E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meditim për dinjitetin e njeriut

Aftësia e njeriut për t’i pasur mendimet, idetë dhe botëkuptimet e veta, si dhe aftësia që të sillet në përputhje me to, e bën atë qenie të dallueshme nga qeniet e tjera të gjalla, si dhe në kontekstin psikologjik e filozofik, e bën qenie individuale, që ndërthur brenda vetes një shumësi konceptesh dhe interesimesh. Të gjitha këto mundësojnë që njeriu të ketë personalitetin e vet, të ketë karakterin e vet, të ketë dinjitetin e vet...

Tashmë është konstatuar se jeta psikike e njeriut fillon që në kohën e formimit të tij si qenie njerëzore në barkun e së ëmës, kurse që nga themeluesi i psikoanalizës, Sigmund Frojd, ishte zbuluar dhe ishte pranuar roli që luan fëmijëria në formimin psiko-social të tij. Fëmijëria, që pason periudhën pas lindjes, e deri në rininë e hershme, sipas psikoanalistëve, ka ndikim jashtëzakonisht të madh në formimin e personalitetit, por edhe në deformimin e tij. Është kështu se njeriu që në moshën fëmijërore fillon t’i prodhojë idetë e para, mendimet e para, si dhe t’i mësojë sjelljet e para. Edhe të qarit, edhe të qeshurit edhe afërsia apo ftohtësia që ka në raport me të tjerët, duke filluar nga prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe me anëtarët e tjerë të familjes, janë pikërisht pasojë e një jete psikike që ka ai si fëmijë. Mirëpo, këtu nuk fillojnë vetëm elementet e para të formimit të njeriut si qenie individuale, por edhe të njeriut si qenie shoqërore, sepse pikërisht marrëdhëniet që ndërton me prindërit dhe me të tjerët që e rrethojnë, janë marrëdhëniet e para shoqërore që ka njeriu, të cilat ndikojnë shumë edhe në marrëdhëniet e mëpastajme shoqërore që do të ndërtojë ai. Për këtë arsye, fëmijëria merr një rëndësi shumë të madhe në formimin e personalitetit, e rrjedhimisht edhe të karakterit të tij. Ndaj edhe kjo periudhë ka tërhequr shumë si psikologët dhe studiues të ndryshëm. 

Jeta psikike që bën njeriu që nga fëmijëria, marrëdhëniet shoqërore me prindërit dhe pjesëtarët e parë të familjes, përbëjnë atë që mund të quhet edhe themeli i personalitetit të tij, e rrjedhimisht edhe i karakterit të tij, i koncepteve të para për jetën, i botëkuptimeve të para për ambientin që e rrethon, si dhe i parimeve themelore që do ta udhëheqin atë në jetë. Ballafaqimi i këtyre parimeve, i këtij botëkuptimi dhe i këtyre koncepteve që ai i merr apo i krijon që në fillimet e jetës së tij, me konceptet, botëkuptimet dhe parimeve shoqërore që ekzistojnë në një grup shoqëror apo në një shoqëri në tërësi, përbën sfidën e parë serioze me të cilën individi, apo njeriu si qenie individuale e ka që në fillimin e ballafaqimit të tij me ambientin ku jeton dhe me shoqërinë të cilës i takon. Dhe kjo sfidë është e tillë që përcakton në masë të madhe, apo vendimtare transformimet psiko-sociale të tij, e rrjedhimisht edhe të personalitetit të tij. Në këto ballafaqime, përveç tjerash, njeriu e shpërfaq individualitetin e tij, veçantinë e tij në raport me të tjerët. Kjo do të thotë se shpërfaq edhe veçori të tilla si temperamenti, sociabiliteti dhe dinjiteti i tij. Temperamenti ka të bëjë me aspekte emocionale, siç janë ndjeshmëria, nervoziteti, gëzimi, kënaqësia, lumturia etj.; sociabiliteti ka të bëjë me aspekte shoqërore të aftësisë apo paaftësisë për të qenë pjesë e ndonjë grupi shoqëror, kurse dinjiteti ka të bëjë me asepkte karakterologjike dhe morale të përcaktimit të raporteve ndërmjet njeriut si qenie individuale dhe të njeriut si qenie shoqërore, e që do të thotë se ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si e realizon ballafaqimin e parimeve, botëkuptimeve dhe koncepteve që njeriu ka të tijat apo i pranon si të tijat që në raportet e para shoqërore në familje me parimet, botëkuptimet e konceptet shoqërore të kohës. 

Dinjiteti është pikërisht ajo veçori karakterologjike që shpërfaq personalitetin e njeriut. Si i këtillë, dinjiteti ka të bëjë me pikëpamjet, botëkuptimet dhe konceptet që ka ai si individ, por më tepër se kaq ka të bëjë me mënyrën e sjelljes në shoqëri përfshirë edhe familjen, si dhe me reagimet ndaj sjelljeve, veprimeve, qëndrimeve dhe veçorive të tjera qoftë psikologjike, qoftë shoqërore të të tjerëve. Dhe kjo ka të bëjë si me mënyrën e të folurit, pra të të shprehurit të mendimeve dhe pikëpamjeve të vetë individit, ashtu edhe me mënyrën e sjelljes, të veprimeve dhe të qëndrimeve të tij. Një individ i formuar në mënyrë të shëndoshë, një individ me personalitet të qëndrueshëm dhe stabil, i ka mundësitë dhe gjasat që të flasë me dinjitet më të lartë, të bëjë sjellje, veprime dhe të mbajë qëndrime shumë dinjitoze. Kurse një individ që ka patologji dhe deformitete të tjera psiko-sociale, qoftë si pasojë e keqformimit, qoftë edhe si pasojë mungesës së aftësisë për të pasur një harmonizim ndërmjet temperamentit dhe sociabilitetit, i ka më të vogla mundësitë dhe gjasat për të folur në mënyrë të dinjitetshme, të sillet dhe të veprojë në mënyrë dinjitoze. Të folurit, me këtë rast, ka të bëjë me aftësinë e individit për të prodhuar ide, mendime dhe pikëpamje për çështje të ndryshme të karakterit individual, privat dhe publik; me aftësitë që ka ai për të kontrolluar temperamentin e tij; me aftësinë për të respektuar apo për të mos respektuar idetë, mendimet dhe pikëpamjet e të tjerëve, kur ato i gjykon të drejta apo të padrejta; si dhe me qëndrimet që mban ndaj ideve, mendimeve dhe pikëpamjeve të tjerëve. Sjelljet kanë të bëjnë me edukatën që individi ka marrë në familje dhe në rrethin ku jeton, e që shpërfaqin edhe ato një aspekt të dinjitetit që mund të ketë apo mund të mos ketë ai si individ. Veprimet e tij, në kontekst të dinjitetit, kanë të bëjnë me natyrën konstruktive të personalitetit të tij dhe të të qenit të tij si qenie individuale edhe shoqërore. Si sjelljet, ashtu edhe veprimet e individit, në masë të madhe përcaktohen nga temperamenti që ka si dhe nga aftësia për ta kontrolluar atë. Thamë më lartë se temperamenti ka të bëjë me aspektet emocionale të njeriut, që ndonjëherë janë shumë më të forta dhe më përcaktuese se aspektet racionale që ka individi. Kjo vlen, sidomos, në ato raste kur ngarkesa emocionale është e fortë, siç janë ato që kanë të bëjnë me ndonjë debat të fortë, me ndonjë rast të gëzimit të papërmbajtur apo me ndonjë rast të hidhërimit të thellë. Debatet e forta dhe të nxehta, me ngarkesë emocionale të fortë kanë prodhuar situata konfliktuale, bile edhe grindje dhe përleshje fizike, duke prodhuar pasoja aspak dinjitoze. Me këtë rast dinjiteti është viktima më tragjike e personalitetit të individit. Në anën tjetër, gëzimet e papërmbajtura që kanë ardhur si pasojë e ndonjë suksesi në ndonjë ndërmarrje individuale apo grupore, kanë prodhuar veprime të tilla, ose kanë prodhuar aso sjelljesh që nuk kanë qenë në përputhje me ato që janë sjellje normale dhe veprime normale në vete dhe në kontekstin e caktuar shoqëror. Sfidat më të mëdha, dinjiteti i ka me rastet kur ato prodhojnë hidhërime të thella , siç janë rastet kur sjellin dëshpërim, zhgënjim, mërzi dhe mllefosje. Rastet kur individi investon besimin, respektin dhe përkushtimin e thellë ndaj dikujt, ndaj diçkaje apo edhe ndaj një çështjeje të caktuar, dhe në fund vëren se gjithë ai investim i tij paska qenë për dikë që nuk e ka merituar, apo për dikë që ia ka keqpërdorë gjithë atë investim; kur vëren se gjithë ai investim paska qenë për diçka të pavlerë; dhe kur vëren se gjithë ai përkushtim paska qenë për një çështje aspak të rëndësishme dhe të drejtë, janë raste që shkaktojnë dëshpërim, zhgënjim, mërzi e mllefosje. Në raste të tilla, mundësitë dhe gjasat që mllefi, mërzia, zhgënjimi dhe dëshpërimi të jenë shumë të forta dhe përcaktuese në sjelljen dhe veprimet e individit, janë shumë të mëdha. Por pikërisht në këto raste dinjiteti mund të jetë viktima më fatkeqe e personalitetit të njeriut. Në anën tjetër, me ngarkesa të mëdha emcionale, që po ashtu prodhojnë mërzitje dhe mllef të thellë, janë rastet e akteve kriminale, siç janë lëndimet, plagosjet, vrasjet me motive kriminale. Këto akte që përveç mërzisë dhe mllefit, prodhojnë edhe instinktin e hakmarrjes, e vënë në sprovë të fortë qëndrueshmërinë emocionale si dhe integritetin e personalitetit të njeriut, si dhe mund ta kenë sërish viktimë fatkeqe pikërisht dinjitetin e njeriut. Pikërisht në këto raste, si dhe në raste të vdekjes së pjesëtarëve të familjes, apo të të tjerëve me të cilët individi ka pasur afërsi jo vetëm emocionale, por edhe afërsi bindjesh, pikëpamjesh etj., vihet në pah, më shumë se në raste të tjera, dinjiteti i njeriut, ose mungesa e tij. Kur njeriu, përkundër ngarkesave emocionale që kanë rastet e tilla, arrin që ta kontrollojë temperamentin e vet dhe t’i japë mundësi arsyes, të përmbajturit dhe durimit, atëherë mundësitë që dinjiteti të mos jetë viktimë janë shumë të mëdha. Në situata të tilla themi për dikë se po sillet në mënyrë dinjitoze, po vepron në mënyrë dinjitoze dhe po rezonon në mënyrë racionale. 

Në anën tjetër, kur njeriu ka mundësi dhe aftësi që t’u shmanget provokimeve të ndryshme, yshtjeve dhe nxitjeve të ndryshme, për grindje, për veprime të dëmshme dhe për sjellje rrugaçërore, po ashtu i ka gjasat që të ketë jetë dinjitoze dhe të shpërfaqë dinjitetin si aspekt karakterologjik dhe shoqëror. Të tilla raste janë rastet kur dikush provokohet për të hyrë në grindje apo përleshje, por nuk bie në provokim, kur një punonjës administrate apo një politikan nuk yshtet nga ofertat korruptive dhe të keqpërdorimit të pozitës zyrtare që ka, apo edhe kur individi, pavarësisht nga  statusi shoqëroro-juridik që ka nuk pranon nxitjet për të bërë keq. Në të gjitha  këto raste bëhet fjalë për qëndrim dinjitoz. Edhe në raste kur individi gjykon dhe beson se nuk ka arsye për të hequr dorë nga pikëpamjet e veta, nga bindjet e veta dhe nga parimet e veta, pavarësisht nga trysnitë që i bëhen për ta bërë këtë, edhe ai shpërfaq një shkallë të lartë të dinjitetit, apo ndoshta shkallën më të lartë të dinjitetit, pasi që me këtë rast, ndoshta më shumë se në rastet e tjera, vihet në dukje integriteti i personalitetit të individit, i pavarësisë dhe qartësisë së pikëpamjeve, botëkuptimeve dhe parimeve që ka ai si individ. Gjatë historisë, kemi raste të shumta kur individi ka pranuar persekuptimet më të tmerrshme, por nuk ka pranuar që të heqë dorë nga pikëpamjet e tij, nga bindjet e tij dhe nga parimet e tij. Jezu Krishti është shembulli më tipik i kësaj. Pranimi i kryqëzimit më parë se të heqë dorë nga agjitacioni për besimin në një Zot, është shembull konkret i kësaj që po themi. Të gjithë ata që e lexojnë “Biblën”, apo që shikojnë ndonjë film për Jezu Krishtin, e kanë të qartë se edhe i gozhduar në kryq, Jezu Krishti është dinjitoz, apo shembëlltyrë e dinjitetit; ai ndërron jetë duke besuar në një Zot... 

Duhet thënë, ndërkaq, se dinjiteti nuk është vetëm veçori karakterologjike e individit, por edhe e shoqërisë. Njësoj sikurse flasim për dinjitetin individual, mund të flasim edhe për dinjitetin që ka një shoqëri e caktuar. Dhe ky dinjitet shoqëror ka të bëjë pikërisht me veçantitë psikologjike që ka ajo. Nëse individin, i cili ka jetën e vet psikike, e quajmë pjesë të shoqërisë, edhe shoqërinë që përbëhet nga këta individë, mund ta quajmë shumë të individëve që e përbëjnë. Rrjedhimisht mund të thuhet se edhe shoqëria e bën jetën e saj psikike. Nëse individi ka personalitetin e tij të ndërtuar që nga fëmijëria, edhe shoqëria e ka personalitetin e saj të ndërtuar që në fillet e saj të krijimit. Individi vepron mbi parime e bindje, edhe shoqëria vepron mbi parime dhe bindje. Dhe këto parime e bindje shoqria i ka ngritur në kode shoqërore, siç janë zakonet, besimet dhe folklori i tij. Dinjiteti i një shoqërie vihet në pah, sikurse te individi me aftësinë për të kontrolluar aspektet emocionale në raport me ato që ndodhin rreth saj apo brenda saj. Një shoqëri, e cila mbështetet mbi kode të tilla që nxisin urrejtjen ndaj shoqërive të tjera, çfarë janë kodet fetare të saj, të trumbetuara nga udhëheqësit fetarë dhe nga drejtues poltikë e intelektualë, e ka shumë të vështirë të sillet në mënyrë dinjitoze, e rrjedhimisht edhe të bëjë veprime dinjitozre. Ndërsa ato shoqëri që mbështeten në kode shoqërore që duke respektuar vetveten dhe integritetin e vet, respektojnë edhe shoqëritë e tjera dhe veçantitë e tyre, ato e kanë më të lehtë të ruajnë dinjitetin e tyre të pacënuar

Në fund të këtyre meditimeve, mund ta themi se dinjiteti është një ndër elementet kryesore karakterologjike, por edhe të personalitetit të individit dhe të shoqërisë,  që përcakton edhe sistemin e sjelljeve, të veprimeve dhe të qëndrimeve të ndryshme individuale dhe shoqërore. Për këtë arsye, dinjiteti ka rol përcaktues në tërë sistemin psiko-social të individit dhe të shoqërisë së caktuar. Rëndësia që ka dinjiteti në vetvete, në sjelljen dhe veprimet individuale e shoqërore, është e madhe dhe e pallogaritshme me vlera materiale e monetare, qoftë kjo edhe me shumat më të mëdha financiare, e bile edhe me të mira materiale si ari apo diamanti. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›