Fakti/Lidhja e Jorgos Papandreut, si autor i programit “Rilindja” të Ramës, Internacionalja si lavatriçe parash dhe vjedhja klasike e 116 milionë eurove në Greqi

Programi i “Rilindjes” po gjen vështirësi të mëdha përtypje në takimet e Partisë Socialiste me qytetarët. Edi Rama nuk po bind elektoratin me taksën progresive apo shëndetësi falas për të gjithë, e gjithfarësoj propozimesh të pa shoqëruara me një faturë financiare. Shumë autorë të këtij programi “Rilindjeje” nuk janë më pjesë e listës së kandidatëve për deputet të PS. Kjo ka bërë që prurjet e reja të Edi Ramës ta kenë shumë të vështirë të menaxhojnë një produkt politik të krijuar nga dikush tjetër dhe që është kopje e recetave të dalë boje. Edi Rama nuk flet dot për spitalet dhe shëndetësinë, për koncesionet dhe minierat, pasi ka një vijë të kuqe nga LSI-ja që i ka qeverisur këto ministri për 4 vite. Dhe një fjalë për spitalet dhe shëndetësinë, për koncesionet dhe minierat është një sulm për aleatin e brendshëm. Në mungesë të kësaj, Rama flet për gjëra të përgjithshme krejt populiste. Për shembull gjithçka e lidhje me krizën ekonomike botërore që ka ndikim rrënues në vend. E keqja është se përdor fjalët e ish-kryeministrit grek Jorgos Papandreu, të cilin e ka mentor të programit elektoral të “Rilindjes” për të dhënë recetat e daljes nga kriza, pra rritje taksash për bizneset e mesme dhe të mëdha që në gjuhët e tij janë “korporatat”.
Padyshim para pak muajsh Edi Rama jo vetëm e adhuronte por edhe imitonte modelin Papandreu, derisa miku i tij lëvizte drejt fitores dhe arriti të fitonte pushtetin. Pas dështimit të Papandreut, Rama po tenton t’i largohet modelit të mikut të tij si djalli temjanit, por pa shumë sukses. Edhe hetimi që prokuroria e Athinës ka hapur për abuzimet e Jorgos Papandreu me fondet e PASOK është një arsye më shumë për të heshtur për arkitektin e programit elektoral të “Rilindjes”. Ai nuk përmend dot kontributin e Papandreut për programin ekonomik të Rilindjes pasi do lidhej me imazhin e një hajduti me çizme. Megjithatë Jorgos Papandreu që edhe pse përndiqet nga drejtësia greke e ndihmoi Edi Ramën në alibinë e thirrjes nga jashtë të bashkimit të së majtës. Në një letër drejtuar dy liderëve të së majtës, Edi Rama dhe Ilir Meta, Papandreu theksonte se pavarësisht dallimeve, sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar të majtë. “Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste dëshiroj t’ju bëj një thirrje Zëvendës Presidentit tonë dhe njëherazi Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Unë u bëj thirrje të dyve për ta konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë”, niste letra e Jorgos Papandreu, miku i Edi Ramës, një ditë përpara bashkimit PS-LSI. Sidoqoftë ky bashkim i së majtës ka anuluar programin e “Rilindjes” PS, pasi është në kundërshtim me deklaratat e aleatit në koalicion. Që pas bashkimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Partia socialiste duket se ka modifikuar qëndrimin për disa çështje të programit. Të paktën dy prej pikave të rëndësishme të programit të saj, taksa progresive dhe shërbimi shëndetësor falas për të gjithë, janë “harruar” nga artikulimet programore të kryesocialistit. Në fakt, LSI ka qenë kundër këtyre dy çështjeve, duke e cilësuar taksën progresive si premtim populist që frenon investimet e huaja dhe i kanë cilësuar premtimet e Ramës për shëndetësi si deklarata portokallie.