Fakti/PS, paketa e ndryshimeve kushtetuese, për të bllokuar imunitetin
Partia Socialiste s’ka ndërmend të ndryshojë nga qëndrimi i saj për të mos votuar heqjen apo kufizimin e imunitetit, pa përfshirë një gamë të gjerë të ndryshimeve Kushtetuese. Dje në seancë plenare PS ishte fotokopje e zymtësisë dhe arbitraritetit të Edi Ramës në çdo dalje të tij për mediat gjatës javës së fundit. Paradoksi u shënua në mbledhjen e këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve ku as më shumë e as më pak do merrte jetë drafti i përbashkët mazhorancë-opozitës rreth specifikave të çështjes së imunitetit. Paloka dhe Majko dy relatorët kishin arritur konsensusin, ndërsa mazhoranca ishte tërhequr nga 90% e propozimeve të saj, duke i hapur rrugë të konsiderueshme projektit të propozuar nga Partia Socialiste. Në votimin në tërësi Rama urdhëroi deputetët të abstenonin, duke dhënë kështu mesazhin se vota e socialistëve në seancën e 6 gushtit do jetë kundër ndryshimit të Kushtetutës. Dhe pikërisht këtu fle lepuri, te ndërhyrja në ligjin themeltar të shtetit. Opozita nuk mjaftohet vetëm me ndërhyrjen në Kushtetutë për heqjen e imunitetit, por kërkon një gamë të gjerë ndryshimesh në ligjin themeltar të shtetit, që lidhen me emërimet në sistemin e drejtësisë. Më konkretisht, Rama i mëshon faktit absurd se, gjyqtarët, Prokurori dhe kreu i KLD, duhet të zgjidhen me 84 vota, në një kohë kur kryefunksionari i sistemit të Drejtësisë, Presidenti i Republikës, zgjidhet me shumicë të thjeshtë (71 vota). Në këtë drejtim, seanca e djeshme plenare shërbeu për zyrtarizmin e qëndrimit radikal të PS kundër çdo tendence të mazhorancës për heqjen apo kufizimin e imunitetit, i cili është një nga rekomandimet bazë të Brukselit për statusin kandidat. Gjithçka është në funksion të aksioneve anti-integrim të opozitës socialiste, për të bllokuar për të tretën herë marrjen e statusit të vendit kandidat. Në çelje të seancës plenare, kreu i Grupit Parlamentar socialist kërkoi ndjekjen e procedurës parlamentare për nismën tjetër të ndërhyrjes në Kushtetutë (paketës së propozuar nga PS), në një kohë kur ka një datë të përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, për votimin e draftit që zhvesh nga imuniteti deputetë, ministra dhe gjyqtarë. Kryetari i mazhorancës Berisha ka deklaruar gjatë javës se nisma e socalistëve kërkon të bllokojë zgjedhjen e anëtarëve të organeve kushtetuese dhe qeverisje nga pakica dhe jo nga shumica e zgjedhur nga populli. Ndërsa ekspertët e Euralius dhe PAKA gjatë seancës dëgjimore në Këshillin e lgjislacionit bënë thirrje që të votohej drafti për imunitetin që tani, si një draft i studiuar gjatë dhe i kompletuar ndryshe nga nisma e socialistëve që kërkon kohë për shqyrtim dhe analizë. Ata nuk shihnin një lidhje tek pretendimi i opozitës se heqja e imunitetit nuk do të funksionojë pa ndryshuar kushtetutën edhe për nismën tjetër të socialistëve. Dhe si e tillë, seanca e 6 gushtit sipas të gjitha parashikimeve s’do marrë votën e deputetëve të Partisë Socialiste dhe kjo do ishte vërtetë e dhimbshme dhe njëherazi një sjellje primitive që i bëhet vendit në kuadër të perspektivës evropiane.