E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktet e reja, Prokuroria shkatërroi hetimin e dosjes “Gërdeci”

Skandali, dokumente të dorës së parë nuk u verifikuan asnjëherë. Mister arsyet e injorimit të dokumenteve tejet të rëndësishme

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria shqiptare u tall për 1 vit rresht me 26 kufoma të karbonizuara në Gërdec. Faktet e reja, të marra nga vetë dosja e Prokurorisë, nuk vërtetojnë vetëm implikimin e firmës “Trans Digging Construction” në ndërtimin e Fabrikës së Gërdecit, por edhe injorimin që organi i akuzës u ka bërë këtyre të dhënave kaq të rëndësishme për gati 1 vit rresht. Faksimilet e botuara më lart tregojnë se më 8 korrik 2008 dhe më 2 tetor 2008, oficerët e Policisë Gjyqësore kanë administruar pranë Policisë Ushtarake dhe pranë bazës ushtarake në Gërdec gjithë praktikën e këtyre institucioneve. Në këtë praktikë bën pjesë dhe raporti sekret i Policisë Ushtarake për firmën “Trans Digging Construction” (i botuar në fq. 3), por edhe dokumenti tjetër ku gjeneral brigade Astrit Jaupi i kërkonte gjeneral brigade Shpëtim Spahisë të dorëzonte dokumentet që justifikonin ndërhyrjen e firmës në fjalë në repartin e Gërdecit. Si ishte e mundur të injoroheshin nga Prokuroria këto fakte?! Si mundi organi i akuzës të injoronte raportin sekret të Policisë Ushtarake, të cilin e sekuestroi në cilësinë e provës që në tetor të vitit 2008?! Pasi siguroi këto dokumente “Albania” u konsultua me juristë ekspertë, të cilët u shprehën se “të dhënat në fjalë do të quheshin prova të dorës së parë për çdo hetues serioz”. Por jo, nuk ndodhi kështu në rastin e Gërdecit, pasi Prokuroria e nisi hetimin mbi firmën “Trans Digging Construction” vetëm kur dosja e Gërdecit trokiti në dyert e Gjykatës së Lartë.
Dritëhijet
Publikimi në media i këtyre dokumenteve, përveçse hedh dritë mbi njerëzit e angazhuar direkt në ndërtimin e Fabrikës së Gërdecit, fut në epiqendër të skandalit dhe organin e akuzës. Tashmë këtij organi i duhet të provojë në mënyrë racionale dhe shkencore se cilët ishin personat dhe cilat ishin rrethanat e injorimit të këtyre dokumenteve me një rëndësi të jashtëzakonshme. Po sikur media të mos kishte zbuluar ekzistencën e kësaj firme, çfarë do të bënte Prokuroria?! Si rregull, për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, prova më e mirë do të jenë materialet e punës mes vetë prokurorëve të grupit hetimor “Gërdeci”. Në këto dokumente janë regjistruar emrat, firma dhe vula e oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe prokurorëve që kanë kryer sekuestrimin e tyre. Tashmë për të parë se si janë trajtuar këto dokumente duhen shqyrtuar relacionet që këta prokurorë dhe oficerë gjyqësorë i kanë bërë kryehetuesit të Gërdecit (ka qenë Zamir Shtylla, tanimë është Sokol Stojani) dhe për të parë nëse hetimet janë “taposur” nga prokurorët që i administruan, apo nga drejtuesit e hetimeve.
Paranoja
Në kushtet kur organi i akuzës ka injoruar për muaj me radhë “elefantin mbi tryezë”, atëherë normalisht lind pyetja se çfarë tjetër mund të jetë injoruar nga hetuesit e kësaj çështjeje? Gazeta “Albania” prej disa javësh ka rreshtuar një sërë përgjigjesh të munguara nga ana e hetimit të Prokurorisë, të cilat fillojnë që me personazhe të dëshmuar nga ish-punonjësit e fabrikës si “drejtues të procesit” e që nuk janë pyetur kurrë e deri te mungesa e përgjigjeve për disa çështje logjike, siç janë; evidentimi i kontove bankare ku u depozituan fitimet e Gërdecit, apo injorimi total që iu bë zotit Patrik Henri, pronar i firmës “Southern Ammunition”, e cila ishte e vetmja kompani që kishte kontratë me shtetin për të operuar në Gërdec.

Dështimi 2 i Prokurorisë, nuk u zbuluan fitimet përrallore

Përfitime të paligjshme. Kjo është një nga frazat më të përdorura në dosjen “Gërdeci”. Po ku shkuan miliardat e përfituara, kush i disponon, ku janë depozituar? Përgjigjja: Prokurorët e çështjes nuk e kanë haberin edhe pas një viti hetimesh intensive. Në dosje nuk jepet asnjë e dhënë, madje nuk është lënë as ndonjë afat kohor për të kryer ndonjë verifikim të mundshëm. Në këtë mënyrë, një prej pyetjeve më të rëndësishme të lindura gjatë hetimit nuk ka mundur të marrë dot një përgjigje. Pa përgjigje ka ngelur dhe “Albania”, e cila në interesimin e bërë ditën e djeshme pranë organit të akuzës është refuzuar nga prokurorët për të dhënë detaje, megjithëse mund të siguronte prej tyre një pranim në heshtje të dështimit në hetimin e kësaj piste. Nën zë prokurorët e çështjes dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, të angazhuar në hetim, kanë pranuar se janë gjendur gjurmë të depozitimit të parave nga firmat e përfshira (“Southern Ammunition” dhe Albademil”) në Zyrih të Zvicrës, por fakti që këto firma kanë llogari aty nuk provon aspak se bëhet fjalë për fitimet e siguruara nga shitja e skrapit apo armatimeve të grumbulluara në Gërdec. “Nuk mund të ketë një përgjigje të saktë dhe koncize mbi këtë çështje, pasi nuk janë evidentuar dokumente që të bëjnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes kontove bankare të evidentuara dhe faturave të shitjes për municionet e Gërdecit”, - i tha një prej prokurorëve të dosjes gazetës “Albania” pak kohë më parë. Mosgjetja e gjurmëve të depozitimit të parave të fituara nga aktiviteti në Gërdec duket se sjell dhe dështimin në një nga pistat më kryesore të hetimit. A nuk ishte fitimi qëllimi kryesor i aktivitetit? Ndonëse nuk ka kryer asnjë aktivitet hetimor frytdhënës në këtë drejtim, Prokuroria duket se nuk ka denjuar as të përmendë shkaqet e këtyre “mungesave” të konstatuara për një nga pistat më kryesore të hetimit. Duket se prokurorët e çështjes mund të jenë përqendruar më tepër në një hetim të tipit administrativ duke u mjaftuar vetëm me disa letër-porosi të dërguara dhe duke mos ndërmarrë hetime të mëtejshme qoftë dhe me aksione të stimuluara për të gjetur diçka më tepër në lidhje me kanalizimin e këtyre të ardhurave.

Dështimi 3, u procedua nënkontraktori dhe u “harrua” Patrik Henri

Duket se organi i akuzës, përpos dështimit me evidentimin e parave të fituara në Gërdec, ka “harruar” dhe një detaj tjetër po aq të rëndësishëm. Bëhet fjalë për zotin Patrik Henri, i cili ishte kontraktori zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes. Ai ishte pronar i firmës “Southern Ammunition” dhe është pikërisht kjo firmë që ka nënshkruar dy kontratat me Ministrinë e Mbrojtjes. Zoti Henri është personi që ka nënshkruar, ndërsa ai është paralelisht në ortakëri me Mihal Delijorgjin në firmën “Albademil”. Por nuk është firma “Albademil” ajo që operonte në Gërdec, por pikërisht firma “Southern Ammunitin”. Nuk dihet pse Prokuroria ka marrë të pandehur një ortak të zotit Henri dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor ndaj vetë atij, që është kontraktori i drejtpërdrejtë me Ministrinë. Kjo është një tjetër pikëpyetje logjike mbi mënyrën se si funksionoi organi i akuzës gjatë hetimeve. Në lidhje me zotin Henri prokurorët tregohen gjithnjë të rezervuar kur përballen me interesimin e gazetarëve, ndërsa në kërkesën për gjykim që i kanë dërguar Gjykatës së Lartë për këtë çështje, zoti Patrik Henri përmendet shpesh në dosje, por në të njëjtën dosje nuk jepet asnjë argumentim mbi mungesën e hetimit ndaj tij.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›