Fakti/Basti i humbur i Edvinit me 3.5 milionë shqiptarë që duan liberalizimin e vizave
Ndonëse disa ditë më parë Edi Rama i kërkoi Presidentit të KE-së Manuel Barroso, që çështja e situatës politike në Shqipëri të mos lidhej me vendimin e institucioneve të BE-së për liberalizimin e vizave, dje i shoi dhe këto dyshime. Që nga koha kur ai e ka shkruar atë letër, por edhe më parë, ai ka vënë në përdorim të gjithë artilerinë e Partisë Socialiste, përshirë dhe financat, duke u munduar të verë si kolateral lëvizjen e lirë të tre milionë e gjysmë shqiptarëve, për zgjidhjen e një çështje politike, që tashmë është shndërruar në një betejë, madje në një bast të tijin personal.
Tashmë Rama nuk kujdeset as vetë për ta kamufluar këtë strategji, jo vetëm kur nxjerr një nga një eksponentët e Partisë Socialiste nëpër konferenca shtypi, që deklarojnë se pa zgjidhje të së ashtuquajturës “krizë” nuk ka viza për shqiptarët, jo vetëm, kur nxjerr kryetarin e grupit parlamentar Gramoz Ruçi në Parlamentin shqiptar që thotë se europa jo vetëm do t’i heqë vizën Shqipërisë, por nuk do t’u heqë dhe vizat shqiptarëve, por dhe kur në mediat që kontrollon, organizon sondazhe të tilla qesharake, ku mbi 80 për qind e shqiptarëve përgjigjen se Europa duhet ta kushtëzojë lëvizjen e lirë të tyre, me zgjidhjen e ngërçit politik. Pra sipas këtyre sondazheve, shqiptarët kërkojnë më mirë të zgjidhet ngërçi politik dhe të hapen kutitë, se sa të shkojnë lirisht tek fëmijët dhe të afërmit e tyre. Një ditë përpara të ashtuquajturit “Raport Chountis” për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Edi Rama po lobon fort duke përdorur edhe të majtën europiane pro-serbe dhe eurodeputetë rumunë për të përfshirë në raport, amendamente shtesë që do të konkretizojnë ëndrrën e tij të vetme, që ai mendon se mund ta mbajë në krye të Partisë Socialiste dhe mund ta sjellë në pushtet nesër: Vonesën e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Në këtë mënyrë nuk është ai që ka vënë bast me tre milionë e gjysmë shqiptarë, por janë tre milionë e gjysmë shqiptarët që kanë bast me të.
Pavarësisht, liberalizimi i vizave nuk do të kushtëzohet nga ecejaket e një karikature politike, për sa kohë qeveria legjitime dhe autoritetet e saj kanë përmbushur kushtet e lëvizjes së lirë dhe se s’ka asnjë deklaratë cinike nga Bashkimi Evropian. Por në sens të kundërt mendon vetëm Edi Rama, fati i të cilit tashmë ka marrë një udhë të gjatë dhe të largët drejt zhbërjes politike, çka do të thotë delegjitimimin e forcës që drejton bashkë me përfaqësuesit parlamentarë.
Nxjerrja jashtë linjave të institucionalitetit politik të Edi Ramës, është një detyrë kritike e shqiptarëve në veçanti dhe e socialistëve në tërësi. Arsyeja është e thjeshtë dhe s’ka nevojë për shumë komente. Edi Rama ka marrë përsipër riskun e mbetjes së shqiptarëve pa viza, por kjo s’ka për t’ja përmbushur atij këtë dëshirë të madhe, pasi deri në hyrjen e Shqipërisë në “Schengen” ai do ketë marrë një resto apo një “grusht” nga po ata të “dobët”, që ai i keqpërdori për 11 muaj me radhë në kërkim të kauzës së zgjedhjeve.