Fakti/Shqiptarët do udhëtojnë pa viza në BE – Të enjten hyn në fuqi vendimi i BE për lëvizjen e lirë

Liberalizimi i vizave për Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian, në formën ligjore të saj nis në datën 15 dhjetor të 2010-ës. Duke filluar nga e dita e Mërkurë e kësaj jave, të gjithë qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Na ndajnë vetëm tre ditë kur do vihet në zbatim ky vendim që nga momenti historik, dita e rifitimit të dinjitetit evropian të shqiptarëve dhe dita që çmontoi njëherë e përgjithmonë zinxhirët e të kaluarës izoluese, anembanë vendit. Qytetarët duken të ekzaltuar për këtë. Në mënyrë të veçantë ky rezultat impresionues për Shqipërinë dhe shqiptarët erdhi falë punës dhe përkushtimit reformator të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha dhe mazhorancës në tërësi. Sigurisht që liberalizimi i vizave është një arritje domethënëse, por ajo që rrezikoi disa herë procesin ishte sjellja e pahijshme e opozitës së Edi Ramës, duke bojkotuar punimet e Kuvendit të Shqipërisë në vend që të votoheshin ligjet dhe aktet nënligjore, të cilat lidheshin direkt me proceset integruese, siç është liberalizimi i vizave. Por edhe lëvizja e lirë ka rregullat e saj, të cilat në mënyrë kategorike s’duhet të shkelen. Bashkimi Evropian parashikon masa drastike ndaj shkelësve deri në një masë pezulluese 5- vjeçare në të gjitha vendet e BE-së.
Festat e fundvitit, destinacionet kryesore të shqiptarëve, Greqia dhe Italia/Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, në një prononcim për “55”-ën deklaroi se falë vendimit për udhëtimin pa viza në BE, qytetarët shqiptarë pritet të krijojnë tendenca të reja të daljeve turistike. Sipas tij, gjeografia e lëvizjeve turistike të shqiptarëve nuk do jetë e njëjta me atë të një viti më parë. “Parashikimet tona për të ardhmen, pas liberalizimit të vizave për shqiptarët bëjnë të mundur që turizmi “outgoing” apo që daljet turistike të shqiptarëve të rriten rreth 43% më shumë se daljet turistike, përqindje e cila do të jetë më e madhe në vendet e Bashkimit Europian (vendet ‘Shengen’), nga rreth 15% që ka qenë për vitin 2010”- tha ai. Destinacionet më të kërkuara nga qytetarët shqiptarë, për të udhëtuar për festat e fundvitit, janë Greqia dhe Italia, fqinjët tanë që kanë dhe numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Operatorët e agjencive turistike kanë riparë ofertat turistike të fundvitit, pasi kërkesat kanë njohur rritje të ndjeshme të kërkesave të qytetarëve për të udhëtuar nëpër zonat “shengen”. Këta Operatorë premtojnë ulje me rreth 20% të çmimeve si për biletat, ashtu edhe për paketat turistike. Shitjet më të mëdha kanë qenë veçanërisht për biletat e autobusëve. Sipas agjencive, duke qenë se pjesa më e madhe e njerëzve do të udhëtojnë në grup, kryesisht pjesëtar të të njëjtës familje, udhëtimi me autobus është më i leverdisshëm. Një biletë vajtje-ardhje për një person për në shtetin helen kushton rreth 50 euro, nëse do të zgjidhej të udhëtohej me avion çmimi i një bilete vajtje-ardhje shkon rreth 200 euro. Agjencitë thonë se po vihet re dhe një tjetër fenomen, atë që kreun e listës së udhëtarëve për festat e fundvitit, po e kryesojnë personat me një moshë mesatare 50 vjeç apo edhe më të moshuar. Përsa i përket transportit ajror sipas kompanive të shitjes së biletave, prenotimet janë për data më të vona. Kryesisht prenotimet fillojnë nga data 25 dhjetor. Kompanitë e udhëtimit ishin të përgatitura për këtë shtim të numrit të udhëtarëve. Sinjalet e para u dhanë që një ditë pas marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, kur kompanitë morën edhe një paralajmërim nga qeveria se do të penalizohen nëse do të ndikojnë në organizimin e udhëtimeve që bien ndesh me ligjet, për të shmangur kështu shkeljen e rregullave të “Schengen”-it.
...