E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Donika Mici, nga qiramarrëse, në pronare tokash e më pas në ndërtuese të paligjshme

Në këtë fazë finale, ku po shkon reforma shqiptare për t’u çliruar nga të gjitha aksionet që ai posedon në ndërmarrje të ndryshme, të cilat janë dhënë në kontrata qiramarrjeje afatgjata, vëmendja e institucioneve shtetërore kompetente duhet përqendruar tek korrigjimi i padrejtësive që kanë shoqëruar këtë proces bashkëpunimi mes privatëve dhe shtetit, gjithë këto vite. Persona privatë, agjenci, institucione, por edhe faktorë të tjerë mund të investojnë shtetin dhe sistemin e drejtësisë në një proces “pastrimi” që do ta nxirrte më të shëndetshëm rishtarin biznesmen, në botën e luftës për tregje. 

Por një rast klasik kur ky proces s’ka ecur, bile po bën prapa, është ai i privatizimit të hapësirës dhe kapanoneve që dikur kanë qenë pjesë e ndërmarrjes “Dyer, dritare plastike”, një “sui generis” i ndërmarrjeve të përbashkëta, që u ngritën mes shtetit dhe privatëve në fillim të viteve ’90. Pas një investimi që kreu në këtë ndërmarrje biznesmeni H.Fratari, Agjencia e Privatizimeve ia dha krejt ndërmarrjen atij në janar të vitit 1997, por më tej, një seri vendimesh gjyqësore prodhuan kalvarin e viteve 1998-2000, prej të cilave, ndërmarrja në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, iu rikthye shtetit, i cili nga ana e vet detyrohej që t’i kthente biznesmenit shumën e investimeve të kryera; sipas llogaritjeve rreth 2 miliardë lekë të reja. Pjesën e luanit në këtë skenar të tjetërsimit të investimit publik të shtetit e luajti “biznesmenja” Donika Mici, e cila sipas marrëveshjeve krejt të dyshimta, mori me qira për 20 vjet ndërmarrjen e rishtetëzuar, duke ia ndryshuar krejt destinacionin, për ta shndërruar në një fabrikë të prodhimit të këpucëve, të njohur jo aq për prodhimin e tyre, sesa për kushtet çnjerëzore në të cilat punonin vajzat e reja aty. Dhjetëra kronika televizive kemi parë për shkeljen e rregullave në punë, brenda kapanoneve të Donika Micit.

Por rregullat e biznesit ecin shpejt dhe qiramarrëses Mici iu desh të shndërrohet në pronare, në kundërshtim me ligjin, sepse vetëm kështu edhe tjetërsimi i biznesit mund të përfundonte tek një kompleks i rëndësishëm ndërtimi, prej 16 mijë metrash katrore në hyrje të kryeqytetit. Sërish në shkelje flagrante të procedurave të privatizimit, brenda më pak se një muaji, instanca shtetërore të dyshimta, qershorin e 2008-s i kalojnë në pronësi zonjës Mici kompleksin në fjalë, duke i njohur asaj të drejtën e parablerjes, meqenëse aty ishte kryer një investim më i lartë se 150 përqidn e vlerës së krejt objektit. 

Qesharake! E c’mund të thuhet për raportin e ekspertit kontabël të autorizuar, i cili investimet në kapanone (që për më tepër janë kryer jashtë destinacionit që përcaktonte marrëveshja e qiradhënies 20-vjeçare) i ka vlerësuar vetëm 78 milionë lekë. Po të vërehet mirë marrëveshja e privatizimit, shihet se Donika Mici e ka blerë ndërmarrjen me vlerën 121 milionë lekë, kur i njëjti biznes, ishte privatizuar nga shteti 125 milionë lekë në vitin 1997. Vini re, gjithçka lëviz në rritje në konjukturën ekonomike, përveç ndërmarrjes shtetërore, që dhjetë vjet më vonë, ka vlerë më të vogël. Sekreti në fakt është tek trualli që privatizohet, i cili ka vlerën minimaliste të 100 milionë lekëve, dhënë zonjës Mici, diku tek 20 mijë lekë metri katror, rreth 3 herë më pak sesa harta e tregut, e përcaktuar me VKM të veçantë. Këtu po, këtu ia vlen barra qiranë hetimit, sepse tek 16 mijë metra katrorët e privatizuar zbulohen marrëveshjet e fshehta “ndërtuese” që do ta tjetërsojnë fabrikën e këpucëve - tashmë inekzistente - në një kompleks ndërtues, që gëzon edhe “bekimin” e Bashkisë së Tiranës. 

Në këtë mes, afera e shtetit ka qenë kryekëput negative. Duke bashkëpunuar me Donika Micin, shtetit i duhet që t’i kthejë zotit Fratari dëmshpërblimin në një masë që duket se do t’i kalojë miliona eurot, të heqë dorë nga një pronësi që duket se mund të përdorej ndryshe dhe të fitojë një shumë prej një milionë eurosh, kur mund të merrte disafish. Kjo është një analizë e thjeshtë që duhet kryer nga strukturat shtetërore që kanë detyrimin të investohen për të bllokuar aferën, e ndoshta të ndihmojnë disi edhe prokurorinë, e cila duket se më në fund do të mund të kandiset të nisë një hetim për këtë shpërdorim masiv, që s’ka mbështetjen e askujt, përveç Donika Micit, ndonjë zyrtari në Ministrinë e Ekonomisë si dhe Bashkisë së Edvin Ramës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›