Intervistë me publicistin dhe analistin politik, Skënder Mulliqi
Modeli që ofron kryeministri Berisha, model i avancimit të proceseve demokratike
Si do ta karakterizoni atmosferën politike tani kur është nënshkruar marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë siq po thuhet për normalizim të marrëdhënieve?
Skënder Mulliqi: Në një intervistë të mëhershme për një javore të Tiranës, i kisha paraqitur pikëpamjet e mia për rrezikun e ndarjes së Kosovës, duke e ditur aspiratën e kahmotshme të Serbisë për zgjerim të territorit, siç e bëri këtë punë historikisht ky shtet. Asociacioni i komunave serbe, me duket mua se do të prodhojë në vend të stabilitetit politik, jostabilitet. Ende nuk dihet se çfarë përmbajnë në të vërtetë në brendinë e tyre 15 pikat e tekstit të marrëveshjes. Derisa u nënshkrua kjo marrëveshje opinioni ishte ballafaquar me logjikën se cila palë do të bënë koncesione më pak ose më shumë se tjetra. Vetë fakti se u bisedua për çështje të brendshme të një shteti sovran, dihet se cila palë është dëmtuar. Bisedimet politike u zhvilluan nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare që enklavat e rebeluara me shumicë serbë në Kosovë, të fitojnë më shumë të drejta sesa parashihet me planin e Ahtisaarit. Dhe kjo është shumë e çuditshme kur dihet se edhe me planin e Ahtisaarit minoriteti serb ka të drejta shumë më të mëdha se çdo minoritet tjetër në shtetet me demokraci të zhvilluar. Serbët mendoj unë as që do t’u shkonte mendja të firmosnin ndonjë marrëveshje nëse minoriteti serb me asociacionin e komunave nuk fiton fuqi ekzekutive. Këtë do të tregojë e ardhmja jo shumë e largët. Veç pa u implementuar marrëveshja serbet ne veri po kërkojnë referendum. Si duket bashkësia ndërkombëtare qe e interesuar që Serbia ta fitojë statusin e vendit kandidat. Kosova dhe ajo që po ndodh rreth Kosovës është atmosferë degradimi politik dhe ekonomik, të cilin synim e ka Serbia. Këtë e bëri të ditur edhe kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliqi gjatë një vizite në Tel-Aviv, i cili deklaroi se “Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet”. Kësaj deklarate të Nikoliqit i kemi kontribuar shumë, edhe ne, me mospunën tonë, dhe lëshimet e mëdha në vazhdimësi karshi Serbisë gjatë bisedimeve.
A mendoni se kësaj atmosfere jo të mirë politike i kanë kontribuar ata që po e mbajnë timonin e shtetit në Kosovë?
Pala e Kosovës u fut në bisedime me Serbinë, pa kushtëzime paraprake. Nëse Kosova është shtet i pranuar ndërkombëtarisht gati nga 100 shtete, pse mos të kushtëzohet Serbia që ta pranojë pavarësinë e Kosovës. E dyta, Serbia ishte dashur të bëjë kërkim falje për vrasjet dhe masakrat të cilat i bëri mbi shqiptarët në tokën e tyre. S’e bëri as të parën dhe as të dytën. Edhe bisedimet të cilat u quajtën teknike dhe bisedimet e fundit krejt të karakterit politik, u bënë që shteti serb të inkuadrohet në Evropë. Kosova përkundër koperativitetit nga BE-ja po merr vetëm premtime e asgjë më shumë. Edhe 14 vite pas luftës, Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka mbetur i izoluar si në geto. Një vend i vogël me gjysmën e popullatës së saj të papunë nuk ke si ta komentosh se gjendja politike është e mirë, e lëre më të flasim per ecuritë ekonomike. Këta udhëheqës të pasluftës as që kanë ndjesi politike, as që kanë ndonjë vizion për të ardhmen e vendit. Ata janë të preokupuar se cili më shumë se shoqi të pasurohet në kurriz të popullit. Prandaj jemi duke jetuar më shumë në kushte ku në shprehje vjen banditizmi sesa që po respektohet rendi dhe ligji .Shumica nga kjo kastë politike ka dështuar. Ata tërë ditën po propagandojnë nëpër mjetet e informimit se gjoja gjithçka po shkon mirë në Kosovë.
Kriminaliteti i organizuar dhe korrupsioni janë bërë tema të pashmangshme edhe zor të mos flitet për këtu dukuri negative. Sipas jush cila është rruga që këto dukuri shqetësuese të ulin kurbën?
Për krimin e organizuar dhe korrupsionin shumë herë kam shkruar deri me sot. Këto fenomene janë shqetësuese, për përmasën që kanë marrë në shoqërinë tonë të re. Janë duke na shkaktuar probleme të mëdha zhvillimore dhe janë duke ndikuar shumë negativisht në imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve në Evropë. Kur në krye të shtetit gjenden njerëz të cilët janë të implikuar tërthorazi apo direkt në krim të organizuar dhe korrupsion, populli nuk ka çka pret se shpejt do të bëhet mirë. Gjithë këto afera dhe procese gjyqësore ndaj disa zyrtarëve të lartë të shtetit, janë treguesi më i mirë se krimi dhe korrupsioni nuk po luftohen sa duhet. Për ta ulur sado pak grafikun e krimit dhe veçmas korrupsionit nevojitet një reformim përmbajtësor i mbarë sistemit që nuk po funksionon mirë. Veçmas një reformë ishte dashur të bëhet në organet e judikaturës dhe në gjyqësor, që ato mos të ndikohen nga politika. Është instaluar logjika e keqe përfituese karshi logjikës për shtetndërtim. Shteti nuk funksionon me tarafe, me ilaka, me njerëz të papërgatitur profesionalisht. Hisedarë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ishin shumica e shqiptarëve. Dikush të pasurohet pafundësisht, e shumica të përballen me gjendjen e mjerueshme sociale dhe ekonomike, kjo është e pamoralshme dhe e pafalshme.
Kanë mbetur edhe pak muaj kur do të kemi zgjedhjet lokale. A prisni se këto zgjedhje do të sjellin ndryshime pozitive, kur dihet se deri me tash shumë pak është realizuar nga ajo që është premtuar gjatë fushatave elektorale?
Krejt pasluftën është instaluar logjika e gabuar e ndarjes së spektrit politik në“krahun e luftës” dhe në “krahun pacifist”, që në fakt këtu kemi të bëjmë edhe me përplasje ideologjike dhe programore. Gjithmonë deri sot gjatë fushatave si në zgjedhjet lokale edhe në ato nacionale, kemi pasur premtime me bollëk deri në mashtrim. Askush nuk ka premtuar se do të kemi ndonjë ndryshim sistemi. Për çka e kam fjalën këtu. Ai sistem që sjell korrupsion dhe krim të organizuar, pastaj pasurim në mënyrë të paligjshme, nepotizëm, dhe shumë probleme të tjera të cilat nuk përkojnë me shoqërinë demokratike, është sistem degradues. Kur luhet me ndjenjat e qytetarëve, me perspektiven e tyre, atëherë ata zor e kanë të shpresojnë se nuk do të mashtrohen sërish. Pa realizimin e premtimeve të dhëna karshi popullit, nuk ka përmirësim të gjendjes në të cilën është katandisur vendi. Është koha që interesat e popullit më në fund të gjejnë shprehje. Deri me tash më shumë kemi pasur fushata komprometuese, sesa që kanë sjellë diç të mirë për mirëqenien e popullit, i cili gjithnjë e më shumë po pëson materialisht, moralisht dhe është duke u rritur frustrimi. Demagogjive dhe keqbërësve politik është mirë që t’u vijë fundi, nëse dëshirojmë prosperitet dhe inkuadrim në Evropë. Optimizmi nuk ushqehet me fjalë boshe, por me punë të ndershme karshi shtetit dhe kombit. Mendoj se zgjedhjet e radhës ishte dashur të menaxhohen mirë, pa keqpërdorime dhe vjedhje të votave siç ndodhi në të kaluarën.
Të kalojmë pak në zgjedhjet e 23 qershorit të cilat do të mbahen në Shqipëri. Cili është opinioni juaj lidhur me këto zgjedhje?
Përkunder klimës jo të mirë politike dhe gjendjes së vështirë ekonomike që po mbretëron në Kosovë, në Shqiperi qeveria e kryeministrit Sali Berisha gjatë mandatit të tij ka bërë punë të mëdha në shumë drejtime. Të hysh në strukturën më të fuqishme sot ushtarake në botë-NATO, nuk është arritje e vogël, është arritje kolosale. Liberalizimi i vizave, pas 50 viteve të izolimit padyshim se është kontribut tjetër i madh i qeverisë. Rruga e Kombit të cilën shqiptarët dikur vetëm kanë mundur ta imagjinojnë është një tjetër vepër kapitale e cila u arrit pikërisht nën pushtetin e kryeministrit Berisha. T’i numërojmë vargun e sukseseve të kësaj qeverie vërtet është shumë i gjatë dhe i pamohueshëm. Prandaj mendoj unë, duke u bazuar në rezultatet e pamohueshme që lidhen me mirëqenien e qytetarëve, në kohën kur Evropën e ka përfshirë vala e madhe e krizës ekonomike, atëherë pa kurrfarë dileme se elektorati do të përcaktohet që me 23 qershor votën t’ia japë PD-së. Shqipëria gjatë këtyre viteve ishte faktor stabiliteti në Ballkan. Shqipëria gjithmonë shprehu partneritet karshi strukturës së BE-së dhe Amerikës mike. Kryeministri Berisha është njeriu që bëri shumë për kombin e vet. Ai mbrojti dhe po i mbron me dinjitet të pashoq interesat e shqiptarëve në rajon, pa i cenuar interesat as një shteti tjetër. Diplomacia shqiptare u vu në veprim të lobimit për Kosovën, në secilin tubim ndërkombëtar ku morën pjesë. Lobuesi më i madh sigurisht që ishte vetë kryeministri Berisha. Shqiptarët këtij burri të madh të kombit i kanë borxh të madh. Berisha bashkë më shokët e tij rrëzoi njërën ndër diktaturat më të urryera në Evropë. Që më tepër se 20 vjet nuk kurseu asgjë nga vetja që Shqipëria dhe shqiptarët t’i bashkangjiten Evropës së qytetëruar. Po mos të ishte Edi Rama, bllokuesi i tre ligjeve, sot Shqipëria sigurisht se do të ishte anëtare e të gjitha strukturave evropiane. Edi Rama edhe kur ishte kryebashkiak i Tiranës nuk la gjë pa abuzuar me shtetin, duke i dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve. Një shok dhe mik i Goran Bregoviqit, Boris Tadiqit, Papandreut …, është treguesi më i mirë se cili në fakt është Edi Kristaq Rama dhe PS-ja të cilën po e drejton ai. Edi Rama është alternativa me e keqe për shqiptarët sot. Neokomunistet as që dinë dhe as që dëshirojnë të mendojnë diçka pozitivisht për kombin dhe atdheun. Ata në plan të parë e kanë ideologjinë, e kanë në plan të parë manipulimin, mashtrimin, dhe e kanë në plan të parë ardhjen me çdo kusht në pushtet për të abuzuar në mënyrë të pamëshirshme pastaj me shtetin. Modeli i Edi Ramës për qeverisje është mashtrues, centralist, që nuk përkon me asgjë në këtë fillimshekull. Socialistët e Edi Ramës shërbehen me retorikë boshe. Shërbehen me fjalë të mëdha e punë të vogla. E kur është fjala te çështja kombëtare, këtu as që kemi se çka të flasim. Atyre as që u intereson fare kjo punë, se për ta ideologjia është gjithçka. Modeli që ofron PD-ja e kryeministrit Berisha, është model i avancimit të proceseve demokratike, është model që shqiptarët i bën pjesë të Evropës së Bashkuar. Është model i mirëqenies dhe prosperitet i gjithëmbarshëm. Vota për PD-në është votë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë. Prandaj, edhe fitorja bindëse e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit në krye me Berishën do të jetë e pamohueshme.
Intervistoi Valdet Hysenaj