Rama, raport mjekësor për të justifikuar humbjen
Hartimi i listës private të kandidatëve për deputetë mendohet të jetë angazhimi i fundit politik i Edi Ramës në këtë fushatë elektorale. I pajisur me sondazhet që i konfirmojnë humbjen në zgjedhje, Edi Rama po përgatit paraprakisht edhe alibinë. Një raport mjekësor për rëndimin e gjendjes shëndetësore do ta largojë kreun e PS-së nga mitingjet e dy javëve të fundit, duke justifikuar kështu edhe humbjen e pritshme. Pas “rënies së tensionit” në Burrel, dhuna e Vjenës dhe përplasjet e egra në grupin parlamentar kanë afruar nevojën për tërheqje të përkohshme, si një mënyrë për të shmangur largimin nga drejtimi i PS-së
Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët pyetjes, nëse PS i ka mbyllur listat e kandidatëve për deputetë në qarqe dhe se ku ka konsistuar problematike deri tani, iu është përgjigjur se, “në raport me listat e natyrshme që të ketë ndonjë stonaturë, dalje publike, i mirëkuptoj stonaturat dhe pse janë plotësisht të evitueshme”.
Padyshim “stonatura”, që në shqip është “kërcitje”, për të cilën flet kreu i Partisë Socialiste ka të bëjë me prurjet e reja të kandidatëve për deputet që futi në listat e sigurta të opozitës përpara të lidhte aleancë me LSI-në, që kanë krijuar një pakënaqësi në bazën socialiste.
Kandidatura e sigurt e Alfred Pezës, Ilirian Celibashit, Parid Carës, Evis Kushi etj, është një kërcitje në veshët e shumë deputetëve aktualë të PS që kanë sakrifikuar duke bërë protesta, greva urie dhe demonstrata të pafund për të sjellë kryetarin Rama në pushtet pa votë.
Afërmendsh, reagimi spektakolar i ish-deputetëve të PS, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, pas shpalljes së tyre të padëshirueshëm ishte rrjedhojë e mosnjohjes së meritave dhe kontributeve në “ditë të vështira” për kreun e PS.
Ndërkaq hartimi i listës private të kandidatëve për deputetë mendohet të jetë angazhimi i fundit politik i Edi Ramës në këtë fushatë elektorale. I pajisur me sondazhet që i konfirmojnë humbjen në zgjedhje, Edi Rama po përgatit paraprakisht edhe alibinë. Një raport mjekësor për rëndimin e gjendjes shëndetësore do ta largojë kreun e PS-së nga mitingjet e dy javëve të fundit, duke justifikuar kështu edhe humbjen e pritshme. Pas “rënies së tensionit” në Burrel, dhuna e Vjenës dhe përplasjet e egra në grupin parlamentar kanë afruar nevojën për tërheqje të përkohshme, si një mënyrë për të shmangur largimin nga drejtimi i PS-së. Hedhja e poshtë e kontributeve në protesta, greva urie dhe demonstrata në të cilat mund të linin kokën është një kafshatë e pakapërcyeshme me njerëzit me karakter dhe dinjitozë.
Sido që të jetë rezultati i kësaj strategjie prej struci, një gjë është e sigurt: Edi Rama do të ketë të vështirë të gënjejë edhe një herë grupimin politik të opozitës se “vota u vjedh dhe e vërteta gjendet në kuti”. Edi Rama duhet të heqë dorë nga krijimi i një klime negative përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, që konsiderohet çelësi i demokracisë që hapë portën e integrimit evropian të vendit. Jo vetëm Statusi i vendit Kandidat por edhe çelja e negociatave me BE të Shqipërisë, njëkohësisht me Serbinë dhe Maqedoninë, varen nga sjellja e përgjegjshme e opozitës dhe pozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila certifikon standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Plotësimi i KQZ me anëtarë të përzgjedhur nga opozita parlamentare është një detyrë kombëtare përpara të cilës Edi Rama s’mund të tërhiqet në ilegalitet.