Deputeti demokrat: Rama, në panik nga reflekset e frikës, bën rolin e viktimës

Reagimi i PD, Boçi: Një opozitë që pengon heqjen e imunitetit s’është parë gjëkundi
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh dje në Kuvend se Partia Socialiste po hyn në histori si e vetmja opozitë në botë që s’lejon heqjen e imunitetit për deputetët, ministrat dhe zyrtarët e lartë të shtetit. Boçi tha se qëndrimi i PS ndaj një drafti të rëndësishëm siç është ai i imunitetit, është në vijim të politikës së bojkotit, kulturës së bllokimit të reformave dhe pengimit të statusit të vendit kandidat.
“Që një opozitë politike të mos dëshirojë heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë kjo as është parë dhe as është dëgjuar gjëkund. Për një moment gjithçka këtu të duket e trilluar dhe sikur lëviz në kufijtë e imagjinatës më të shfrenuar.
Por dyshimet davariten, sapo përballesh me faktin e thjeshtë se një gjë të tillë e bën opozita jonë e lavdishme, ajo e cila përgjatë këtyre viteve politikë ka kultivuar rregullisht brenda saj kulturën e bojkotit të parlamentit, kulturën e bllokimit të reformave, të pengimit të statusit, kulturën e sulmimit të institucioneve shtetërore. Pas kësaj çudia rrëzohet me shpejtësi për t’ja lënë vendin habisë. Dhe habia lidhet me paaftësinë e saj për të bashkëpunuar, paaftësinë për të prodhuar politikë, paaftësinë për të pranuar vullnetin e demokracisë të bazuar tek fuqia e shumicës”- u shpreh ai.
Deputeti demokrat theksoi se mazhoranca aktuale e kërkon prej 10 vitesh heqjen apo kufizimin e imunitetit si shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet qytetarëve dhe interesave të tyre. “Imuniteti në konceptin tonë është një cilësi e jashtme dhe artificiale e politikës dhe në pikëtakimin e tij më politikën më shumë e ka dëmtuar se sa e ka ndihmuar, më shumë e ka deformuar se strukturuar, më shumë e ka frenuar se sa zhvilluar atë. Heqja e tij sot, sidomos për politikën, ka arritur në kufijtë e imediates dhe nuk është thjesht përmbushje e një kriteri teknik, pavarësisht se prej gati 10 vitesh vullneti ynë ka qenë absolut. E kemi kërkuar këtë në 2003, 2005, 2007, 2008 dhe vazhdimisht tani. E kemi kërkuar kur kemi qenë në opozitë, sikurse në qeverisje. E kemi kërkuar pa ndryshime kushtetuese, sikurse me ndryshime. Dhe këtë e kemi bë pa pompozitet e bujë, por me sinqeritet dhe me bindje se një gjë e tillë i shërben qytetarëve, i shërben politikës, i shërben vendit”- theksoi deputeti i PD.
Ai shtoi më tej se, Rama është në në panik nga refleksionet e frikës, ndërsa bën rolin e viktimës. “E kemi kryer me bindje se pa imunitetin politika kthehet në identitetin e saj si një profesion që ka nga pasionantët e saj, që duan të jenë pranë saj dhe publikut, duke pushuar më në fund së qeni mjet në duart e individëve që e përdorin si koracën e aferave të tyre. Me bindjen se kufizimi i tij do ta bëjë drejtësinë më të drejtë dhe më të vërtetë”.
Boçi tha se pa imunitet, politika zbret nga maja e Olimpit virtual për tu ulur këmbëkryq në jetën dhe problemet e përditshme.