Pas Tiranës, edhe Durrësi e Librazhdi bashkëjetojnë me përmbytjen
Neglizhenca/Vendorët socialistë, asnjë masë për parandalimin e përmbytjeve në qendrat urbane
Prej ditësh Tiranën e shoqëron një kaos rrugor, por në ditët me shi situata bëhet edhe më e rënduar. Rreth 100 mijë automjete të reja dhe të vjetra në pjesën më të madhe të ditës, kryqëzohen tek sheshi “Skënderbej”, pika kryesore e Tiranës, pikë kjo e bllokuar për shkak të punimeve. Pothuajse gjatë gjithë ditës së djeshme, akset para Muzeut Kombëtar, në kryqëzimin te rruga e “Durrësit” dhe segmentin prapa Bankës së Shqipërisë, ishte e pa mundur të kaloje pa pritur gati një orë, pavarësisht distancave tejet të vogla.
E si të mos mjaftonte kjo situatë, trafiku rëndohet më tej edhe nga mungesa e korsive të kthimit majtas, një kombinim të sinjalistikës së kthimit majtas dhe ruajtjes së korsive drejtvizore në të gjitha akset rrugore në kryeqytet, elementë këto të domosdoshëm teknikë për një trafik normal. Problematike gjatë ditës së djeshme ishin segmentet e rrugëve nga bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga e Kavajës, 21 Dhjetori, e Durrësit, Unaza e Re, segmenti i rrugës pranë shkollës “Teknologjike”, etj. Por meseleja e rrugëve të përmbytura vazhdon edhe në disa qytete të tjera në rrethe.
E njëjta situatë vlen të theksohet edhe për qytete si Durrësi dhe Librazhdi, të cilat prej dy ditësh me radhë vazhdojnë të jenë të mbuluara nga uji.
Autoritetet vendore, jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj situate, por njëherazi as nuk e kanë marrë mundimin të ndërhyjnë dhe të rikthejnë stabilitetin nëpër rrugët e qytetit. Lënia pas dore e punëve të bashkive përkatëse dhe mungesa e kontributit ndaj komunitetit, ka të bëjë pikërisht me shkrirjen nëpër protesta dhe tubime e Edi Ramës të administratës vendore.
Shqetësimi i qytetarëve, të cilët prej muajsh tërë vazhdojnë të ndeshen me vulgaritetin e njësive vendore të kontrolluara nga socialistët, është sa i drejtë aq edhe alarmant pasi nënkupton qartazi mos funksionimin e një autoriteti të rëndësishëm, të cilit decentralizimi i ka faturuar përgjegjësitë e administrimit të jetës sociale dhe ekonomike të qytetarëve.