E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e Balliut dhe Delijorgjit ndërtoi Fabrikën e Gërdecit

Zbardhen dokumentet, firma “TDC” u denoncua zyrtarisht nga Policia Ushtarake. Praktika e plotë e ndërtimit të fabrikës që mori 26 jetë njerëzish

Habjon Hasani

Tiranë - Ndryshe nga sa deklaroi zoti Fahri Balliu një javë më parë, rezulton se firma “Trans Digging Constructions” ka kryer aktivitet tregtar. Madje një aktivitet të veçantë, pasi kjo firmë ka ndërtuar Fabrikën e famshme të Gërdecit, shpërthimi i së cilës shkaktoi 26 kufoma. Dokumente ekskluzive, të shkëputura nga materialet e sekuestruara nga Prokuroria e Përgjithshme, hedhin dritë mbi një rol të paimagjinuar të kësaj firme në ndërtimin e Fabrikës së Gërdecit. Për ta ndërtuar këtë fabrikë firma “Trans Digging Constructions” nuk u pengua dot edhe pasi Policia Ushtarake njoftoi me shkresë zyrtare ministrin Mediu dhe gjeneral Hoxhën për “ndërtime të paligjshme në Gërdec”, por edhe pasi gjeneral brigade Astrit Jaupi i kërkonte gjeneral Shpëtim Spahiut urdhrin që i hapte rrugë kësaj firme të punonte në Gërdec. Por gjurmët që ka lënë aktiviteti i kësaj firme është i pabesueshëm, pasi ka pasur sinjalizime tejet serioze për aktivitetin e saj në ndërtimin e Fabrikës së Gërdecit pa pasur asnjë leje apo urdhër ligjor që do ta justifikonte.
Policia
Më 13 prill 2007, komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake, Drini Nikolla, i dërgon ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe ish-shefit të Shtabit, Luan Hoxha, Raportin konfidencial nr. 194. Rëndësia e këtij raporti pohohet qartësisht që në titullin e tij, pasi materiali i dërguar përshkruhet me togfjalëshin: “Për veprimtarinë kriminale në njësinë dhe repartet e Komandës së Bashkuar”. Ky dokument tejet i rëndësishëm jepte informacion për të gjithë aktivitetin e paligjshëm dhe kriminal që kishte konstatuar Policia Ushtarake në radhët e Forcave të Armatosura. Dokumenti përmblidhte aktivitetin kriminal të konstatuar në harkun kohor të një muaji. Në pikën numër 14 të tij, mes radhëve, lexohet dhe emri i firmës “Trans Digging Constructions”. Informacioni në fjalë lexohet qartësisht në faksimilen e botuar, ndërsa nga raporti i Policisë Ushtarake del qartë se firma “Trans Digging Constructions” kishte filluar të ndërtonte Fabrikën e Gërdecit bazuar në një urdhër gojor të gjeneral Shpëtim Spahiut, madje kjo firmë, pa pasur ende një urdhër ligjor për të operuar, kishte nisur dhe prishjen e tri objekteve, pronë shtetërore në repartin e Gërdecit. Ky dokument jo vetëm që “vulos” aktivitetin e firmës “Trans Digging Constructions” në Gërdec, por mbi të gjitha hedh dritë mbi informimin e ish-ministrit Mediu dhe të ish-shefit të Shtait, Luan Hoxha, se vartësi i tyre, gjeneral Shpëtim Spahiu, me një urdhër gojor e kishte futur këtë firmë të kryente aktivitet në Fabrikën e Gërdecit.
Gjurmët
Një tjetër dokument i sekuestruar nga Prokuroria tregon se më datë 11 qershor 2007, gjeneral brigade Astrit Jaupi i kërkonte gjeneral brigade Shpëtim Spahiut të depozitonte urdhrat shkresorë që do të justifikonin punimet që po kryente firma “Trans Digging Constructions” prej 2 muajsh në Gërdec. Një parodi e vërtetë. Një letërkëmbim absurd.(!) Dy ushtarakë të lartë bënin letërkëmbime me njëri-tjetrin që t’ia “kopsitnin” dokumentet një kompanie private që kishte filluar të ndërtonte fabrikë (pa disponuar asnjë dokument që ta justifikonte) në një territor ushtarak, ku këta gjeneralë ishin “zot e shkop”. Si është e mundur që këta gjeneralë të përpiqeshin me urgjencë të “kopsitnin” letrat e kësaj firme, ndërsa kjo firmë kishte dy muaj që punonte pa kokëçarje në Gërdec?! Çfarë masash morën krerët e Shtabit apo të Ministrisë së Mbrojtjes kur u njoftuan nga Policia Ushtarake se një gjeneral i Ushtrisë shqiptare, zoti Shpëtim Spahiu, kishte lejuar me një urdhër gojor aktivitetin e një firme private në një bazë ushtarake, e dy muaj pasi firma kishte filluar punimet, pikërisht gjeneral Spahiu nuk kishte depozituar asnjë dokument ligjor për këtë çështje?!

Lidhja 2, aksionerja e firmës “TDC” regjistroi dhe firmën “Albademil”

Dokumenti majtas tregon se më datën 30 maj 2007, ndërsa firma “Trans Digging Constructions” ndërtonte pa leje në Gërdec, zonja Flora Xhillari kishte depozituar pranë një notereje NIPT-in e kompanisë “Albademil”. Po kush është zonja Xhillari? Deri tani, e vetmja gjë e sigurt është se zonja Xhillari, në shkurt të vitit 2009, u bë 40 për qind aksionere e firmës “Trans Digging Constructions”. Panorama bëhet më e qartë gjatë shqyrtimit të praktikës së firmës “Trans Digging Constructions”. Deri në shkurt të vitit 2009 pesë aksionerët e kompanisë “Trans Digging Construction” ishin vëllezërit Delijorgji (Mihal dhe Kristo), vëllezërit Mata (Martin dhe Ervin) si dhe Henris Balliu, e bija e botuesit Fahri Balliu. Më 16 shkurt 2009, në bazë të një kontrate dhurimi, dy vëllezërit Mata transferuan aksionet e tyre (në total 40 për qind) te zonja Flora Xhillari. Kjo kontratë dhurimi është bërë në një moment kur Delijorgji ndodhej në ambientet e paraburgimit, ndërsa organi i akuzës kishte përmbyllur “filtrimin” e aktivitetit të tij tregtar. Nuk ekzistojnë shumë të dhëna në lidhje me aktivitetin tregtar të ortakëve të Delijorgjit, megjithatë “Albania” siguroi dokumente që provojnë se njëri prej tyre, Martin Mata (i cili i dhuroi 2 muaj më parë aksionet e tij), është menaxher i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (AAEF), madje një menaxher i rëndësishëm, pasi në faqen zyrtare të Fondit, Martin Mata përshkruhet si “zyrtar i lartë i ekipit të menaxhmentit”. Sikundër dihet, Fondit Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, së bashku me kompaninë franceze “Sagem”, janë bashkëpronarë të konsorciumit “Aleat”, i cili është dhe koncesionari për prodhimin e kartave të identitetit në Shqipëri. Martin Mata ka qenë përfaqësues ekskluziv i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe ka nënshkruar për llogari të këtij fondi ditën e krijimit të konsorciumit “Aleat”.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›