E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria, ligji i duhanit, policia bashkiake nuk vjel gjobat

Fushatën anti-duhan do ta udhëheqin të rinjtë. Rëndësi të veçantë do të ketë sensibilizimi i moshave të reja për të mos konsumuar substanca të duhanit. Rreth 620 të rinj të trajnuar nga Ministria e Shëndetësisë do të shpërndahen në 5 qytete të vendit për të sensibilizuar bashkëmoshatarët e tyre, për të mos nisur duhanin apo për ta lënë atë. Ndërkohë që pjesë e "misionit" të tyre është edhe sensibilizimi i popullatës për të zbatuar ligjin e duhanit. Policia bashkiake ose ajo komunare është bërë pengesë për zbatimin e ligjit të duhanit. Gjobat nuk vilen dhe ligji nuk po gjen zbatim të plotë, pasi këto dy struktura nuk po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Këtë e ka njoftuar dje zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas njoftimit, moszbatimi i ligjit kundër duhanit ka lënë për të dëshiruar, pasi policia bashkiake dhe ajo komunare nuk janë angazhuar për zbatimin e tij. Nga ana tjetër, Inspektorati Sanitar Shtetërorë në Tiranë nuk ka qenë efektiv në vjeljen e gjobave për moszbatuesit e njërit prej ligjeve më të përfolura. Dikasteri i shëndetësisë ka deklaruar se një plan i ri do të ndikojë ndjeshëm në zbatimin e ligjit. Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë me fushatën e të rinjve do të nisë zbatimin në pesë qytete të vendit. Në mbështetje të luftës kundër duhanit, ministria ka urdhëruar ngritjen e grupeve të koordinatorëve lokalë dhe grupeve rinore në të gjitha rrethet e vendit, të cilët do të "edukojnë" qytetarët për të zbatuar ligjin, apo për të mos konsumuar duhan. 620 të rinj në pesë rrethe të vendit do të jenë edukatorë për bashkëmoshatarët e tyre dhe do të drejtojnë fushatat anti-duhan. Sakaq, në zbatim të ligjit është mundësuar heqja e reklamave të duhanit, dhe sipas ligjit janë vendosur në çdo paketë sigla paralajmëruese në gjuhën shqipe. Ligji anti-duhan një vit më parë u cilësua si një nga ligjet më të rëndësishme të vitit 2008. Përfaqësues të shëndetësisë trumbetuan se zbatimi i tij është i mundur. Ndërsa një vit pas hyrjes në fuqi të tij, zbatimi i tij ka mbetur më shumë në ndërgjegjen e secilit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›