E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta jonë duhet të shmangë nostalgjinë enveriste

Brigadat e Kuqe, frymëzim për majtizmin tonë

E majta shqiptare ka një detyrë emergjente për t’iu afruar së majtës europiane. Sepse, e kemi thënë, ndryshon nga e majta europiane. Kjo e jona  është bartëse e nostalgjisë për diktaturën që kemi lënë pas. Këtë nuk mund ta mohojnë dot protagonistët e së majtës sonë, të cilitdo formacion politik qofshin. Kam parasysh këtu divergjencat, por jo në përpjekjet për të flashkur nostalgjinë për diktaturën enveriste. A mund të thotë Milo se  ka dhënë një kontribut, sado të pakët, për t’iu afruar së majtës europiane? Jo, përderisa u desh ndërhyrja e zonjës Doris Pak, që të hiqeshin fotot e E. Hoxhës në Institucionin e tij. Të përndjekurit politikë, që nuk e duronin dot këtë gjest antidemokratik, përkujtues të diktaturës, nuk u përfillën në protestat e tyre të përditshme, në të cilat kërkonin heqjen e portretit të E. Hoxhës, në muret e institucionit të M. Jashtme. A mund të merret me mend se gjermanët mund ta bënin një gjë të tillë, për të stimuluar figurën e Hitlerit, në mënyrë të ngjashme me ne, për Enverin?

Edi Rama a nuk e kupton se është po aq përgjegjës për festimin e diktatorit tonë, në mesin e shtatorit, me sebepin e përkujtimit të Konferencës së Pezës?

Këtu, në këtë problem, e majta shqiptare nuk ka divergjenca, siç është e përçarë tani. Cila prej partive të majta ka bërë kundërveprimin më të vogël të këtyre shfaqjeve nostalgjike?

Pra, krahasimi me Gjermaninë e tanishme është krejt i pamundur, në kuptimin që në këtë vend, nostalgjia ndaj Hitlerit, në kuptimin e një veprimtarie, dënohet me ligj.

Ajo që ka ngjashmëri, është veprimtaria e Brigadave të Kuqe, në Itali dhe në Gjermani. Në Gjermani u asfiksuan menjëherë këto shfaqje antidemokratike . Në Itali, Brigadat e Kuqe arritën të bëjnë edhe një veprimtari spektakolare, me rrëmbimin dhe vrasjen e Aldo Moros.

1997-a në vendin tonë është një veprimtari që ka afinitetet e veta me atë të shembjes se institucioneve demokratike. Kjo e majtë e veçantë synoi (dhe ia arriti) ta vërë në dorë pushtetin e saj, me zgjedhje domenesh, sigurisht, duke mos pritur afatet demokratike. Dhe e çoi vendin vite e vite prapa; dhe demokracinë e ndrydhi. Sa për propagandën neveritëse “na vranë, na dogjën”, për “i vramë, i dogjëm”, pavarësisht se u lodhën së shformuari historinë, siç kishte bërë E. H. dikur, ajo po zbardhet përherë e më tepër.

Tani le të shohim shkurtimisht si e filluan veprimtarinë e tyre kundër demokracisë italiane, Brigadat e Kuqe në Itali. Për ngjarjen e dhimbshme Moro, nuk po flasim. Mund t’i kthehemi temës njëherë tjetër. Për tani, le të urojmë që, siç morën  fund Brigatat e Kuqe në Itali, të marrë fund edhe nostalgjia komuniste në Shqipëri.  

*  *  *

Në Milano, në lagjen Lorentexhio , dolën afishet e para të një organizate të së majtës së skajshme, të firmosura me  Brigate Rosse. Ishte viti 1970 kur dolën këto trakte, që kishin në ballë një yll asimetrik me pesë cepa. Këtu paraqitej një projekt për shpalljen e një luftë civile. Duke mos u njohur kjo organizate, Shteti vetë e mori  si diçka të parëndësishme, jo serioze, punë mitomanësh. Opinioni publik e nënvleftësoi, po ashtu.

Pas disa muajsh,  në javën e fundit të gushtit , brenda stabilimentit Sit-Siemens në sheshin Xavatari , në Milano, u gjet një pako fletësh, të shkruara me shaptilograf.  Teksti, që e kishte drejtuar tehun  e mllefit ndaj disa ndërmarrjeve, përmbante sharje të ashpra  kundër “drejtuesve bastardë”  dhe me disa shefa repartesh, “shërbëtorë të kapitalizmit”, që duheshin nxjerrë jashtë loje. Veçse sigla Br (Brigadat e kuqe) ishte thuajse e panjohur për drejtorinë e fabrikës. Aq më tepër, për këtë organizatë nuk dinte gjë në atë kohë, as Kuestura e Milanos.

Në 17 shtator 1970, në rrugën Moreto  të Breshias , një rrugë e qetë me pallate banimi në lagjen Qyteti i Studimeve, në orën 20 30’, shpërthejnë në zjarr dy  bidonë  benzinë  para hyrjes së Xhuzepe Leonit, drejtorit të përgjithshëm të personelit  të Sit-Siemens-it. Në portën e garazhit ishte shkruar: Brigate Rosse.

Ishte aksioni i parë, i ashtuquajtur ndëshkues, i Brigadave të Kuqe, me sloganin “të godasim një, që të edukohen njëqind”. Por policia ishte e mendimit se kishin të bënin me një akt rrugaçërie , me marrjen përsipër  nga një organizatë (Br), si mbulesë.   

Këto kishte shkruar Serxhio Xavoli në atë kohë, në gazetën “La notte della Repubblica”.

Kështu filloi, si më kot, si pa rëndësi, një veprimtari me ngjyrim komunist fanatik, me synime vrastare që të “edukohen” njerëzit, nëpërmjet terrorit. Kështu na kujtohen edhe neve “format e edukimit të të premteve”, me sulmet e mësymjet e ashpra kundër imperializmit amerikan, ndaj të cilit u bë një masakër e shfrenuar me fajësi të paqena ndaj ish-nxënësve të Fulcit, gjer te punonjësit e shërbimeve në mencat, në pemëtarí, e të tjera. Antiamerikanizmi u bë një corpus delikti, domethënë një aktakuzë që fajësonte edhe një kuzhinier, një karrocier, një psonisës, apo një llogaritar. Të punoje me Fulcin, do të thotë të ishe spiun! Kjo sindromë u mori jetën shumë e shumë njerëzve të pafajshëm. Ngjitësi i kësaj sëmundjeje ishte vetë Enver Hoxha. Një person i personelit të rojave në Bllok, Z. M., i ka thënë G. T.-it se Komandanti nuk flinte pa vëzhguar nën krevat; dhe bukën e hante pasi e provonin më parë ata të personelit të tij të shërbimit! 

Terrorizmi i Kuq në Itali, arriti apogjeun e vet  në rrëmbimin e personalitetit të shquar italian, Aldo Moros. Pas vrasjes së këtij personaliteti të madh të demokracisë kristiane, terroristët u kapën njëri pas tjetrit dhe iu nënshtruan gjyqit.

Urojmë që lëshimet që po u bëhen të kuqve majtistë, qoftë edhe nga ata të huaj që nuk e kanë njohur nga afër tmerrin komunist, të marrin fund njëherë e mirë.  

Për konsolidimin e demokracisë shqiptare.

Që të mos keqkuptohemi: Askush nuk është kundër së majtës si opozitë apo si pozitë. Të gjithë janë (ose duhet të jenë), për bisturinë ndaj nostalgjisë diktatoriale , që s’duhet të ketë vend në një shtet demokratik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›