Kryeministri Berisha: “Pas 10 vitesh, flamuri amerikan valëvitet më lart se kurrë”
11 shtatori, Shqipëria në krah të SHBA në luftën kundër terrorizmit
Shefi i Qeverisë shqiptare Sali Berisha ka përkujtuar dje 10-vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e të cilave humbën jetën 3 000 qytetarë amerikanë, por jo vetëm. Përmes një letre drejtuar presidentit të SHBA-e Barack Obama, kryeministri Berisha shpreh ngushëllime për familjet të cilat humbën njerëzit e tyre të dashur në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
“Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet më parë nga sulmi barbar terrorist në New York, Washington dhe ne Pensilvani”, thotë kryeministri në deklaratën e tij.
Kreu i Ekzekutivit thekson se me këtë akt terrorist i cili është më mizori në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, por pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë.
“Sot, pas 10 vitesh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sadamët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar”, thekson Berisha.
Më tej, kryeministri sjell në vëmendje se Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira në tërësi, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. “Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qëndrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj”, përfundon deklaratën e tij kryeministri Berisha, me rastin e përkujtimit të 10 vjetorit të sulmeve terroriste në Nju Jork, duke shtuar se “11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë, për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre”.