PS duke dorëzuar teserën e LSI-së. "Pozicioni im është shumë komod, të jem në krah të qeverisë, por jam i bindur se e drejta e qytetarëve është cenuar, është cenuar themeli e demokracisë dhe ndershmërisë, vota e lirë. Një qeveri e re socialiste në të ardhmen, do të jetë angazhimi im maksimal. Sot kam vendosur të dorëzoj në këtë shesh pikërisht, të gjitha ofiqet që më lidhin me LSI-në", tha ai.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›