Fakti/Opozitë deficitare në Kuvend

Teorikisht opozita e Edi Ramës ka thyer bojkotin parlamentar, duke marrë pjesë në seancën e parë të sesionit të ri Kuvendor, por ende nuk është testuar me “votë” në ligje. Premtimi i madh i Partisë Socialiste që nga momenti i marrjes së vendimit për thyerjen e bojkotit dhe rinisjen e dialogut politik, ka qenë angazhimi serioz në sallën e kuvendit, ku vëmendja kryesore do t’i kushtohej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar parlamentare, një pjesë e mirë e të cilave, mbartin përgjegjësinë e fateve të integrimit evropian të Shqipërisë.
Por, sa realiste është pjesëmarrja e PS-së në Kuvend?
A vlen në këtë rast të thuhet se pjesëmarrja e PS-së në seancat plenare do të jetë në vijim të një kursi dialogues me mazhorancën apo perpetum mobile në kuadër të konstruktivitetit politik?
Në pamje të parë gjasat duken optimiste. Deputetët e PS ishin të pranishëm seancën parlamentare të një jave më parë. Edhe pse fjalimi i sforcuar i Gramoz Ruçit dhe koret e çrregullta shoqëruese të kolegëve të tij ligjvënës, si Saimir Tahiri, Taulant Balla apo edhe Dash Peza, mbartnin intrigë dhe djallëzi se, jo gjithçka do të shkojë ashtu siç u propagandua në media gjatë pushimeve të gushtit, me alibinë e thyerjes së bojkotit dhe pjesëmarrjes në Kuvend. Pikërisht, gjatë kohës që Edi Rama pushonte gollomesh në plazhet e nxehta te Mesdheut.
Kjo është hera e dytë që PS rikthehet në sallën parlamentare. Një herë për të shpëtuar mandatet e ligjvënësve dhe njëherazi me to edhe marrjen e rrogave, për një punë që s’e kanë kryer dhe hera e dytë e thyerjes së bojkotit, vjen pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, për të mikluar alibinë e verbër se, “u kthyen në Kuvend për integrimin e Shqipërisë”...
Në të vërtetë, prapaskenat janë monstruoze dhe e nxjerrin lakuriq partinë e Edi Ramës përpara syve të ndërkombëtarëve, pasi urdhri është i prerë për secilin deputet të PS-së: “jo votë ligjeve në Kuvend”.
Jo më kot, veglat e Edi Ramës kanë 3 ditë radhazi që hedhin dyshime për ligje të cilat janë miratuar në komisionin parlamentar me konsensusin e tyre, ndërsa mbahej peng miratimi përfundimtar në sallën e Kuvendit. Ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar parlamentare, si ai për Gjykatën Administrative, miratimi i Avokatit të Popullit (vakat prej 2 vitesh), ligje ai Kodi Rrugor, Kodi Penal etj, etj, vazhdojnë të mbeten në sirtarët e Kuvendit, në pritje të konsensusit të opozitës, e cila fatkeqësisht, edhe me “rikthimin e dytë” në Kuvend, duket se vuan ende fantazmën e “kthimit të parë”, për të shpëtuar mandatin dhe rrogën mujore. E thënë shkurt, në Kuvend kemi një opozitë deficitare, e cila s’është në gjendje për asgjë konkrete dhe kurrsesi s’mund të mendohet se thyerja e bojkotit u bë në funksionin të nisjes së bashkëpunimit me mazhorancës, për përshpejtimin e aspiratave të integrimit.
Fatkeqësia më e madhe qëndron tek ata qindra e mijëra socialistë, të cilët sigurisht që mendojnë ndryshe nga kupola e 99-shave të Edi Ramës në PS. Por, derisa fraksionet të kenë marrë jetë, Edi Rama do ia ketë dalë të konsolidohet në krye të klikës së destruktivitetit dhe “thyerja e kockave”, përmes përjashtimeve politike, do konsiderohej një mision i mbyllur me sukses...