E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultet falas për ata që e mbarojnë të parin me dhjeta

Të ndjekësh një fakultet të dytë bëhet më e thjeshtë kur të parin e ke mbaruar me rezultate të larta. Në udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit, "Ndjekja e një programi të dytë studimi", thuhet se "individët që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi". Për sa i përket tarifës për fakultetet të dytë thuhet se "kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer". Për sa u përket rregullave të konkurrimit, Ministria e Arsimit u ka lënë lirshmëri universiteteve. Sipas udhëzimit, kriteret duhet të caktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë. Aktualisht shkollat e larta janë duke i hartuar statutet e tyre, pasi ishte domosdoshmëri ndryshimi pas miratimit të ligjit të arsimit të lartë. Por duke iu referuar kritereve të këtij viti akademik, ku në muajin dhjetor të 2007-ës u pranuan 400 studentë, veçojmë faktin se konkurrimi u bë me dosje. Pra studentët fitues zgjidhen në bazë të diplomës së parë që kanë dhe notës mesatare. Sipas rektorëve, shihet përafërsia e diplomës, ku një person që ka mbaruar shkenca të natyrës, ka mjaft shanse për të ndjekur fakultet të dytë farmacinë apo stomatologjinë. Ndërsa një kandidat tjetër që ka mbaruar një fakultet për shkenca sociale, mund të pranohet lehtësish në Fakultetin e Drejtësisë. Nëse numri i konkurrentëve është shumë herë më i madh se ai i kuotave, seleksionimi bëhet përmes notës mesatare të tyre, duke u renditur nga dhjeta te pesa, bazuar në listën e notave të fakultetit të parë të çdo kandidati. Pra, kjo kategori studentësh edhe pse ndjek shkollën e lartë me kohë të plotë (ditën), nuk jep konkurs me anë të provimeve të maturës, por thjesht dorëzon dosjen pranë fakultetit ku dëshiron të studiojë.

Lidhur me çmimin ka qenë një udhëzim i përbashkët i ministrit të Arsimit dhe atij të Financave, që përcaktonte tarifat nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në vit. Ky udhëzim u miratua në nëntor për vitin akademik që jemi aktualisht, ndërsa për vitin e ri akademik edhe mund të ndryshojë, pasi është ende herët për regjistrimin e kandidatëve në një fakultet të dytë. Gjithsesi duhet theksuar se vjet çmimet u ulën ndjeshëm për këto studime. Ato varionin sipas rëndësisë së degëve nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në vit. Kështu, në gjithë mësuesitë, tarifat e shkollimit janë 50 mijë lekë në vit, ndërsa degët e Mjekësisë, të Inxhinierisë, Ekonomisë dhe Drejtësisë, që janë edhe më të preferuarat, kanë një tarifë vjetore prej 100 mijë lekësh. Kjo tarifë paguhet në nisje të sezonit të parë të provimeve, pra në muajin shkurt dhe qershor të çdo viti akademik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›