E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e “tretë” politike në Maqedoni

18-05-2013 / Nga Ismail Arsllani

Në skenën politike të Maqedonisë, kampi politik shqiptar është i polarizuar, sidomos mes dy partive më të mëdha, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), parti në koalicionin qeveritar, e drejtuar nga Ali Ahmeti, dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), me Menduh Thaçin në krye, e cila është në opozitë, ndërsa ato më të voglat, RDK, DR e të tjera mbeten në margjina, sidomos pas zgjedhjeve të fundit lokale që u mbajtën nga fundi i marsit të sivjetmë.
Boshti i platformës politike të këtyre partive mbështetet më shumë në zgjidhjen e çështjeve kombëtare, që nxisin mjaft emocione tek elektorati dhe që rezultojnë me vota në zgjedhje, se sa për projekte konkrete zhvillimore në përmirësimin e jetës së popullit në këtë vend, të cilin tashmë e kanë braktisur afër 200 mijë shqiptarë, për të siguruar një jetë më të mirë. Asnjë parti politike shqiptare, PPD, PDSH e as BDI, të cilat kanë qenë pjesë e pushtetit në periudha të ndryshme pas pavarësimit të Maqedonisë (1991), në këta 21 vjet të pluralizmit nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet thelbësore, siç janë varfëria, papunësia dhe migrimi.
Në skenën politike shqiptare të Maqedonisë ka munguar dhe po mungon ende një subjekt politik apo një lëvizje qytetare me kodin social, që do të promovonte në radhë të parë zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen sociale të qytetarëve të vet. Në të kaluarën ka pasur mjaft tentime për të formuar, por edhe janë formuar disa parti politike, të cilat nuk kanë mund t’i artikulojnë seriozisht programet e tyre politike dhe të fitojnë në gara politike gjatë zgjedhjeve, sepse në njëfarë mënyre kanë kopjuar orientimin kombëtar të partive ekzistuese, të cilat kanë qenë më të fuqishme. Kjo ka bërë që këto parti të formuara, pas disa vjetësh veprimi politik të hidhen në margjina.
Pra, shqiptarëve të Maqedonisë, pos këtyre dy partive më të mëdha, BDI dhe PDSH, si dhe atyre më të vogla, RDK dhe DR etj, u duhet edhe një subjekt tjetër politik që do të imponohet në skenën politike me programin e tij konstruktiv, që do të përkonte me nevojat dhe kërkesat reale të qytetarëve. Cila duhej të ishte struktura që do ta ngrinte në këmbë një parti të këtillë, e cila do të kishte sukses edhe në marrjen e një pjese të pushtetit? Së pari, hapësirë për veprim politik gjithsesi që ekziston; së dyti, ka një kategori bukur e madhe të njerëzve që janë të pakënaqur nga politikat aktuale, të cilët do të kyçeshin në një parti, e cila do t’i artikulonte kërkesat e tyre.
Një parti e tillë, do të duhej të dilte nga krahu i biznesit shqiptar në Maqedoni, që do të mund të përballonte së pari shpenzimet financiare bukur të mëdha që do të imponoheshin për funksionim të suksesshëm në skenën e konkurrencës politike. Nuk është dëgjuar që strukturat e biznesit të shqiptarëve të jenë interesuar deri më tash seriozisht për një angazhim politik, sepse ata më shumë janë të përqendruar në problemet afariste që kanë në këtë shtet. Por do të ishte mirë që për një punë të tillë të mendohet, edhe nga aspekti i përmirësimit të afarizmit dhe nga aspekti i zgjidhjes së disa problemeve jetike të shqiptarëve, me një angazhim politik. Sepse, strukturat e biznesit shqiptar në Maqedoni që po zhvillohen e zgjerohen me sukses, nuk duhet të mbeten në margjinat e politikës apo vetëm me kyçje në ndonjë parti për interesa të ngushta, ku do të humbeshin në veprimet politike me taban kombëtar apo do të mbeteshin në bisht të veprimit.
Promotorë për themelimin e një subjekti të ri politik, që në nomenklaturën politike do të quhej si “rruga e tretë” apo parti me orientime social-demokrate, do të ishte mirë që fillimisht të jenë njerëz nga qarqet e biznesit, që kanë ndikim në komunat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore.
Biznesi shqiptar në Maqedoni po shndërrohet në një strukturë të rëndësishme shoqërore,  që duhet ta ketë ndikimin e vet përkatës në shoqëri. Ky biznes do të zgjerohet edhe më shumë, me aktivizimin e Zonës së lirë ekonomike në Tetovë, ku pritet të punësohen mbi 7 mijë veta pas rrumbullakimit të fazave të ndërtimit të kapaciteteve ekonomike, por edhe me hapjen e zonave të tjera në rajonet shqiptare. Kësisoj do të ngrihej një strukturë mjaft e madhe dhe ndikuese e biznes-rretheve dhe punonjësve nëpër kompanitë.
Në këtë opsion “të tretë” politik do të mund të kyçeshin edhe shumë studentë të diplomuar, të cilët presin me vite punë, shumë të rinj nga vendbanimet rurale që duhet t’i kthehen agrarit, sepse ekzistojnë potencialet për një gjë të tillë, ndërsa një parti e këtillë do të mund të ndihmonte në këtë drejtim. Dhe, në fund, do të mund të kyçeshin edhe qytetarët e pakënaqur dhe intelektualët e heshtur dhe të pa angazhuar politikisht deri më tash, si dhe anëtarë të shoqatave jo qeveritare dhe të asociacioneve të ndryshme që do të gjenin interesin e vet.
Çka do të arrihej me formimin e një partie të këtillë? Do të nxitej bashkëpunimi dhe zhvillimi ekonomik rajonal në zonat shqiptare që janë lënë pas dore, do të hapeshin vende të reja pune, do të zbutej varfëria dhe, që është më me rëndësi, do të parandalohej dyndja e kuadrove profesionale dhe e ekspertëve, si dhe e rinisë, të cilët braktisin vendlindjen dhe ikin jashtë për të punuar dhe për të siguruar një jetë më të mirë.
Kjo parti jo vetëm që do të parandalonte migrimin e shqiptarëve që tashmë ka ardhur në një shkallë dramatike, për shkak të zbrazjes evidente të vendbanimeve shqiptare, por do të nxiteshin edhe mërgimtarët tanë që mjetet e kursyera jashtë vendit dhe përvojën e fituar, ta sjellin në vendlindje me ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe me aplikimin e diturive dhe përvojës praktike.
Me këto zgjidhje problemesh, të cilat, në fillim do të ishin modeste, do të realizoheshin edhe pjesë të programeve të partive politike ekzistuese të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo punë nuk do të ishte në dëm të askujt, por vetëm në dobi të të gjithëve.
Problemi i migrimit të shqiptarëve duhet kuptuar shumë seriozisht jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga të gjitha strukturat e tjera me ndikim shoqëror, sepse me këtë shkaktohet erozioni kombëtar dhe zvogëlohet përqindja e popullatës shqiptare në Maqedoni, në këtë shtet ku të drejtat realizohen sipas përqindjeve dhe ku ato janë  instrumente kryesore edhe për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila për çelës ka censusin prej 20 për qindësh. Nuk është sekrete të thuhet se qarqe të ndryshme maqedonase tashmë po i fërkojnë duart nga kënaqësia për shkak të supozimeve se shqiptarët në Maqedoni me numër në nivel të vendit kanë rënë nga 25 në 19 për qind, pra nën censusin e paraparë edhe me Kushtetutë, në mënyrë që një ditë të hedhin “ad-akta” Dokumentin e Ohrit, që ndali konfliktin e vitit 2001 dhe u dha më shumë të drejta shqiptarëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›