E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë e shqiptarëve - një garanci e ndërkombëtarëve

Kryeministri Sali Berisha bën bilancin e vizitës dhe takimeve në samitin e Davosit, duke konfirmuar paraqitjen së shpejti të kërkesës për marrjen e statusit të vendit të kandidatit, si dhe sigurimit të lehtësive për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Deklarata - Arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës, pengesa e konsensusit të PS-së për ligjin e lustracionit”

 Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se punimet 5-ditore të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës, shërbyen edhe për të marrë aprovimin formal mbi të ardhmen e vendit, në kuadër të anëtarësimit në strukturat evropiane. 

Kreu i qeverisë informoi mbi takimet e zhvilluara në Davos dhe garancinë e shprehur nga ndërkombëtarët për aspiratat e Shqipërisë, në drejtim të marrjes së statusit kandidat në BE dhe mundësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë. 

“Në Davos, natyrisht ata që udhëheqin ekonominë botërore kishin peshën e  tyre, ndërsa unë kisha qëllimet e mia. Së pari, zhvillova një seri takimesh me të gjithë presidentët e kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ishin të pranishëm në Forum, takime që janë raportuar edhe në shtyp, për paraqitjen e statusit të vendit kandidat dhe për lëvizjen e lirë. Tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi gjeta mirëkuptim të plotë.  

Ne po i plotësojmë këto kushte dhe në muajin mars do të vijë një grup ekspertësh për të konstatuar ecurinë dhe unë jam i bindur se Shqipëria do të vlerësohet pozitivisht”, tha Berisha.

Duke informuar më tej rreth punimeve të forumit ekonomik, Berisha tha se bisedimet me personalitetet e larta botërore në Davos u fokusuan gjithashtu edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj dhe në këtë drejtim. Kreu i qeverisë informoi se ka paraqitur potencialin e madh që ofron vendi në fushën e energjisë, turizmit, minierave, manifakturave, etj. 

Lufta kundër korrupsionit ishte një tjetër fushë, për të cilën kryeministri mori vlerësimet për arritjet e deritanishme, por edhe garancinë se “në këtë rrugë Shqipëria do të ketë mbështetjen e organizmave ndërkombëtarë. Unë takova drejtuesit kryesorë të dy organizmave kryesorë të luftës kundër korrupsionit. Në takimin me Presidenten e ‘Transparency International’ kërkova ndihmën e kësaj organizate për të na ndihmuar duke na servirur praktik0at më të mira anti-korruptive që ky ‘think tank’ disponon dhe shpreha vendosmërinë time për t’i implementuar ato në Shqipëri”. 

Berisha theksoi se “gjatë Forumit, para rastin të përshëndes shkurtimisht e të shkëmbej mendime shumë të përzemërta me Presidentin Klinton dhe ta ftoj të vizitojë Shqipërinë. “Ai më siguroi se pranon ftesën dhe se do të vijë në Shqipëri. Po ashtu me këshilltaren të Presidentit Obama, Valerie Jarret, të cilën e ftova të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ajo e pranoi me kënaqësi. U takova me Kryeministrin e Japonisë Taro Aso, i cili, gjatë vizitës sime në Japoni, ka qenë edhe mikpritësi i një dreke të mrekullueshme, kur ai nuk ishte në qeveri. Gjatë një dreke të takimeve private në Davos, unë isha pranë tij dhe e falënderova për ndihmën e madhe që Japonia i ka dhënë Shqipërisë dhe e ftova të vizitojë Shqipërinë. U përshëndeta përzemërsisht me Kancelaren Merkel, Kryeministrin Brawn dhe shumë pjesëmarrës të tjerë”, nënvizoi kryeministri.

Për sa i takon zhvillimit rural në Shqipëri dhe konkretisht zhvillimit të sektorit të bujqësisë, ishte një tjetër fushë për të cilën kryeministri siguroi mbështetjen e FAO-s dhe të Presidentes së Agjencisë Ndërkombëtare për Bashkëpunim e Japonisë, Sadako Ogata, Agjenci e cila do t’i akordojë qeverisë shqiptare një kredi me interes 0.01 për qind për një afat prej 30 vjetësh.

“Qeveria nuk do të lëvizë nga objektivat dhe do t’i përmbahet marrëveshjes me FMN”.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kriza ekonomike që po trondit shumë vende të botës është ende larg Shqipërisë. Ai garantoi se gjatë kësaj kohe qeveria do të përfitojë të marrë masat e duhura që Shqipëria të mbetet e paprekur nga kriza. 

Në kuadër të masave që do të merren për të zbutur krizën që mund të preke vendin, Berisha konfirmoi se qeveria që ai drejton nuk do të lëvizë nga objektivat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se do t’i përmbahet marrëveshjes me të. Ai premtoi se qeveria nuk do të zgjerojë deficitin dhe do monitorojë zhvillimin e situatës ekonomike në vend. 

Situata energjetike në vend është më pozitive se kurrë më parë dhe kjo në sajë të politikave efektive të kabinetit “Berisha”, për të përmbushur një nga detyrimet ndaj elektoratit, atë të furnizimit me energjie elektrike pa ndërprerje. Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, vlerësoi se zotimi i qeverisë se nga fundi i vitit 2007 e deri më tej nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë, po jep rezultate shumë të mëdha. 

Ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatik, projekt që përshkon në vendin tonë, ka qenë në një ndër temat e shumë diskutuara gjatë punimeve të forumit ekonomik në Davos.

Kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për shtyp dje pasdite, deklaroi se ky projekt ishte linja e dytë e takimeve. 

Kreu i qeverisë theksoi se gjatë qëndrimit të Davos ka zhvilluar takime me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të interesuara për këtë gazsjellës, si Kryeministrin e Turqisë, Presidentin e Zvicrës, Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev, përfaqësuesit e kompanisë. “Mund t’ju njoftoj se për këtë gazsjellës ka pasur zhvillime të reja shumë pozitive në Davos, më pozitive se të gjithë të mëparshmet. Shpresat e gazsjellësit - siç e dini për gazsjellësit e naftësjellësit e rajonit ka dekada që flitet, por, faktikisht, vetëm ai i Ceyhan-it është ndërtuar, të tjerët janë në fushë diskutimesh - këtë herë kanë qenë më konkrete. Premtimi i Presidentit Aliyev për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik ishte i prerë dhe i vendosur. Kryeministri i Turqisë premtoi qartë se do të krijojë lehtësirat e nevojshme për gazsjellësin. Presidenti i Zvicrës dhe Drejtori i Përgjithshëm për Energjinë i këtij vendi u shprehën se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur gazsjellësin”, u shpreh Berisha. 

Gjithashtu Berisha tha se kompania do të ngrejë së shpejti ndërmarrjen shqiptare të këtij gazsjellësi, megjithëse projekti nuk është finalizuar, por hapat janë bërë më të mëdha se asnjëherë më parë. 

 “Arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës, pengesa e konsensusit të PS-së për ligjin e lustracionit”/Kryeministri Sali Berisha u shpreh se pengesa kryesore e konsensusit për ligjin e “Pastërtisë së Figurës të Zyrtarëve të Lartë” është arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit lidhur me ligjin e lustracionit në Shqipëri, Berisha akuzoi Ramën si përgjegjësin që ka penguar konsensusin me Partinë Socialiste, konsensus të cilin mazhoranca e ka kërkuar për 2 vite me radhë.

“Kryetari i opozitës, është ai që e pengoi fund e krye konsensusin me PS, të cilin e kërkova për 2 vjet rresht, dhe ky ka të bëjë me arkivin e dosjeve familjare të Edi Ramës dhe këtë dua t’jua them me përgjegjësinë më të plotë. Është një arkiv i tmerrshëm. Ai është një njeri i mbajtur peng dhe ky është problem i madh. Unë kurrë nuk bëj përgjegjës fëmijën për të atin, dhe ky është një parim i pandryshueshëm, por ai është i pashërueshëm”, u shpreh kryeministri.

Lidhur me deklarimet e fundit në media mbi kontestimet e Presidencës çeke të BE-së ndaj ligjit të lustracionit në Shqipëri, kryeministri u shpreh se “problemi është te kontrolli që kryetari i opozitës dhe i bashkisë ushtron mbi mediat, i cili i shtyn dhe i detyron ato të deformojnë në mënyrë të tmerrshme të vërtetat që lidhen me shqiptarët”. “Kryekorruptuesi i mediave, thur plane se atë do ta bëjë ministër, një pronareje i thotë se do ta bëjë deputet. Kemi të bëjmë me një njeri kryedeformator të fjalës dhe medias së lirë”, nënvizoi kreu i qeverisë.

Megjithatë kryeministri theksoi se ka pasur një komunikatë qeveritare lidhur me lustracionin dhe komunikata ka qenë në mirëkuptim me kryeministrin. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›