E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fajon mirëpret fillimin e dialogut për vizat

Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon ka mirëpritur vendimin e Komisionit Evropian për fillimin e dialogut për viza, përderisa në një komunikatë për shtyp ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës për plotësim të kushteve dhe kritereve që kërkohen për liberalizim të vizave.

“Ky është një lajm i mirëseardhur për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit nga Ballkani Perëndimor që ende nuk janë të lirë të udhëtojnë pa viza. Populli e meriton këtë privilegj për udhëtim të lirë dhe pa viza por Qeveria duhet t’i plotësoj të gjitha kriteret e nevojshme që kërkohen. Tani, është koha që kosovarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë Fajon në komunikatën e saj për shtyp.

Fajon ka shtuar se Parlamenti Evropian është një mbështetës i fort për liberalizimin e vizave për tërë vendet e Ballkanit Perëndimore dhe gjithmonë në të kaluarën ka kërkuar nga Komisioni dhe anëtarët e BE-së që të fillojnë dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën.

“Ne do të vazhdojmë me mbështetjen tonë. Është me rëndësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që dhe në përgjithësi në e politikanëve që të bëjnë përpjekje të mëdha në implementimin e reformave që kërkohen, siç janë; sigurimi i dokumenteve të udhëtimit, sigurimi i kufijve, rendin publik dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shpejtësia e këtij procesi, krejtësisht varët nga qeveria e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Fajon ka thënë se ndjenja e lirisë së lëvizjes në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor do të jetë një arritje për qytetarët e Kosovës që do të mund të udhëtojnë të lirë në vendet e BE-së. “Do të jetë me rëndësi për besimin, bashkëpunimin dhe kontaktin ndër-njerëzor, veçanërisht për gjeneratat e reja”.

Fajon ka paralajmëruar se do të vizitoj Prishtinën gjatë muajit shkurt.

Nis pa udhërrëfyes

Kosova nisi të enjten dialogun për liberalizimin e vizave me BE’në. Komisionerja europiane, Cecilia Mallmstrom, tha se shpreson që udhërrëfyesi t’u dorëzohet autoriteteve kosovare gjatë pranverës . Për këtë, ajo kërkoi plotësimin e disa kushteve në sferën e legjislacionit si dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.

Komisionerja për Çështje të Brendshme e Bashkimit Europian, Cecilia Mallmstrom dhe Qeveria e Kosovës kanë filluar të enjten zyrtarisht dialogun për liberalizimin e vizave.

“Kushtet për fillimin e dialogut janë përmbushur mjaftueshëm siç është riatdhesimi dhe riintegrimi i të kthyerve. Jemi këtu që formalisht të fillojmë këtë proces, pra kjo është një deklaratë politike, ne po fillojmë dialogun...”, ka deklaruar Mallmstrom pas takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Por, Mallmstrom nuk ka sjellë edhe udhërrëfyesin e shumëpritur. Ajo madje ka thënë se nuk ka ardhur me një qëllim të tillë.

“Jo, unë nuk e kam udhërrëfyesin me mua, ky as nuk ka qenë qëllimi”, ka thënë Mallmstrom.

Ajo ka theksuar se ka ende kritere që duhen plotësuar për ta marrë udhërrëfyesin, ndër të cilat ka theksuar luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe legjislacionin.

“Nuk mund të jap një datë të saktë, por është qëllimi im që ai të jetë gati gjatë pranverës dhe pastaj do të jetë në duart e shoqërisë dhe Qeverisë së Kosovës për të përmbushur reformat që kërkojnë shumë punë për të bërë”, ka thënë ajo.

Po ashtu nuk ka mundur të flasë as kur kosovarët mund të lëvizin pa viza në shtetet e BE’së.

“Për t’i hequr vizat, ne duhet të sigurohemi që ka një menaxhim të caktuar të kufirit se mund t’i besojmë njëri-tjetrit, pra Unioni Europian dhe vendet fqinje. Pra, ne kemi kritere që duhen përmbushur, që pak a shumë janë të njëjta për të gjitha vendet, varësisht se ku janë vendet në proceset e tyre”, ka thënë Mallmstrom.

Komisarja europiane ka thënë se ka një draft të udhërrëfyesit.

“Ne jemi duke e draftuar atë, po punojmë në të...” ka thënë ajo.

“Unë jam e lumtur që të bëj çfarëdo që është e mundur nga ana e Komisionit, por edhe të institucioneve tjera; Këshillit Europian, Parlamentit, EULEX-it, të gjithë të tjerët që janë të pranishëm në Kosovë e që janë të gatshëm për të ndihmuar me ndihmën financiare dhe ekspertizën teknike, si dhe me përvojën që e kanë arritur, që liberalizimi i vizave të bëhet shumë shpejt realitet”, ka potencuar ajo.

Kryeministri Thaçi nuk ka arritur të shpjegojë mosardhjen e udhërrëfyesit e këtë gjë është munduar ta arsyetojë me faktin se Kosova është vend sapo i pavarësuar.

“Në këtë proces duhet të jemi të sinqertë dhe të hapur edhe me vetveten dhe të pranojmë se jemi populli i fundit që e kemi fituar lirinë, të fundit që jemi pavarësuar në rajon dhe natyrisht se në këtë proces hyjmë me pasojat historike, me perspektivë për të ardhmen”, ka thënë ai.

Fillimin e dialogut për vizat ndërkaq e ka quajtur ditë historike dhe të bekuar për popullin e Kosovës.

“Ajo çka është jashtëzakonisht me rëndësi është se Kosova po trajtohet njëjtë si gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të respektohen të gjitha kriteret dhe procedurat e njëjta sikur te vendet tjera edhe për Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Ai ndër të tjera ka bërë të ditur se do të krijohen ekipe të veçanta për përpilimin e kushteve, të cilat Kosova duhet t’i plotësojë për heqjen totale të regjimit të vizave.

“Tani do të formohen ekipet e posaçme të Republikës së Kosovës me autoritet të Brukselit dhe në bashkëpunim me EULEX’in, dhe kriteret do të përpilohen bashkërisht dhe pastaj do të zbatohet çdo kriter i përpiluar”, ka thënë ai.

Komisarja Mallmstrom, gjatë vizitës së djeshme, është takuar edhe me shefin e misionit të EULEX’it në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac. Ndërkohë që në Prishtinë pritet të qëndrojë edhe sot.

Ndryshe, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.

Pavarësisht se parashihet që ky proces mund të marrë shumë kohë, madje deri në 3 vite, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tashmë janë shprehur të bindur se deri në fund të vitit edhe kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›