20 – vjetori i themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë
UPDATE- Nesër në Pallatin e Kongreseve, përkujtohet Lëvizja e Dhjetor ‘90-ës që solli ndryshime rrënjësore në Shqipëri
Partia Demokratike kremton nesër në Pallatin e Kongreseve 20 vjetorin e krijimit të saj. Pas demonstratave të studentëve, të Dhjetor ’90-ës, të cilat sollën lirinë e shumë pritur për të gjithë shqiptarët, ngjizjen e pluralizmit dhe ngritjen e të parës forcë politike opozitare, Shqipëria rifitoi dinjitetin, duke zhbërë regjimin gjakpirës të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia. Ai dhjetor i ftohtë, ditët e para të një dimri të egër dhe të acartë, por që do të reflektonte ashpërsinë e tij përballë ashpërsisë dhe egërsisë së nomenklaturës, do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Do të duhej ngritja në këmbë e studentëve dhe bashkimi i pedagogëve me idealet e tyre, që regjimit të kalbur t’i dridheshin këmbët, pavarësisht kamxhikëve që rrahën dhe dhunuan të rinjtë, nomenklatura komuniste u dorëzua. Pas këtij momenti, Shqipëria vijoi e sigurt rrugëtimin drejt konsolidimit të aspiratës së saj evropiane, pavarësisht ngacmimeve vrastare të hienave komuniste një dekadë më parë. Në takimin që pritet të organizohet nesër në Pallatin e Kongreseve, do të përkujtohen figurat kryesore të lëvizjes së dhjetorit, të cilët insistuan dhëmb për dhëmb me komunistët, për krijimin e partisë së parë opozitare në Shqipëri. Një ndër ta është heroi i demokracisë, Azem Hajdari, i cili u sakrifikua pikërisht për të mbrojtur idealet evropiane të shqiptarëve. Një përshëndetje të veçantë, me rastin e kësaj dite të shënuar do të përcjellë kryeministri i vendit Sali Berisha dhe të ftuar të tjerë, ish studentë dhe pedagogë të Lëvizjeve të Dhjetor ’90-ës. Mesazhi i demokracisë është mesazhi për të cilin flijuan dëshmorët e parë të demokracisë dhe ata që vuajtjen për idealin e çmuar të lirisë. Lëvizja e Dhjetorit hodhi dritë mbi idetë e të rinjve studentë, hodhi dritë mbi heronjtë e saj që u flijuan për këtë liri që gëzojmë ne sot. Festimet për 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe 12 Dhjetorin, themelimin e Partisë Demokratike, u shtynë një javë më parë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që preku Shkodrën. Në shenjë solidariteti me banorët e zonave të përmbytura nga reshjet e dendura të shiut, shefi i ekzekutivit Sali Berisha kërkoi përqendrimin e vëmendjes në veri-perëndim të vendit, atje ku prej 10 ditësh janë dislokuar thuajse të gjithë ministrat e kabinetit “Berisha”, drejtues të Shtabit të Emergjencave, Policia si dhe Ushtria.
...