E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakte të reja për avionin e rrëzuar francez

Paris - Hetuesit francezë bënë të ditur se avioni francez, Air France, që u zhduk mbi Atlantik, kishte dërguar 24 mesazhe disa minuta përpara se të rrëzohej. Ata thanë gjithashtu se funksioni i pilotit automatik nuk ishte vënë në punë, por nuk mund të sqaronin nëse nuk kishte arritur të punonte apo nuk ishte ndezur fare.

Kreu i Agjencisë Hetimore Franceze tha në konferencë për shtyp se:"Brenda katër minutave, 24 mesazhe që tregojnë për anomali apo gabime, janë transmetuar.Në mënyrë të veçantë, 14 mesazhe gabimi u dërguan vetëm në minutën e fundit. Këto mesazhe u dërguan nga ora 2.10’’ deri në 2.11".

Meteorologët thanë se nuk kishte prova që të tregonin se stuhia me të cilën ishte përballur avioni ishte e jashtëzakonshme për sezonin. Zyrtarët nuk e dinë se çfarë ndikoi në problemet e avionit, që fluturonte në një zonë me stuhi dhe turbulenca.

Ditën e premte, ministri francez i Mbrojtjes tha se një nëndetëse franceze po i bashkohej operacioneve të kërkimit për të gjetur kutinë e zezë të avionit. Bëhet e ditur se edhe SHBA-ja po dërgon mjete të specializuara për dëgjimin.

Hetuesit njoftojnë se pa gjetur kutinë e zezë, gjasat për të zbuluar arsyen e rrëzimit të avionit janë të pakta.

Avioni, Airbus A330 u zhduk gjatë rrugës prej Rio de Zhaneiros për në Paris, ditën e hënë.

Start/BBC

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›