E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mbështet shkrimtarët

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë projektet që sigurojnë kushte më të mira të punës për Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur të enjten, në një takim, kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi si dhe nënkryetarin Shyqyri Galica, me të cilët ka diskutuar për sfidat dhe fushat e bashkëpunimit.

Ministri Krasniqi vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e LSHK-së në të kaluarën por edhe tash, duke thënë se ka dhënë një kontribut të çmueshëm në ruajtjen dhe promovimin e idesë së lirisë dhe vlerave kombëtare. Ai deklaroi se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka në fokus të veçantë librin dhe mbështetjen për të gjithë krijuesit.

Nga ana e tij, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi ndër të tjera shprehi disa shqetësime në lidhje më kushtet e punës, në veçanti me çështjen e hapësirës për punë. Ai falënderoi ndërkaq ministrin Krasniqi për bashkëpunimin dhe vullnetin e treguar për të ndryshuar për të mirë kushtet në të cilat veprojnë shkrimtarët, por edhe komunitetet tjera të kulturës.

Në lidhje me rregullimin e kushteve hapësinore për LSHK-në, ministri Krasniqi shprehu gatishmërinë që bashkë me Kuvendin Komunal të Prishtinës të gjejnë modalitetet për zgjidhjen e këtij problemi për Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, por edhe për organizata të tjera që merren me kulturë.

MKRS është e gatshme, tha ministri Krasniqi, që të investojë në një projekt të tillë. Përveç tjerash ai shtoi se mbështetja për LSHK-në do të jetë e vazhdueshme edhe në projekte të tjera që lidhen më punën e shkrimtarëve, veçanërisht për aktivitetet tradicionale të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›