Fakti i ditës/Rama përzgjedh gazetarët me SMS, nga frika se pyetjet e padëshirueshme do t’i shkaktonin një trazim nervor

Në mesditën e djeshme një pjesë e gazetarëve që po ndiqnin punimet e Kuvendit, në të cilën votohej Komisioni i hetimor parlamentar për “incidentin diplomatik” të Vjenës, morën një SMS-mesazh në telefonat e tyre nga zëdhënësja për mediat e Partisë Socialiste, e cila i ftonte në një bashkëbisedim me kryetarin e opozitës, Edi Rama. Kjo ftesë selektive për gazetarët e disa mediave nga ana e kryetarit të PS, Edi Rama, që përzgjedh gazetarët me SMS, është mënyra e vetme për t’i shpëtuar pyetjeve të padëshirueshme që do t’i shkaktonin një trazim nervor. Padyshim nëse një nga gazetarët e përzgjedhur për dekorin e bashkëbisedimit do të provonte të bënte një pyetje “me spec”, më saktë jo një pyetje klishe, do t’i vihej viza e kuqe dhe në rastet e tjera të bashkëbisedimit të përjashtohej.
Pengimi që kreu i PS i bën gazetarëve jo të lidhur me linjën e tij politike, është një pengim që i bën demokracisë duke mohuar shprehjen e lirë të pyetjeve, pavarësisht sesi do të jenë përgjigjet.
Padyshim marrëdhëniet e Edi Ramës me gazetarët kanë qenë gjithmonë e vështirë në kufijtë luftës së ftohtë. Dëshira për të diktuar informacionet dhe lajmet në shtyp dhe mediat televizive ka qenë e kahershme e Edi Ramës. Këtë sjellje jo fort etike e pati qortuar edhe “prurja” më e re e Edi Ramës në Peqin, Alfred Peza. Ish-kolegu Alfred Peza gjatë emisionit “Top Story” të datës 30 tetor të 2008 tejet i revoltuar pati deklaruar se, “jam shumë i shqetësuar sepse shpresa e medias për të qenë e lirë dhe transparente është tek opozita dhe tek lideri i opozitës. Edi Rama është modeli i dhunimit të medias. Unë e akuzoj publikisht Edi Ramën për dhunë verbale ndaj medias, për dhunë verbale sistematike, sepse ai, kush i di sadopak raportet që ka me mediat duhet të kuptojë, se duke qenë në opozitë kërkon të diktojë të vërtetat e tij, që në emisione të ftojmë këdo ai, të mos bëjmë emisione pa marrë lejen e tij. Të paktën Berisha nuk të merr në telefon apo të çon sms, ndërsa Edi Rama këtë e bën në mënyrë sistematike, deri tek kryeredaktorët e mediave më periferike derisa është bërë objekt batutash dhe barsoletash qesharake. Unë besoj se ku njeri kur bën kështu kur është në opozitë, mendoni se çfarë mund të bëjë kur të jetë në qeveri”.
Pesë vite me pas gjërat nuk është se kanë ndryshuar shumë, përveçse faktin që Alfred Peza është bërë kandidat i PS në Peqin.
Kuptohet vetiu që historia dydekadëshe e Ramës me gazetarët është e vështirë të fshihet me furçat e fundit, të shqiptuara nga tmerri se po cilësohet si “armiku kryesor i shtypit”.
Shtirja e fundit është një përpjekje për të minimizuar humbjen në zgjedhje, përmes përmirësimit të imazhit, por marrëdhëniet e Ramës me gazetarët janë të njëllojta si ato që kryesocialisti ka me gratë, thjesht marrëdhënie urrejtjeje. Duhet të kujtojmë këtu rastin kur ish-kryebashkiaku Edi Rama e quajti “prostitutë” një gazetare që po e pyeste për punët publike.